Profili i një shkrimtari dhe veprimtari shoqëror qëndrestar…

Opinione

Profili i një shkrimtari dhe veprimtari shoqëror qëndrestar…

Nga: Dukagjin HATA Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 21:04
Presidenti Ilir Meta, duke i dhënë Faik Xhanit titullin “Mjeshtër i Madh”

Faik Xhani përcjell emrin e një krijuesi, analisti dhe publicisti, shkrimtaria e të cilit nxjerr në pah pjesë në hije të historisë dhe protagonistë të saj, portrete njerëzish të thjeshtë të përditshmërisë, ngjarje që kanë lënë gjurmë në kujtesën e bashkëkohësve dhe të brezave. Shkrimtari dhe publicisti Faik Xhani po e pasuron gjithmonë e më shumë spektrin e këndvështrimit të tij letrar, publicistik, historik, analitiko-reflektues, duke sjellë gjithmonë prurje të reja ngjarjesh, figurash, protagonistësh, me anë të një depërtimi të thellë në memorien e kohës dhe të bashkëkohësisë.

Me emrin e Faik Xhanit lidhet një histori kontributi shoqëror, estetik, publicistik e njerëzor, me të cilat ai është identifikuar si një veprimtar i përkushtuar dhe i angazhuar në këto vite të trazuara tranzicioni, në kërkim të shpalimit dhe përcjelljes së një bote vlerash letrare, publicistike e humane. Autor i disa librave, kryesisht monografi dhe memoristikë, ku mund të veçojmë librin e tij të mirëpritur “Mikpritja shqiptare mrekulloi Xhorxh Ë Bush”, një rrëfim mbresëlënës rreth vizitës së ish presidentit amerikan në Shqipëri në vitin 2007, Xhani ka krijuar profilin e një krijuesi të angazhuar me fatet e vendit të tij, me sfidat dhe përpjekjet e shqiptarëve për të dalë nga kthetrat e këtij tranzicioni të gjatë e të vështirë, duke pasur si model vlerat më të mira të trashëgimisë sonë historike, që kanë lënë gjurmë në analet kombëtare.    

Ky libër, nëse përdorim një njësi frazeologjike popullore, është shkruar “me lëkurë”, me një gravitet emocional të veçantë, që do të thotë se autori e ka përjetuar realisht dhe emocionalisht çdo fjalë dhe frazë dhe pas një site të hollë të ngjarjeve që kanë paraprirë dhe pasprirë vizitën historike të ish Presidentit Bush, depërton të palcën e të ndodhurës dhe përcjell jehonën e kësaj ngjarje në publikun e thjeshtë shqiptar. 

Me një stil të ngjeshur e konçiz, por njëherësh të ngrohtë dhe plot ngjyra, Faik Xhani na sjell në këtë libër një pamje dinjitoze të historisë së tranzicionit shqiptar, ku vizita e një personaliteti të fortë të politikës botërore, lëvizi si të thuash qendrën e gravitetit emocional të të huajve për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Veprimtaria e ngjeshur shkrimore e Faik Xhanit nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e lexuesit, që edhe në këtë kohë disi kaotike vazhdon të vëzhgojë imtësisht gjithçka dhe në rastin e tij shikonin një investigues të pjekur, që di se çfarë shkruan dhe shkruan me një stil që është krejt i tij.

Xhani përcjell në shkrimet dhe librat e tij konturet e një shoqërie, që edhe pse disi agresive dhe jo aq e ndjeshme ndaj dhimbjes së tjetrit, ku etja e shfrenuar për para, duket se ka zëvëndësuar kursin normal të konkurencës së vlerave, përsëri ka modele që duhen ndjekur dhe që ai i ka përcjellë me dashuri në librat e tij, si bie fjala tek libri “Babaxhani”, ku jepet portreti i gjërë dhe i detajuar i një pensionisti të thjeshtë, të quajtur Seit Mila, që me aktet e tij të vogla e të gjithëkohshme humane ka dëshmuar se jeton për të lënë pas kujtime dhe mbresa të mira tek ata që e rrethojnë në përditshmërinë e tij.

  1. trevën e Matit prej nga vjen, odave matjane dhe më gjërë, kafeneve dhe ndenjeve me burra të mençur, Faik Xhani ka gjurmuar dhe gjetur “lëndën e parë” të shkrimeve dhe librave të tij, materialin bazë, episodet ardhur gojë më gojë deri në ditët tona, personazhet historikë dhe të përditshmërisë, temat e shqetësimeve dhe kauzave qytetare, që ka bërë objekt trajtimi dhe pasqyrimi në krijimtarinë e tij.

Ajo që e bën të dallueshme krijimtarinë e Faikut është rrugëtimi i tij i natyrshëm drejt personazheve, drejt ngjarjeve, drejt unit të tij, drejt rrënjëve dhe degëve, drejt vendlindjes, drejt historisë dhe aktualitetit, duke konfiguruar një peisazh të thyer të shpirtit njerëzor, me anë të tablove në lëvizje, si vetë jeta jonë dinamike, në kërkim të gjërave të bukura, për të cilat ia vlen të jetosh.

Në artin shkrimor të Xhanit vërejmë shqetësim qytetar, dinamizëm, një stil të ngjeshur, poetikë rrëfimi dhe fuqi e gjallëri deduksioni, investigim të imët, dialogje e monologje të gjallë, shkrirje të kohëve dhe hapësirave rrëfimore në realitete mesazhuese, që vlejnë për sot e për nesër, për të gjithë brezat.

Një vlerësim të epërm meriton Faik Xhani për përkushtimin dhe kontributin e tij të veçantë në ndihmë të pensionistëve, si kryetar i e shoqatës “Bashkimi i Përgjithshëm i Pensionistëve të Shqipërisë”, ku ka spikatur aftësia e tij organizative dhe përgjegjësia si veprimtar aktiv në ndihmë të kësaj shtrese të pamundur të shoqërisë, duke tentuar që të ndihmojë sa më shumë pensionistët për ta jetuar në normalitet moshën e tyre të thyer, që në kushtet e një vendi si ky i yni, duket mjaft problematike.

Faik Xhani është botuesi dhe kryeredaktori i gazetës “Zëri i pensionistit”, një tribunë e mendimit të lirë në mbrojtje të të drejtave të pensionistëve, si një shtresë që ka nevojë urgjente jo vetëm për ndihmë e mbështetje financiare e njerëzore, por dhe për ngrohtësi e mirëkuptim nga strukturat shoqërore e shtetërore si dhe brezat më të rinj të shoqërisë.  

Presidenti Ilir Meta i ka akorduar Faik Xhanit titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, duke vlerësuar tek ai veprimtarin aktiv shoqëror, i cili ka kryer me devotshmëri edhe detyra të ndryshme si nismëtar e kontribues për themelimin dhe funksionimin e disa shoqatave jofitimprurëse, që kanë ndihmuar fëmijët jetim, moshën e tretë dhe familjet në nevojë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat