Shembja e komunizmit, pa ndryshimet e pritura

Opinione

Shembja e komunizmit, pa ndryshimet e pritura

Nga: Merxhan Jakupi Më: 4 mars 2021 Në ora: 16:14
Merxhan Jakupi

Popujt në Evropën Juglindore, në epokën e Kampit komunist, ishin të robëruar e në geto. Pas shembjes së komunizmit dhe ngritjes relative ekonomike, u liruan nga këto shtrëngime dhe i mësynë drejt botës Perëndimore. Turistët rusë pushtuan plazhet e Detit Mesdhe, sidomos rivierat e Turqisë, Egjiptit dhe Tunizisë, por edhe të Karaibeve, të Kubës e të vendeve të tjera. Në rivierën turke dhe të Tunizisë kam pasur rastin të takoj shtetas rusë që kishin ardhur nga stepat e Uralit, apo të Siberisë, 5-7 mijë kilometra larg. Në bisedë me ta konstatova se ata nuk e njihnin fare jetën në botën Perëndimore, vlerat e saj dhe virtytet demokratike. Shumica sish kishin paragjykime, egocentrizëm dhe ksenofobi ndaj SHBA-së dhe BE-së.

Në anën tjetër, kam miq rusë dhe kolegë pune në Zvicër, të cilët dallohen për të mirë në aspektin e miqësisë dhe qytetërimit. Shumica e emigrantëve rusë rrallë herë shkojnë për pushime në Rusi. Një koleg i punës rrëfente se në Rusi mendonin se pas shembjes së komunizmit do të jetojnë në një shoqëri demokratike, pluraliste dhe do të kishin synim bashkimin me Evropën, sikundër që e bënë polakët, çekët, sllovakët e disa popuj të tjerë lindorë. Por kjo, për fatin e keq, nuk kishte ndodhur.

POLITIKA E FRIKËSIMIT ME "ARMIQ TË JASHTËM"

Pas shpikjes së vaksinës ruse "Sputnik", presidenti rus Vladimir Putin këtë e ka politizuar, duke e quajtur një ndër sukseset dhe arritjet më prestigjioze në botë. Moska konsideronte se ka fituar reputacion të madh, më së shumti në shtetet me demokraci të brishtë dhe shtetet totalitare e autoritare. Por pas burgosjes së liderit opozitar Aleksej Navalny, Putin ka humb reputacionin dhe kredibilitetin që mendonte se e kishte. Po ashtu, presidenti Putin ka shfaqur shqetësim dhe frikë nga revolta dhe pakënaqësitë e shumë qytetarëve dhe të rinjve në Rusi, që shumica e shohin të ardhmen për ikje nga vendi dhe shkuarjen në vendet e Perëndimit.

Kremlini vazhdon propagandën, mllefin, kritikat dhe zullumet nëpër mjetet e informimit, gazeta dhe portale, sikur në periudhën e ish-Bashkimit Sovjetik, duke vazhduar me të njëjtat leksione, fraza dhe slogane se armiqtë e jashtëm, së bashku me opozitën, duan ta destabilizojnë e dobësojnë Rusinë. Synimi i armiqve perëndimorë qenka që, sikundër ish-Bashkimi Sovjetik, edhe Federata ruse të pësojë të njëjtin fat dhe skenar të shpërbërjes. Presidenti Putin pohoi se Perëndimi dhe popujt, sidomos ai anglo-sakson kanë pasur ruso-fobi dhe urrejtje shekullore ndaj popullit liridashës rus. Sipas tij, Rusia është e fortë, ka ndërtuar infrastrukturë, hekurudha, autostrada, aeroporte në gjithë vendin, që nga Kaliningradi deri në Ural dhe Siberi. Rusia është lokomotiva ekonomike që e lidh euro-azinë me gjithë shtetet e tjera të Lindjes. Po qe se SHBA dhe BE vendosin sanksione ndaj Rusisë, pas shtypjeve të demonstratave dhe burgosjes së liderit opozitar, Aleksej Navalny, kanë paralajmëruar sanksione të ashpra, edhe ajo do t'ua kthejë me të njëjtën mënyrë, me sanksione reciproke ndaj Uashingtonit dhe Brukselit.

Administrata e re amerikane dhe presidenti Xho Bajden janë revoltuar me shtypjen dhe shkeljen e lirive dhe të drejtave universale qytetare. Këto sanksione do t'i shkaktojnë pasoja të rënda ekonomisë ruse. Xho Bajden ka akuzuar Kremlinin se mes agjentëve të tyre ka bërë manipulime në zgjedhjet e vitit 2016 dhe ka bërë aneksimin e Krimesë. Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov ka qenë më i ashpër, duke folur me një gjuhë urrejtjeje dhe ksenofobie. Lavrov ka thënë për një gazetë perëndimore, nëse BE-ja vendos sanksione të ashpra për ta dëmtuar ekonominë ruse, do të ndërpres të gjitha marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike.

Së këndejmi, ka shtuar Lavrov, më humbëse do të jetë BE-ja sesa vetë Rusia. Gjermania ka më se 400 kompani, me Porshe dhe Mercedes, që do të duhej pastaj të orientohen për në Afrikë dhe Amerikën Latine. Po ashtu, diplomati rus, Lavrov, ka folur me kërcënime, duke theksuar se Rusia do të vazhdojë t'i kthejë territoret e humbura, që i dolën nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik. Sipas disa politologëve, ultimatumi i Lavrovit dhe Putinit është retorikë për matjen e fuqisë së pushtetit. Rikthimi dhe aneksimi i ish-republikave sovjetike është një iluzion dhe utopi. Estabilishmenti, oportuniteti dhe diskursi politik i Kemlinit është për të fituar popullaritet dhe reputacion. Presidenti Putin, pas përfundimit të mandatit në vitin 2024, synon të mbetet në pushtet edhe në periudhën e pastajme.

SERBIA DHE RUSIA ME POLITIKË IDENTIKE

Historiani Martin Aust Gierman shkruan se pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe humbjes së ish-republikave sovjetike, Rusia është kthyer në periudhën post-imperialiste. Pas forcimit dhe daljes në skenën globale, Moska ka filluar me aspiratat hegjemoniste dhe ekspansioniste, sikundër që ishin paraardhësit në Rusinë cariste dhe kripto-komuniste e bolshevike, për të vazhduar aneksimin dhe sundimin mbi popujt e tjerë.

Sipas historianit Martin Hust, ekzistojnë tre skenarë: i pari, pas Bjellorusisë, Rusia do të vazhdojë të aneksojë provincat e shkëputura nga rebelët në Abhazinë e Jugut, provincën e shkëputur të Moldavisë dhe territoret e pushtuara të Ukrainës Lindore, ku kryengritësit dhe rebelët mbahen nën kontrollin rus. Në këtë kontekst, Rusia nuk ka pretendime ndaj shteteve Baltike, ndonëse aty jetojnë edhe minoritetet ruse. Rusia është duke vazhduar, sikurse Serbia në ish-republikat jugosllave, ndaj të cilave ka aspirata kudo ku jetojnë serbët, për të krijuar "Serbinë e madhe".

Skenari i dytë, konsiston në atë mundësinë për përsëritjen e ndonjë versioni të ngjashëm me ish-Bashkimin Sovjetik. Rusia duke vazhduar gjeostrategjinë politike dhe ushtarake, sikundër paraardhësit e saj, Rusia Cariste dhe Bashkimi Sovjetik, mund të pësojë edhe shpërbërjen e Federatës ruse. Skenari i tretë, pas putinizmit mund të vijë një lider i ri pro-evropian, liberal, që do të bënte ndryshime në një drejtim pro-perëndimor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat