Humbësit e këqinj!

Opinione

Humbësit e këqinj!

Nga: Lirim Begzati Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 13:06
Lirim Begzati

Nuk kishte ndonjë dilemë se kush do t’i fitojë zgjedhjet në Kosovë. Dilema nuk mungonte as për atë se, pas zgjedhjeve, “humbësit” do të shpalosin elemente revoltash e mllefesh, nga më të ndryshmet, me vend e pa vend!

Ndodhi pikërisht kjo. Krahas kritikave, injorancës dhe thashethemeve, brenda një kohe shumë të shkurtër u shpalos edhe një listë e gjerë kërkesash nga ana e “humbësve”, e cila përfshinë, në mes tjerash, edhe “sugjerimet” se si duhet të veprojë dhe çka duhet të bëj tani qeveria e ardhshme.

Në listën e tillë, siç duket, figurojnë një sërë kërkesash të cilët “humbësit” nuk kanë arritur që vetë t’i realizojnë që me dekada te tëra, për të cilat ata vetë kanë dëshmuar disfata të njëpasnjëshme!

Vërehet se kjo dukuri është e shoqëruar me vënien në dyshim të aftësive dhe kompetencave të atyre që i fituan zgjedhjet, duke u munduar me gjetur mangësitë tek dikush tjetër, dhe natyrisht duke i harruar mangësitë e veta!

Nuk u vonua pra shprehja e njëfarë morali politik, për me i’a treguar rrugën dikujt se nga duhet me ia nisur dhe kah duhet me shkuar. E janë pikërisht disa nga kritikuesit dhe këshilluesit e tillë, ata të cilët e humbën diku drejtimin, ata të cilët kanë trasuar një rrugë të ashtuquajtur “qor sokak”. Nejse, janë sende që ndodhin në politikë!

Është kuptuar se edhe “humbësit” duhet të vazhdojnë punën e tyre, dhe askush nuk ka të drejtë t’iu ndalë këtë. Bile kështu janë duke vepruar disa nga to, krahas kohës që i’u merr tyre kureshtja e treguar ndaj shprehjes së pesimizmit karshi punës së qeverisë së ardhshme.

Përmes reformave në partitë e tyre, iu mbetet pra një punë e madhe, nëse synojnë që një ditë t’ia rifillojnë nga e mbara! E gjithë kjo do të ishte më e dobishme për to, do të ishte më e kuptueshme në qoftë se do t’iu përkushtoheshin më tepër punëve të tyre të brendshme se sa punëve të brendshme të dikujt tjetër!

Kërkesat, sugjerimet, propozimet i takojnë regjistrit të lirisë dhe demokracisë. Mirëpo, është momenti i zgjedhur dhe stili i shprehjes së tyre, ata të cilat pengojnë dhe nuk lënë fatkeqësisht hapësirë për një perspektiv që do t’i shkonte përshtati shijes së bashkëpunimit konstruktiv dhe të nevojave të interesit të gjithmbarshëm të vendit.

Ata që i humbën zgjedhjet kanë pasur një kohë të gjatë në dispozicion për me u dëshmuar se si duhet punuar, por fatkeqësisht nuk i’a arritën që t’i realizojnë synimet e tyre! Ndoshta pasi që objektivet e tyre kanë qenë në rrugë të gabuar apo të fokusuara në prioritete të tjera, e jo aq sa duhet në interes të vendit dhe të kërkesave legjitime të popullatës.

Është demokracia ajo e cila e dëshmoi këtë, duke e sanksionuar ashpër punën e tillë. Sot, është pikërisht akti demokratik i votës së lirë ai cili duhet respektuar pa rezervë, e jo të futet në diskutabilitet në emër të disa pazarllëqeve politike të cilave iu ka dalur boja! Sfidat e shumta që e presin vendin janë me siguri tejet alergjike ndaj akteve dhe kalkulimeve politike të papërgjegjshme!

Nuk dyshohet se disa nga “humbësit” dëshirojnë edhe sot e kësaj dite t’a mbajnë epitetin e faktorëve të rëndësishëm në reformat e shumta që e presin vendin. Kjo hipotezë do të ishte plotësisht e pranueshme, nëse në kuadër të reflektimeve të tyre do të integrohej një ndërgjegje më e theksuar politike dhe pranimi i faktit se gjendemi tani përballë një ndryshimi të madh dhe një realiteti të ri.

Fundja, legjitimitetin se si duhet vepruar sot e mbanë shumë më tepër rezultati i demokracisë dhe nevoja e prosperitetit të vendit, se sa zëri i një humbësi të dëshpëruar !

Dëshira do të ishte që t’i bëhet një abstraksion asaj që dëgjohet në qarqet që e ndjejnë nevojën të shprehin diçka që reflekton shkallën e tyre të dëshpërimit pas një humbje.

Fatkeqësisht, në konfiguracionin aktual politik të Kosovës, nuk është aspak e imagjinueshme që të bëhen reformat e pritura, pa një bashkëpunim konstruktiv në mes të komponentëve të ndryshme që e përbëjnë shoqërinë kosovare.

Disa përvoja të hidhura të së kaluarës tregojnë se shmangja e një rrethi vicioz paraqitet si një domosdoshmëri e kohës. Do te ishte një iluzion nëse mendohet se proceset e mëtutjeshme mund të zhvillohen ndryshe, pa kompromisin dhe pa mençurinë e duhur.

Për ju që e ndjeni vetën si “humbës”, nuk duhet me u mërzitur pasi që ndoshta ka me ju ardhur dita që edhe ju të fitoni sërish, por mos harroni se “për të qenë një fitues i mirë duhet të jesh edhe një humbës i mirë”, një thënie kjo e Mika Hakkinen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat