Gjurmët e humbura

Opinione

Gjurmët e humbura

Nga: Teuta Haxhijaj Më: 6 janar 2021 Në ora: 11:26
Teuta Haxhijaj

E lindur në një familje tipike të madhe dhe të njohur ne Podgur të Dukagjinit, e kisha fatin të rritem dhe të edukohem me traditat tipike të asaj ane. Po ashtu edhe nga dajtë, një familje në zá e Ramë Tahirit „islihat“ në kohën e tij, në kohë të Shqipërisë, me Col Bajraktarin e Uçës dhe Bardh Isufin. Si më e vogla në familje, shumë kureshtare dhe me pyetje të shumta, isha e përzgjedhura e mixhës Haxhi (burrë i njohur n’anën tonë, patriot dhe shumë herë i burgosur, tashmë në moshë të shtyer), të me merrte me vete, nganjëherë edhe në Oda të burrave, në t‘pame e në mbledhi tjera.

Po ashtu baba, një burrë që e kishte mbaruar «Normalen» dhe qysh atëherë e kishte vizituar Turqinë, pastaj Francën, Gjermaninë, Holandën e vende të tjera të Evropës perëndimore, më merrte me vete. Kur shkonte diku, e kishte zakon me m’thanë: «po t’marr se sheh najsen, ninë najsen, mëson najsen. T’gjindet qaty, jetës nuk i dihet. Senet per jetë nuk ki me mujtë m’i m’su n’shkollë, aty ke me marre veç nji zanat».

Me kujtohet kur isha diku 6-7 vjeçare, kur mixha Haxhi bashkë me babën Brahim temin, më morën me vete në nje varrim të një kushërini të largët të tyne. Pasi u krye ceremonia e varrimit, baba m’tha: «a ki qef me ditë cili është vorri i nanës Hylë (gjyshes tem)? Hajde t’shkojme qatje ma poshtë janë vorret tona, tha». Duke shkelë herë mbi një gur e herë mbi një tjetër, tu marrë n’thue herë mbi do dhé të ngritur pak ma lartë e do ma të rrafshuar, ecnim nëpërmes vorreve qe ishin pa asnjë rend dhe pa asnjë emër.

Disa ishin të shenjuar me gurë e disa me vetëm nga një kunj më të gjatë te kryet e një më të shkurtër te këmbet. Mbi njeërin kunj, në të shumtën e rasteve, qëndronte varur një tas plastike ose metali i kthyer përmbys. Dikur u afruam te disa vorre që po ashtu ishin shumë afër njëra tjetrës sa që e kishe veshtirë m’i nda bile. „Ky këtu është vorri i gjyshes tane, e qyky tjetri është i babgjyshit, e qai pak ma anej asht i motrës tane t‘vogël qe u dekë para se me le ti...! E ma anej nuk di as une, se vorri i babgjyshit tem, i gjyshes e të tjerëve janë rrafshu e nuk dihet as ku janë kanë. Janë rrafshu e nuk u kujdesë kush për to se shumë hoxhallarë gjithmonë kanë thanë se m‘i ndreqë vorret asht haram. E bile thojshin asht sevap i madh m‘u rrafshu vorri pa u bo motmoti e mos me u ditë as ku u kanë. E unë për shemull nuk muj e baj ispatë me kurgjo që gjysh e katragjysh kanë jetue n‘këtë vend. Me çka? S‘ka kurgjo, as t’shkrume e as t’shejume, as letra e as vorre. Nuk i viziton kush perveç Bajram’em Bajram sa për adet”. - Ne vitin 1966, - vazhdoi baba, i kemi vizitue do nipa t‘Saradranit që janë shkue n‘Stamboll dhe i kanë vizitu edhe vorret e atij vendi. “T‘knaqej syni mi pa, secili ma i rregulluem se tjetri, te shënuar me emna, të ku me ditë të sa gjeneratave më përpara.

Çudi që për ata, rregullimi i vorreve nuk ish haram, e për neve po”! Si shumë e vogël që isha, ajo pamje e vorreve zgjoi në mua një ndjenjë të tmerrshme të frikës, se ku po përfundojka njeriu. Me u harru pergjithmonë si mos me pas kanë kurrë. Ateherë nuk e dija se bash çka po mundohet baba me m’kallxu dhe fillova me kuptue pak vite ma vonë kur erdha në Gjermani. Jo shumë larg banesës ku banonim, ishin varrezat kryesore të qytetit. Ishin të rrethuara bukur me një mur jo shume të lartë dhe me shumë lule para derës e cila ishte e hapur, në të cilën ndodhej nje pllakë me mbishkrimin : « Ju lutemi të mbani qetësinë dhe respektin“. Nga kurreshtja, e cila rrallë m’ka lanë rahat, hyra brenda. Ishte aq bukur, si një lloj parajse mbi tokë. Me dukej se çdo lloj i mundshëm i lisave ishte mbjellur dhe po iu bënte hije atyre që pushonin pergjithmonë aty. Aq shumë lule e aq shumë gjelbrim.

Të renditura sipas familjeve, dhe disa tepër të vjetra, ishin të gjitha të rregulluara rend per rend Kulturë! Shekuj! Histori! Kultura e lashtësia e një populli shihet në varresat e tij, e kur ato shkatërrohen, shkaterrohen shenjat e tij, historia, e kaluara, dinjiteti i tij. E ne kurrë nuk kemi ditë me ruajtë atë çka ka qenë e jona, por ama, ne gjithmonë kemi ditë me shkatërrue, me injorue, tjetersue e me shkelë me te dy këmbët identitetin tonë kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat