Dinamika e re politike në krye me Albin Kurtin

Opinione

Dinamika e re politike në krye me Albin Kurtin

Skënder Mulliqi Nga Skënder Mulliqi Më 17 shkurt 2021 Në ora: 23:22
Albin Kurti

Fitorja bindëse e Albin Kurtit në njërën anë së bashku me fitoren e Vjosa Osmanit në anën tjetër, përballë PDK, LDK dhe AAK , ishte lajmi më i mirë për popullin e Kosovës, pas shumë vitesh. Natyrisht se kjo fitore nuk është pritur mirë nga Beogradi zyrtar. Nuk është pritur mirë pse dialogu do të jetë krejt më ndryshe, nuk do të bëhet sipas agjendave të shovinistit serb, Aleksandar Vuçiq. Dialogu siç e ka thënë edhe kryeministri i ri , Albin Kurti, nuk do do të jetë prioritet i organeve të reja shtetërore te Kosovës.

“Dialogu me Serbinë është në vendin e gjashtë apo të shtatë”, kishte deklaruar Kurti, e që dialogu nuk do të zhvillohet pa njohje reciproke. Dialogu në Bruksel dhe në Uashington do të zhvillohet pa lëshimet e deritashme karshi palës serbe. Nuk do të diskutohet për “Zajednicën” me kompetenca ekzekutive , që do të ishte një tjetër “Republika Srpska” brenda Kosovës.

Sigurisht se Kosova me ardhjen në pushtet të forcave përparimtare do të këtë pozicione shumë më të favorshme se deri me tash, edhe për faktin së në krye të Amerikës, ka ardhur demokrati, Joe Biden.

Ofensiva diplomatike e Kosovës do të jetë në qendër të vëmendjes, për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial. Një poen shumë i rëndësishëm në këtë drejtim, ishte edhe pranimi i pavarësisë nga ana e Izraelit, si rrjedhojë e Marrëveshjes së Uashingtonit. Në rritjen e atmosferës së mirë politike pos fitores madhështore, pa dyshim së ka ndikuar edhe fitorja e Joe Bidenit. Shqiptarëve ju janë shtuar shpresat për integrime evropiane , ju janë shtuar shpresat edhe për inkuadrim në KB. Sikurse që janë shtuar shpresat që Amerika më të gjitha kapacitetet do të jetë shumë e pranishme në rajonin e Ballkanit, për dallim nga ish-administrata e Trumpit. Këto shpresa tona kanë bazë reale.

Në Kosovë siç dihet ishin këto zgjedhjet e pesta të jashtëzakonshme nacionale, e të cilat pas një kohë të gjatë sollën një vetëdijësim të lartë të popullatës, që më kurrë mos të votohet bllanko. Kësaj radhe fitojë alternativa e mirë politike përballë forcave të demoduara dhe reaksionare politike, të cilat vendin e sollën në pozitë të pa mirë politike dhe në pozitë shumë të dobët të rrjedhave ekonomike e sociale. Këto zgjedhje më të drejtë shpresojmë së do të hapin horizonte të reja për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Do të sjellin një dinamike të re politike që nuk e kishim. Kjo dinamikë politike besojmë se qysh në start do të japë frytet e para, në krye më kryeministrin, Albin Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat