Thikë e vjetër dhe flijim i ri!

Opinione

Thikë e vjetër dhe flijim i ri!

Më: 8 mars 2021 Në ora: 12:13
Rex Kasumaj

1.
Ideja e marrëveshjes historike me Serbinë është më e vjetër se pavarësia e Kosovës. Fill i saj shkon herët. Qysh në plenumin e IV të LK të Serbisë, maj 1968, Dobrica Qosiqi parashestonte kirurgjinë gjeopolitike. Pas një shurdhimi dekade, do të shpallte hapur vitesh 80-të prerjen e trupit të saj.

Një kompromis ose "Fauler-kompromiss" (i ndyrë) rezultoi dhe pjesë e bisedave të tij, tashmë President i Jugosllavisë së tretë, me përfaqësues karriere e të dërguar amerikanë në fillimvitet 90-të, të turbullta si vetë horizonti i Kosovës.

Në një prononcim lamtumirës, ambasadori amerikan Zimmerman, mbështeste "autonominë substanciale". E kujtoj si sot editorialin e tij ekskluziv në shtypin e atëhershëm të Prishtinës. Por në takime pune, si do rrjedhojë më pas nga rrethi i afërt i Qosiqit, preferonte ose status të federuar ose ndarje të Kosovës. Dhe pjesa shqiptare, pastaj, do kishte të drejtën e bashkimit me Shqipërinë. Mandej, gjatë luftës, do të rreshtohej kundër bombardimit dhe, në revistën "National Interest", përsëriste tezën, pak të reviduar: vetëm ndarje të Kosovës!

Rikoncipimin federal të Jugosllavisë së tretë ku Kosova do ishte një subjekt i tretë konstituiv, në fakt, më parë se ai do t'a hidhte në tregtizën politike Ivan Gjuriq. Ishte viti i largët 1990 dhe profesori parisien i historisë kandidonte për president në farsën e zgjedhjeve shumëpartiake të Serbisë.

Por dhe kjo thirrje do t'injorohet përbuzshëm ndër ata që, dhjetë vjet më vonë, do të firmosnin kapitulimin e Kumanovës.

Ndërkohë, sipas burimeve serbe që i referohen shefit të kabinetit Ivan Mërkiq, Eprori Qosiq do ia prezantonte idenë e hershme vetë Millosheviqit të pushtetshëm. Madje, me sugjerimin se për këtë, viti 1992, paskësh dhe një dakordësi preliminare me Ibrahim Rugovën. Veçse pa e vënë ende në tryezë statusin e fundmë të Kosovës. Ndarja, botuar dhe në gazetën italjane "Limes" (po ky vit, 1992) do ishte: tridhjetë përqind e territorit (zona lindore e qendrore) do mbetej në Serbi, e pjesa tjetër shqiptarëve.

Kurse, sa fisnik, Stiven Majstoroviq, politolog në Universitetin e Kolorados, në flakët e luftës, viti 1998, do të tregohej më dorëlirë: serbët do mjaftoheshin vetëm me një të katërtën e territorit të Kosovës së ndarë. Ishte inkurajuar, sigurisht, nga statusi i autonomisë që Rugova, njëj dite me diell të pafajshëm Prishtine, firmoste përulshëm me M. Millutinoviqin, kryetar i Serbisë.

Rikthimi i idesë pas një dekade, do të bëhej shkak i rënjës së Atit shpirtëror serb. Sllobodani që kishte prekur qiellin e fuqisë politike, doli kundër saj dhe konstelacioni i forcave kje i tillë që ai të triumfonte.

Ndërkohë, anipse koncept i rrëzuar, eksperti i urbanistikës akademiku Branislav Kërstiq ngulmonte. Tashmë kishte gatitur dhe planin e hollë të ndarjes që bënte Kosovën copë e grimë.

Ishte viti i prakluftës 1996 dhe (sërish sipas shtypit serb të kohës) fuqimëdhenjtë ndërkombëtarë refuzuan mundin e tij. Por ai, anise i tronditur për humbjen, do shfaqej sërish konzistent në vitin 2001. I ndjekur më pas nga historiani e diplomati D. Batakoviq, tani pledonte një zgjidhje të moderuar: kantonizimin zvicëran të Kosovës. Porse bashkë me ta, do vdisnin dhe planet e tyre të pafat...

2.
Pastaj ndodhi lufta. Dhe shqiptarët menduan: në vend të tokës, dhamë gjakun si tagër për pavarësinë. Mirëpo, për kanceleritë e mëdha kalvari, morti, gjaku e lotët janë romantikë. Nuk lëvizin dot lokomotivën e rëndë a rezonin akullor të tyre.

Të zgjëruar tri herë në hapsira jetike të popujve përreth (si pohon vetë transmigruesi Drashkoviq, ky shoven i errtë e liberal mashtrues), serbët kishin absolvuar këtë shkollë. Brutale dhe e padrejtë gjithsesi, por kjo është bota.

Ndaj dhe do rifillonte turri, tashmë i vështirë e deshpërues, për t'a mbajtur a reintegruar Kosovën, aty ku ishte delegjitimuar e shuar shteti serb.

Konferenca e sigurisë për Europën juglindore që mbahej në Belgrad, viti 2001, kje rast i mirë. Dhe koordinatori i Zyrës për Kosovën N. Çoviq, i pari pas luftës, do hidhte në qarkullim projektin e Kosovës dyentitetare.

Këtë dëshmonin dhe depeshët që publikonte WikiLeaks i vitit 2010. Raportohej se diplomatët amerikanë ishin vënë në dijeni me intencën e rifrymuar të liderëve belgradas: serbët në veri të Ibrit nuk do njohin autoritetin shtetëror të Prishtinës.

Ishte Premieri Gjingjiq, një skofjar i rremë europeist, i vrarë më vonë nga "beretat e kuqe", që do ndiqte me alarm gjurmët e pararendësve. Tre vjet pas zbarkimit çlirimtar të aleatëve, i shkruante me ngut një Letër Premierit brit Tony Blair. Ishte i shqetësuar. Koha nuk priste. Po etablohej shoqëria dhe shteti i Kosovës...Pokështu dhe Presidenti Tadiq, babai i të cilit, filozofi Lubomir thoshte me cinizëm pas pranverës së madhe të 81-shit: ligji i shkak-pasojës mëson se shqiptarët janë fajtorë për fatkeqësinë e vet.

Dhe të dy, në kohë të ndryshme, do riaktivizonin idenë e njëjtë që mendohej e arkivuar: kërkonin njësi të përbashkët politike, përbërë nga dy Enitete barazisht sovrane. Por, ngjashëm me federatën kroato-boshnjake, gjithnjë brenda Serbisë.

Ndër vite më pas, mbretëroi një heshtje dhe, mbase, një çorientim taktik serb.

U desh kohë që, e skajuar pak nënujshëm, ideja e ndarjes së Kosovës të shfaqej në syprinë. Kryediplomati serb Daçiq, maj 2011, në intervistën për "Zërin" e Prishtinës, artikulonte sërish formulën e kompromisit me shqiptarë që përfshinte elementin territorial. Keqpritja në Berlin bëri që kolegët e partisë së tij të justifikoheshin se ishte një interpretim i gabuar. Ai kishte kërkuar vetëm linja përkufizimi etnik. E kjo dmth. gjithë Kosova mbërthehej nën stemën e Serbisë...

Nga serbët nuk ishte e papritshme. "Alfabeti shpirtëror" ngjante një truk. Një mit i shpifur. Ata i sëmbonte një humbje tjetër: pasuritë e Kosovës. Si shkruante dijetari i fushës, D. Cvjetiçanin, rezervat e saj të thëngjillit do t'i mjaftonin Serbisë për njëzet shekujt e ardhshëm.

Por, për çudi, përpjekjeve dhe skenarëve serbë i bashkohej me të zbritur në Prishtinë dhe Bernard Kushner, administratori i parë i OKB-së në Kosovë. Pa vonuar, ai do të involvohej në diskursin e ringjallur të tyre: propozonte kantonizimin e Kosovës. Por ndërhyrja e tij u hodh poshtë. Nuk përkonte me vizionin e ndërkombëtarëve për një Kosovë unitare.

Sado fjalëbutë e i ndjeshëm, francezi nuk dilte dot nga skema e vjetër. Fjalia e famshme e vartësit të Gertrude Bell, një agjente angleze në Arabi: "tmerrohem për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë", nuk i prishte gjakun.

Republikë, por në Jugosllavinë e tretë "të Zhablakut", ishte opcion i pranueshëm edhe për shqiptarët, një krahu të rezistencës së tyre. Teksa nisej për Rambuje, anëtari i dërgatës që i përkiste formacionit të luftës, J. K., i pyetur për këtë alternativë, do t'thotë rrufeshëm: po, si jo! Megjithëse, ndoshta, realiste edhe nga distanca e kundrimit të sotëm, ishte pak e habitshme shpejtësia e përgjigjës e, sidomos, toni entuziast i saj...

3.
Që këtej pra, logjika pragmatike, amerikane këso herë, dikton: Kosova u shkëput prej Serbisë. Por, për të kompletuar fizonominë e re ballkanëse si hemisferë perëndimore, duhet të shkëputet dhe Serbia prej Rusisë. E kjo ka një çmim. Serbët, më kthjelltë se askush, e dinë këtë. Dhe çmimin është Kosova që duhet të paguaj: ose pjesë nga sovraniteti unitar ose pjesë nga territori i saj.

Dilemë e vështirë. Vdekshëm e tillë.

Ndaj dhe gjendemi sërish te kushti dramatik: gjaku s'paskësh qenë i mjaftë. As vaji. (Si do shkruaj poeti spanjol: kush qajti aq shumë që t'mos mund të qajë prapë?) Shnjerëzimi i femrës shqiptare. Të zhdukurit pa emër e varr. As qelekullat e reja, tashmë, të nëndheshme gjithandej tokës armiqësore.

Pavarësia, vetëjetesa e lirë, kërkon flijim të ri: humbje trualli ose shtet hibrid bikomunitar. Një kohë mendoja se ishte optimale zgjidhja e parë. Thjeshtë nuk dua Serbi në Kosovë! As sot, as n'mot dhe askurrë.

4.
Mirëpo, me gjasë, karta serbiane është më e keqe se dyshimi dhe më e fshehtë se loja e politikës shqiptare.

Pikëza të rinovuara nga platforma, elaborate e doktrina të mëhershme, mbase vetë tharmi i tyre, vijnë drejt nesh. Thika e skicave të atëbotshme ngulej thellë deri në Prishtinë, në lindje dhe deri në Pejë, në perëndim, duke gllabëruar gati gjysmën e Dhéut arbnor. E për të akomoduar dhimbjen klerikale, si kurorë në zemrën e tij, do ngrihej sfidante e poshtëruese "republika e murgjëve" për kompleksin e objekteve të kultit ortodoks, ngjashëm me Athosin ishullor të Greqisë...

Po tani?

Edhepse gjithçka është mister, Belgradi, me gjasë, ka Letrën e parë dhe Letrën e dytë. Ndërsa e para, maksimaliste, kërkon njëj forme të moderuar të dyjat bashkë: rrëmbimin e tri qyteteve të veriut e, njëkohësisht, Entitetin serb në juglindje të Kosovës. E dyta, tutje, parasheh copëtimin dhe shpërbërjen e brendshme të Republikës (në gjurmë të planimetristit Kërstiq, përfshirë shëmbullin e Athosit, prapë), që nuk do ishte më as unitare dhe as shqiptare...

Por taktikat serbe evoluojnë tutje. Shterpësi? Pritje konjukturash të reja? Pas takimit me ndërmjetësim Lajçak, Presidenti i serbëve Vuçiq do të rikthejë idenë e dikurshme, tashmë të dizajnuar, të I.Gjuriqit. Kosova të mbetet Republikë autonome e tipit sovjetik në Serbi!!

Ndërkaq, keqardhshëm them se Letrat e Kosovës, s'janë të njohura aspak. Ka një mjegull, një përplasje oborresh e klanesh politikë. Për lavdi sheshesh njëri e, kushedi për shfajësim një tjetër...Qoftë dhe si përfundim intuitiv, spekulim, supozim a pëshpërimë..!

Në fund fare, sidoqoftë, kujtoj tri fakte interesante që, disi, rrëmojnë brenda oborrit serbian...

Në zjarrin e luftës, viti 1998, Zoran Angjelkoviq, kryetar i të ashtuquajturit "Këshill provizorial i Kosovës e Metohisë", luste delegacionin rus që t'a konsiderojë seriozisht ndarjen e Kosovës. Përgjigja që mori ishte zhgënjyese: tani është tepër vonë!

Mandej, së dyti, e besoj realizmin historik të autorit të romanit "Koha e vdekjes". Në intervistën e fundit para se të ikte nga kjo botë D. Qosiq, flet: çështja e Kosovës është zgjidhur. Humbëm luftën me shqiptarë. Ajo mbetet gjasë e shekujve që vijnë. Nëse ndonjëherë...

Dhe, së mbrami, V. Kostiç kryetar i Akademisë serbe të shkencave e arteve, para një kohe, ndërsa dëgjoheshin këmbana lufte, do thërriste i brëngosur: një luftë e re do ishte lufta e fundit e serbëve në histori...

Megjithatë, pabesi kudo. Shqiptarët, të tërë kombëtarisht, duhet të jenë më unikë e të zgjuar se kurrë.

Arkitekturës së re gjeopolitike, ngjizur në fund të mijëvjeçarit, i bëhen tani matjet dhe latimet e fundit epokale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat