Vota e mërgimtarëve apo katrrithja në pasqyrë

Opinione

Vota e mërgimtarëve apo katrrithja në pasqyrë

Nga: Gëzim Muçolli Më: 3 prill 2021 Në ora: 13:07
Gëzim Muçolli

Dje nuk kaloi në Parlamentin e Republikës së Kosovës në Prishtinë një Projektligj i ri por me datëlindje të vjetër!

Edhe sot po vazhdojnë të ngatërrohen opinionet midis atyre që janë kundër ndryshimeve të nevojshme të Ligjit mbi zgjedhjet dhe atyre që e kanë propozuar si të domosdoshëm për mbarëvajtjen e demokracisë në Kosovë.

Pra në Parlament u panë dëshira dhe inatet, vullneti dhe pengesa, dashuria dhe hakmarrje dhe e gjithë kjo në emrin tonë, në emër të Mërgatës kosovare që politikanët joaplikativë vazhdojnë ende ta quajnë "Diasporë".

Qeveria e re si propozuese dhe sponsorizuese e Projektligjit të ri është nxituar pak sepse para se ta procedojë këtë dokument që nuk kaloi mbrëmë është dashur të thirrë në përgjegjësi para komisionit parlamentar anëtarët e KQZ bashkë me kryetaren e tyre zonjën Valdete Daka e pasi të vlerësohet puna, gabimet dhe shkeljet gjatë organizimit të zgjedhjeve të fundit ku shumicës së mërgimtarëve me të drejtë vote iu pamundësua pjesëmarrja në zgjedhje duke ia mohuar të drejtën e votës, të nxirret për shqyrtim Projektligji i ri.

Pa u shkarkuar komplet këta përgjegjës të KQZ-së nuk duhet të nxirret asnjë projektligj e as ligj për shqyrtim në Parlament. Mënyra si u organizuan aplikimi i mërgatës  në zgjedhjet e fundit ishte dështim total i qëllimshëm sepse duke pasur frikë nga pjesëmarrja e madhe e qytetarëve të mërguar dhe duke i vlerësuar si votues potencial pro Lëvizjes VV u lanë pa votuar edhe mijëra simpatizantë të partive të tjera si LDK, PDK, Nisma, AAK, AKR duke rrudhur në maksimum procesin demokratik.

Ideja se votimi i mërgimtarëve duhet të organizohet brenda objekteve të Ambasadave dhe konsullatave të Republikës së Kosovës duhet të ndryshohet e të shkruhet se Ambasadat dhe konsullatat duhet të organizojnë dhe mbajnë votimet në ambientet e tyre në qytetet ku janë të vendosura ose në hapësira e vendbanime ku jeton shumica e mërgimtarëve.

Duhet sqaruar të gjithëve se përvojat e të tjerëve na duhet ti marrim si mësim. Shembulli më i mirë ishte organizimi i zgjedhjeve presidenciale për presidentin e Republikës së Moldavisë që u mbajtën në nëntor të vitit 2020.

Komuniteti i mërgimtarëve moldavë që kishin të drejtë vote, votoi lirshëm në Itali, pa asnjë pengesë në zgjedhjet që i organizuan përfaqësitë diplomatike të Republikës së Moldavisë. Në videon e transmetuar nga televizioni shtetëror italian Rai shihet se si u organizuan zgjedhjet për presidentin moldav për mbi 32 mijë mërgimtarë që jetojnë në regjionin e pasur të Venetos. Votimet u mbajtën në 5 qytete:  Padova , Mestre, Treviso , Vicenza e Verona duke filluar nga mëngjesi deri në orën 21.

Besoj se ne në Itali dhe kudo në vende ku jetojnë mërgimtarët bashkë me ambasadat dhe konsullatat tona mund ti mbajmë zgjedhjet e lira ku secili mund të votojë kandidatët dhe partinë që ai dëshiron.

Mjafton që deputetët e parlamentit në Prishtinë të bien dakord se nuk duhet të kenë frikë nga vota e motrave dhe e vëllezërve të tyre të mërguar. Vota e lirë në mërgatë nuk është katrrithje në pasqyrë por siguron edhe votën e lirë në atdhe dhe anasjelltas.

Ne mërgimtarët nuk votojmë as me inate, as me kushte e as me interes, po votojmë për të mirën e vendindjes.

Ne votojmë për Republikën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat