Nga Tirana sulme vulgare kundër Vjosa Osmanit dhe mundësisë së zgjedhjeve të reja në Kosovë

Opinione

Nga Tirana sulme vulgare kundër Vjosa Osmanit dhe mundësisë së zgjedhjeve të reja në Kosovë

Nga: Salih Kabashi Më: 22 dhjetor 2020 Në ora: 00:36
Salih Kabashi

Shkëlqimi dhe qëndrimi i Vjosa Osmanit në Tiranë, ishte i njëllojtë, i sinqertë dhe i guximshëm si paraqitja brilante e Edi Ramës gjatë vizitës së tij të parë më 10 nëntor 2014 në Serbi. Ajo paraqitje e dikurshme e Ramës me gjasë paska qenë e para dhe e fundmja shfaqje aq dinjitoze e tij përballë përfaqësuesve serbë, me të cilët ai u takua edhe në raste të tjera.

Vjosa Osmani, u.d. Presidente e Republikës së Kosovës, javën e kaluar qëndroi për vizitë në Tiranë. Vizita e saj u fol dhe u përfol gjerë e gjatë në mediat e dy vendeve tona. Siç u pa paraqitjet e saj në kryeqytetin e Shqipërisë u përcollën edhe me shumë shpifje nga politikanë hileçarë të Tiranës, nga politikanë gjysmë-analfabetë të Kosovës, si dhe nga analistë e editorialistë, të shumtën mercenarë me stazh shumëvjeçarë, nga të dyja anët e kufirit.

Mosha e privilegji që më jep ajo më mundësojnë që të nxjerr përfundimin se shkuarja për një vizitë zyrtare e Vjosa Osmanit në Shqipëri, paraqet shfaqjen më dinjitoze të një aktori politik kosovar në Tiranë në kohëzgjatjen të këtyre tridhjetë vjetëve të fundit të kontakteve politike Kosovë-Shqipëri.

Tirana zyrtare, Parlamenti, Presidenti Ilir Meta, Qeveria e udhëhequr nga Edi Rama, institucionet e larta në Tiranë dhe të gjithë ata që deshën, ata edhe mund të shihnin e mundën të dëgjojnë një zonjë kosovare që flet shqip po si mikpritësit, e nganjëherë, edhe më mirë se ata.

Vjosa dëshmoi javën e kaluar se mendon e shprehet më atdhetarisht e më demokratikisht, analizon më thellësisht, formulon më bukur, rendit fjali më me elegancë, shprehet më me shumë përmbajtje se sa të gjitha gratë e burrat e shtetit e të partive që deri më tani kanë shkuar për vizitë zyrtare nga Prishtina në Tiranë.

Përndryshe, dihet se sado që është shumë bukur, për kosovarin nuk është edhe aq lehtë që në Tiranë të ndjehet i pranuar si i barasvlershëm dhe i njënivelshëm. E çuditshme, ata që në Shqipëri bëjnë politikë e që krijojnë opinion, inferiorë deri në nënshtrim ndaj kujtdo në Evropë e në botë, ndaj kosovarit vetëimagjinohen si farë lordësh anglezë…

Kjo lloj krekosjeje e ky soj mospranimi e moskonsiderimi i kosovarit në Tiranë, i ra hise edhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në vizitën e parë të saj si bartëse e postit të lartë në Republikë.

Në Tiranë kanë shkuar për vizitë tek homologët e tyre edhe Ibrahim Rugova, (te Ramiz Alia fillimisht e më pastaj edhe te Sali Berisha), Nexhat Daci, Fatmir Sejdiu, Begjet Pacolli, Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi. Me përjashtim të Fatmir Sejdiut, të gjithë këta tjerët kanë qenë e kanë mbetë shembuj sakatësh ose gjysmësakatësh në gjuhë shqipe. Homologët e tyre si Sali Berisha, Rexhep Mejdani, Alfred Mojsiu, Ilir Meta… ose ishin shqipfolës të mirë ose mbllaqisnin pak më mirë se sa vëllezërit e tyre relativë nga Kosova. Këto kllapazanllëqe domosdo se i bijnë në sy e në vesh publikut e medias, të cilët, atë punë e detyrë kanë - pastaj nisin talljen e madhe jo vetëm me politikanët shqiptarë kosovarë, por edhe me Kosovën!

Vjosa Osmani është zonja që ka kryer studime të shkëlqyeshme brenda dhe jashtë Atdheut. Shkuarja e saj edhe si u.d. Presidente në Shqipëri ishte e natyrshme, e nevojshme, por politikisht edhe e rrezikshme.

Pse e rrezikshme?

Sepse në Shqipëri ka një përqëndrim të pandërprerë, të gjatë mbi tri dekada, të politikës e të financave kosovare të lidhura me Lidhjen Demokratike të Kosovës, respektivisht me Qeverinë e Kosovës në ekzil, e njohur gjerësisht si Qeveria Bukoshi, ku ministri i parasë së mbledhur nga mërgimtarët tanë nëpër botë për buxhetin qeveritar, gjerësisht i njohur si Trepërqindëshi, ishte Isa Mustafa, tipi i cili pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, përmes diversioneve e makinacioneve eliminoi rivalët brenda partisë, përmes parasë bleu postin e të parit në partinë më të vjetër të Kosovës, më vonë, përmes pazarllëqeve me Hashim Thaçin e Kadri Veselin - edhe vetë pozitën e kryministrit!

Nuk duhet hequr nga mendja se Bujar Bukoshi e Isa Mustafa me paranë e kontributeve të shqiptarëve nëpër botë patën themeluar në Tiranë famozen Dardania Bank. Përmes saj, fraksioni i LDK-së, në marrëdhënie të ndera me qendrën në Prishtinë, lexo: edhe me Ibrahim Rugovën, në Tiranë pat blerë gjithë çfarë mund të blihej: bleu politikanë, bleu qeveritarë, bleu gazeta e gazetarë, bleu nga Radio Televizioni Shqiptar, gjysmëorëshin për lajmet e propagandën në favor më shumë të dyshes Bukoshi-Mustafa se sa të Kosovës vetë.

Le të shtoj se gjatë luftës në Kosovë nga qasja mediale tiranase, ishte vështirë të kuptoje nëse ajo shërbente kauzën e lirisë, apo bëhej e kundërta.

Duke përcjellë mbulimin medial të qëndrimit të Vjosa Osmanit në Tiranë, rigjeta isamustafizmin e vitit 1997 e të viteve të luftës e të pasluftës së Kosovës. Të gjithë ata gazetarë që kisha njohur nga paralufta, gjatëlufta e paslufta, aq të zellshëm në propagandë, në dezorientim, dezinformim, në shpifje e në destruksion, edhe sot më shëmbëllejnë me emra nga farë lista rrogash të shërbimeve sekrete serbe apo të aleatëve realë të tyre multimilionerë nga politika, nga bizneset e trafiqet shqiptare. Gjeta median e dikurshme të pa etikë e krejt njësoj, si dikur - të shitur!

Kështu del se edhe pas tridhjetë vjetësh Shqipëria vuan nga virusë të ndërhyrjes e të ndikimit të pandërprerë serb. Këtu edhe më tutje sheh se mafiozë politikë, mediatikë e financiarë nga Prishtina e nga Tirana tek koordinohen e sinkronizohen shkëlqyeshëm mesvete, njëherit edhe me mafian, me median e me politikën serbe. Krejt si dikur me Millosheviqin, tash edhe me Vuçiqin.

Le ta kujtojmë edhe një herë Edi Ramën e fillimit të mandatit të tij. Të atij Edi Rame që gjatë rendjes së tij të parë në Beograd pat folur një fjalë të madhe, nga e cila më vonë sikur u tremb dhe të cilën kurrë më as e përsëriti as e çoi më tutje.

Edi ka pritë kosovarë e ka vizituar kosovarë. Ai është parë duke i tallë prijësit analfabetë, mburravecë e karagjozë të Kosovës. Të gjithë e shihnin dhe njihnin epërsinë enorme intelektuale e politike të tij ndaj homologëve apo funksionarëve të tjerë të Prishtinës. Në Kosovë Edi Rama është parë me simpati edhe kur asaj ia tallte ronxhobonxhot e taravolat Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj.

Gjithçka ishte në rregull derisa Edi Rama, pa asnjë faj të saj, nuk nisi ta tallte edhe Kosovën.

Duke i parë fare inkompetentë udhëheqësit koosvarë, Edi Rama filloi ta anashkalonte deri edhe ta injoronte shtetin e ri kosovar në raportet e çuditshme të afrimit të Shqipërisë me Serbinë që s’mund të jetë tjerfare pos në dëm të Kosovës.

Edi Rama ka ndër këshilltarë të vet për çështjet rajonale, bizantinistin Shkëlzen Maliqi, i cili një pjesë të madhe të jetës e ka kaluar në Beograd dhe nëpër Serbi duke u marrë me vite të tëra me renovimin e freskave e të mozaikëve nëpër kisha e manastire ortodokse serbe e bizantine. I ati, Mehmet Maliqi, ministër famëkeq jugosllav i policisë në Kosovën e shtypur të vitit 1981, njeriu i bindjeve dhe i dogmës staliniste-titiste serbo-jugosllave, të birin e tij, qysh fëmijë, e kishte tërhequr nga shkolla shqipe në Rahovec duke e futur në klasat me mësim në gjuhën serbe. Serbo-jugosllavi Mehmet Qorri, siç quhej në popull, nuk besonte në perspektivën e shkollës e të shkollimit shqip. Prandaj, ai, pas fillores, e çoi të birin për shkollim në prestollnicën jugosllave. I biri që nuk shkruante dot shqip e që shqip shprehej me shumë vështirësi, më1982 erdhi nga Serbia në Kosovë si kuadër që do të kulturonte jugosllavisht e serbisht shqiptarët e rebeluar të Kosovës.

Qendra e Sorosit në Beograd Shkëlzen Maliqin e caktoi shef të degës për Kosovën. Si një përbuzës i identitetit kombëtar e kulturor shqiptar të Kosovës, si një urrejtës i shkëputjes së Kosovës nga Serbia, si një armik i idesë Kosova-Republikë, Maliqi, i biri i Mehmetit, kurrë nuk i këputi lidhjet me Serbinë e rinisë së tij. Provoi edhe me politikë, me UJDI-n jugosllav fillimisht e më pastaj edhe me krijimin e një partie socialdemokrate bashkë me disa nga mbeturinat e ish-regjimit serbo-jugosllav të Kosovës. Megjithatë, populli që e njihte në historinë e në njëmijë hilet e tij, nuk i dha kurrë votë!

Shkëlzen Maliqi do të mbetej vetëm një sorosist serb, po të mos e ngjallte kufomën e tij politike pikërisht Edi Rama, duke e zgjedhur këshilltar politik në kabinetin e tij kryeministror. Edhe në konferencën për shtyp të para gjashtë viteve në Beograd kemi mundur ta shohim këshilltarin e Ramës në muhabet të hareshëm e plot gaz me armikun e madh të Kosovës, të voglin e Millosheviqit, Ivica Daciçin. Kënaqësinë e flirtet me Serbinë, Shkëlzeni ia injektoi Edi Ramës, i cili në Kosovë më nuk ka miq të tjerë pos të shiturve tek shërbimet serbe e antishqiptare. Në Kosovën e mijëra të burgosurve politikë nga regjimi serb, Agon Maliqi, i biri i Shkëlzenit, besnikut serb të Edi Ramës, duke vazhduar traditën familjare prej pështjellaçësh, hopa! e paska shpallë disident babën e vet!…

Ekzemplari tjetër i perturbatorit me stazh të gjatë në servilizëm e spiunazh është Baton Haxhiu, një prej gazetarëve më të dobët shqiptarë të të gjitha kohërave dhe bashkëpunëtor i ngushtë në kohë lufte e në kohë paqeje me kryeshefin e UDB-së serbe. Ai hyn e del pa paralajmërim e pa iu trokitur në derë, si deri dje Hashim Thaçit, të cilin e Batoni i UDB-së e defiguroi e kompromitoi deri në shëmti, sikurse edhe te Edi Rama, i cili në fillimet e tij dukej si një shpresë e madhe për të gjithë shqiptarët.


Vjosa Osmani ka pa, sikurse edhe ne vrojtuesit pak më të përqëndruar, se derisa në Kosovë, po të mos kishte një opozitë të fuqishme siç është LVV dhe pjesa antiisamustafiste e LDK-së, si dhe po të mos ndjehej një revoltë popullore në ngritje, rreziku i zhbërjes së Republikës do të ishte krejt real. Zonja Osmani me gjithë mirëpritjen në Parlament të Republikës së Shqipërisë, me gjithë koordinimin solid me Presidentin Meta, ajo, sikurse ne, domosdo se e ka ndjerë edhe ftohtësinë tmerrësisht të çuditshme e të pakuptueshme të pritjes e të shmangies nga Edi Rama. Ajo, si dhe ne, pamë e vazhdojmë të shohim sinkronizimin e bartësve shumëvjeçarë të të këqijave politike Kosovë-Shqipëri.

Një pjesë e medias së Tiranës dhe një pjesë e politikës shqiptare shfrytëzuan shkuarjen e zonjës Presidente në Tiranë për të bërë propagandë në favor të pjesës së LDK-së të grabitur nga Isa Mustafa, aleati i kahmotshëm e sponzorizues i mafias politike e mediatike të Tiranës. Kjo medie që shërben politikën e përçarjes ndërshqiptare, duke e sharë në mënyrën më vulgare e më të turpshme e më të padinjitetshme një nënë, një mysafire, një zonjë në rolin kryesor në Republikën e re, ajo në fakt e alarmuar nga mundësia e zgjedhjeve të pritshme, sulmon fuqizimin e opozitës së vërtetë në Kosovë, figurë e madhe e së cilës është pikërisht Vjosa Osmani. Por ajo sidomos sulmon si diçka tepër të rrezkshme për ekuilibrat e vendosur mafiozë-politikë - rrënjosjen e idesë së Lëvizjes Vetëvendosje! edhe në Shqipëri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat