Ky do ta bëjë drejtësinë?!

Opinione

Ky do ta bëjë drejtësinë?!

Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. As. Dr. Enver Bytyçi Më 4 mars 2021 Në ora: 19:56
Edi Rama

Çfarë tha?! "Ma jepni mandatin e tretë që ta përfundoj reformën në drejtësi"! Ky që për tetë vite bëri vetëm padrejtësi dhe në asnjë rast nuk bëri drejtësi, ky pra, ky kërkon tani një mandat tjetër "për të bërë drejtësi"! O tempora o mores! Ky nuk ka as cipë, as nder, as moral! Ky bën sikur është "i virgjër", kur në tetë vite është zënë me qindra herë në flirte pa fund të korrupsionit dhe padrejtësisë!

Ky do të bëjë drejtësi?!!! Vërtet e beson dikush?!!! Vërtet ka nga ata që mendojnë se ky ka sensin dhe sentimentin njerëzor të drejtësisë?!!! Nëse beson këtë, atëherë duhet të besosh se "toka është e sheshtë" tamam si tepsia e këtij. Se dielli rrotullohet rreth tokës dhe jo e kundërta! Se galaktika rri në ekuilibër për shkak të këtij që betohet se "do të bëjë drejtësi", mbasi e shkatërroi shtetin e së drejtës! Aman, nëse beson këtë, atëherë besoje edhe se dita është natë dhe nata është ditë. Por edhe në I besofsh të gjitha këto që thashë më lart, mos e beso kurrë se ky bën drejtësi! Ky është sinonimi i mashtrimit dhe kulmi i paturpësisë!

Kush do ta bëjë drejtësinë? Ky që bashkëpunon me kriminelët për të shkatërruar shtetin ligjor?! Ky që merr në mbrojtje bosin e sipërmarrjes më të madhe të trafikut drogës, Sajmir Tahirin dhe dënon me burg një konsumator ordiner të saj! Ky që dënon mijëra njerëz pse nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë elektrike dhe paratë e tyre i merr e ia jep një oligarku të vetëm, për t'i ndarë me të?!

Ky do të bëjë drejtësi?! Ky që "ua sharron këmbët gjyqtarëve dhe prokurorëve", nëse ata dënojnë ndonjë anëtar të familjes së rilindjes që merret me kriminalitet?! A mund të bëjë drejtësi një si ky që përmes një projekti politik mbjell kanabis në të gjithë Shqipërinë, vetëm e vetëm që të krijojë rezerva të bollshme monetare për blerjen e zgjedhësve e të votave? Para një jave isha në një nga zyrat e postës në kryeqytet. Erdhi një person krah meje dhe i kërkoi punonjëses 50 kuponë për 50 karta identiteti. Ku i çon? - i tha punonjësja. Nëse ti dëshiron një kupon për vete na merre. Ndoshta dhe dy e tre për pjesëtarë të tjerë të familjes. Por jo 50. Iku. U largua pa folur asnjë fjalë. Ndoshta ka gjet ndonjë shitës tjetër kuponësh.

Por ama askush nuk mund ta besojë se ato 50 kuponë nuk ishin sponsorizuar nga një parti politike e interesuar për manipulimin e zgjedhjeve. Askush nuk mund ta besojë se kjo parti nuk është rilindja vet, e cila është kapur tashmë në padrejtësinë e grabitjes së votave me të gjitha format! Dhe ti pret drejtësi nga ky, lideri i rilindjes?! Mos e thëntë Zoti t'ia japësh votën këtij përbindëshi, që me fjalë hiqet si Krishti e Muhamedi dhe me vepra është si vet djalli!

Kush do të bëjë drejtësi? Ky që në vend të dënonte autorët e veprës penale në dosjet e denoncuara nga BILD, kapi dhe burgosi disa komisionerë të opozitës?! Sikur ishin ata që bridhnin me thesin e parave për blerje votash e nuk ishte ky bashkë me deputetë të tij, me kryetarë bashkish të rilindjes dhe me grupet kriminale të instaluara si mjete të marrjes së pushtetit me dhunë e me forcë! Do bëjë drejtësi ky që bashkëpunëtorët e tij në krim i nxjerr nga dritarja dhe i fut brenda nga dera e rilindjes?!!! Vangjushi hyn dhe del çdo ditë në zyrën e kreut të bashkisë në Durrës! Ndërsa ky thotë se e ka larguar! Ai është anëtar i kryesisë së PS-së, ndërkaq ky thotë se "nuk ka lidhje me të"! Të tjerë Vangjushë, ndonëse rrinë në hije, bëjnë ligjin në pushtetin e rilindjes. Ky do t'i zëvendësojë disa kriminelë me bijtë e tyre, thjeshtë se këta, bijtë, nuk kanë tre-katër e pesë emra. Por asgjë nuk do të ndryshojë në lidhjet e krimit me rilindjen. Dhe mund të besosh ti pastaj se ky "bën drejtësi"?!!! Drejtësi me kriminelë?!! Ka ndodhur kjo ndonjëherë në historinë e njerëzimit?

Ky nuk mund të bëjë drejtësi. Sepse ky nuk mund t'i shkëpusë lidhjet me trafikantët, me kriminelët dhe oligarkët. Sepse ky është i kapur. Sepse këtij nuk i vjen keq për të vobektin, por i shërben të fortit. Sepse ky i shkel me këmbë ata që mundet t'i vë poshtë vetes. Por u ikën atyre që ia kthejnë reston. Sepse ky nuk ka parime, nuk ka moral, nuk ka as ndjenja njerëzore! Për pasojë këtij as i shkon mendja të bëjë drejtësi.

Thjeshtë thotë "Ta hajë kush ta hajë"! Të mashtrohet kush të mashtrohet! E nëse ti mashtrohesh për të disatën herë nga ky që drejtësinë e ha çdo ditë përshesh me kaçamak, atëherë nuk është faji i këtij! Është faji yt se të pëlqen të jetosh me gënjeshtra, mashtrime dhe ëndrra të bukura si përrallat me llampën e Alajdinit! Pra, ky është në kuadratin e vet të mashtrimit e të mashtruesve. Të takon ty të mos mashtrohesh, të mos besosh përrallën "Ujku dhe qengji" dhe të vetëdijesohesh se vota është e shenjtë, nuk është lodër në dorën e këtij!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat