Ai e hëngri byrekun, por tepsia mbeti aty!

Opinione

Ai e hëngri byrekun, por tepsia mbeti aty!

Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi Më 1 mars 2021 Në ora: 12:27
Edi Rama

Ai e nisi nga e para, sipas bindjes se historia fillon pas tij! U shfaq në mënyrë atipike! Nga diktatorët dukej nga paraqitja se pëlqente Fidel Kastron! Diktatori komunist kishte ardhur në pushtet me sagën e "satrapit Zog"! Ky erdhi me logon e "gogolit Berisha" dhe ende e përdor kundërshtarin e tij si gogol! Ndërsa vetë u bë satrap, cikllop, kuçedër, gjarpër dhe djall i zi"! Me gogolin thjesht tentoi të maskonte veten!

Ai u nis nga bashkia për të shkuar nja 700-800 metër tutje, në kryeministri! Jo për të vënë ndonjë tullë mbi themelet e shtetit, por për t'ia hequr edhe ato pak tulla që u vendosën pas rënies së regjimit diktatorial! Nuk vuri asnjë tullë në këto themele. Përkundrazi filloi t'i heqë një e nga një që ditën e parë të qeverisjes. Atë ditë ai i tha kreut të shtetit se "shteti jam unë"! Shumica nuk e kuptuan mesazhin e tij atë kohë. Nuk priti të vinte mbrëmja e asaj dite dhe vendosi në zyrën tij e në zyrat e shtetit foton e Ismailit! Në fakt e urrente Ismailin, se i dukej që nuk e arrinte dot! Prandaj e imitoi me mjekrën e bardhë, si të Sandër Prosit! Sot askush, as bashkëpunëtorët e vet nuk kanë më ndonjë dilemë se ai është e kundërta e Ismail Qemalit!

Gjatë kohës si kryebashkiak i Tiranës hëngri sa mundi byrek në tepsinë e kryeqytetit! Tash e tetë vite si kryeministër ka gëlltitur byrekun e 61 tepsive në 61 bashki. Të gjitha i ka të vetat! Edhe Shkodrën e ka të tijën, sepse ka këshillin bashkiak me përfaqësues të tepsisë që kërkoi në 2017-ën. Pasi hëngri byrekun e nonës Tironë, filloi të thotë se e gjithë Shqipëria për të është "tokë e xanun"! Tokë e xanun për atë vet, për oligarkët e tij, për bashkëpunëtorët, për analistët dhe televizionet lëpirëse, për mediat e veta të shkruara, për shërbëtorët, batalionet dhe brigadat tij të rrjeteve sociale! Të gjithë këtyre u dha diçka nga byreku i tepsisë së madhe prej 28748 km katror të Shqipërisë, e që në gjuhën tonë quhet buxhet shtetëror!

Por ai mund të hante vetëm byrekun. Tepsia është aty. Atë nuk mund ta hante. Ndërkaq pasi hëngri byrekun, filloi të heqë tullat e furrës ku ai piqet! Fillimisht hoqi tullat e shtetësisë. E nisi me tullën që garantonte drejtësinë. E la vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Pastaj ia hoqi tullat një pas një Kushtetutës. Dhe u pa fare qartë se Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e lartë i eliminoi për të shkatërruar Kushtetutën e vendit. Vetëm në kohën e diktaturës dhe të diktatorit, Shqipëria nuk kishte Gjykatë Kushtetuese e ndërkohë kishte një Kushtetutë formale, por jo kaq formale sa është sot! Pra mungonte një prej shtyllave të të bërit drejtësi në këtë vend. Pastaj erdhi ai dhe bëri të njëjtën gjë. Se e donte tepsinë me gjithë byrek për veten e tij. Njësoj si diktatorët!

Shtyllat e shtetësisë bazohen në pavarësinë e pushteteve dhe balancën midis tyre. Por ai provokoi për më shumë se 5 vite opozitën. U tall me të. Çfarë nuk tha, çfarë nuk shpifi për të. Të keqen e retorikës së diktatorit me Ballin Kombëtar dhe Legalitetin në fund të luftës e në fillim të instalimit të diktaturës komuniste! Ai është ku e ku më lart në luftën speciale kundër opozitës!

Në fillim u tall kur opozita tha se ai transportonte drogë me avionë të vegjël. Tha se opozitës mushkonjat e Divjakës u duken avionë! Por deshi Zoti dhe e zbuloi lakuriq me Firmaton e tij! U tall me opozitën kur ajo tha se ai kishte 19 kriminelë në radhët e deputetëve! Por pastaj doli i nxirë, kur gjithçka u faktua. Dhe në shenjë hakmarrjeje vazhdoi të heqë tullat e bashkëpunimit me kundërshtarët e tij politik. Sepse byrekun donte të gjithin i vetëm.

Dhe ia arriti që një ditë ta detyrojë opozitën të ikte nga parlamenti. Prej këtij momenti e gjithë tepsia e byrekut i mbeti në dorë. Nganjëherë nuk dinte ç'të bënte me të. Por pastaj e vendosi: Kishte marrë drejtësinë në dorë dhe tani do merrte parlamentin. Por jo me 140 deputetë sa duhen me Kushtetutë. I mjaftonin edhe 122 deputetë për të bërë ligjet e tepsisë, me qëllim që byrekun ta ndante "me ligje" speciale për miqtë e tij oligarkë. E nisi me Fushën dhe e bitisi me Kastratin. Nëse ne e lemë pas 25 prillit, nuk dihet se deri ku do të shkojë me turravrapin e tij për ta shkatërruar pushtetin e shtetësinë në këtë vend. Se nuk ka shtetësi pa institucione.

Ai i shkatërroi të gjitha institucionet, derisa më 30 qershor 2019 i mori edhe të gjitha bashkitë. Institucioni tashmë është vet ai. Ministritë, komitetet, gjithçka që formëson është thjesht një formalitet! Kushtetuta është vetë kryeministri! E drejta është Ai, kryeministri! Ligji është po ashtu kryeministri! Pra, i gjithë pushteti është në duart e tij! Të tjerët duhet të bëjnë "amin"! Ndërkohë ai hiqet si baba i kombit, por për ta shkatërruar këtë komb! Ne "fëmijët" e tij duhet të bindemi verbasi e të sodisim se si ai ia heq këtij shteti një e nga një të gjitha tullat e godinës shtetërore!

Ai di të shkatërrojë, por jo të ndërtojë! Shkatërroi teatrin kombëtar! Sepse dëshiron të ndërtojë kulla së bashku me mafien! Ai shkatërroi jetën e qytetarëve të vet, që të lulëzonte jeta e mafiozëve, kriminelëve dhe të korruptuarve në këtë vend. Ai përpiqet të shkatërrojë moralin e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit, duke i dhënë vlerë grabitjes, rrënimit, vjedhjes, korrupsionit!!

E ndërkohë, sot ai u flet shqiptarëve sikur nuk ka ndodhur asgjë në këto tetë vite! Por tashmë është i vonuar. Mesa duket pasojat e Covid-19 ishin pozitive. Ka shtuar në memorien e shqiptarëve disa MB e GB për t'i risjell në kujtesë sa e sa prapësi dhe akte anti-ligjore e anti-shtet të tijat! Kësaj i thonë se byrekun e hëngre ai, por tepsinë nuk mund ta hante. Tepsia është aty! Faktet janë aty! Nuk munden të të justifikojnë as televizionet e analistët e blerë, as mediat që i lëpihen, as fjalimet me retorikë batutash, as shfaqjet teatrale dhe as Instituti i Fabrikimit të Shpifjeve, Rrenave dhe Ushtrimit të Propagandës së tij, ngritur në godinën e kryeministrisë!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat