Prapavija e deklaratës së ambasadorit rus në Tiranë

Opinione

Prapavija e deklaratës së ambasadorit rus në Tiranë

Nga: Sherif Ramabaja Më: 11 prill 2021 Në ora: 12:23
Sherif Ramabaja

Këto ditë është bërë publike një deklaratë e ambasadorit rus në Tiranë, i cili në zgjedhjet nacionale të 25 prillit favorizon Partinë Demokratike.

Një deklaratë e tillë e ambasadorit rus nuk është e rastësishme, kur dihet pozicioni i Rusisë në ballkan për të bërë kaos, dhe ta pengoi deri në fund inkuadrimin e shteteve nacionale në Nato dhe në EU.

Serbisë dhe Rusisë aspak nuk po u përgjigjet ardhja e Kurtit dhe Vjosa Osmanit në pushtet, prandaj ndryshimi politik në Tiranë po ashtu nuk do t´u përgjigjej aspak interesave të këtyre dy shteteve.

Me një deklaratë të tillë ambasadori rus tentoi që indirekt ta përkrah Ramën, kurse në anën tjetër, po ashtu ta thelloi edhe më shumë përçarjen në politikën shqiptare.

Shtrohet pyetja, pse Rama u përgjigjet interesave serbe e ruse që të mbetet në pushtet?

Është shumë e qartë që Rama ka krijuar miqësi me presidentin serb Vuçiq dhe në Serbi gëzon një simpati të veçantë, prandaj derisa në Serbi Rama kështu vlerësohet, ai është edhe mik i Rusisë.

Një rol tjetër është edhe vendimi i tij i pa hezituar i përdorimit të vaksinës ruse Sputnik V, ende pa e dhënë dritën e gjelbërt EMA nga EU-ja.

Si arsye kryesor e Serbisë dhe Rusisë për ta mbajtur Ramën në pushtet është qëndrimi kritik i tij ndaj EU-së, si dhe afrimi  i tij sa më i madh me Turqinë dhe Erdoganin.

Rama vitet e fundit i ka shpeshtuar kritikat ndaj EU -së për tretmanin që i bëhet Shqipërisë, e sidomos kushtet që i parashtrohen, në raport për hapjen e negociatave me Unionin Evropian.

Acarimi EU – Rama kishte ndodhur nga situata e brendshme politike që mbretëronte në Shqipëri, kur dihej që Rama : opozitën e kishte larguar nga parlamenti, pastaj zbulimi i vjedhjes së votës në zgjedhjet e kaluara, sjellja e Paketës Antishpifje, mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, përçarja politike dhe mosdurimi i tij ndaj kryetarit Meta, korrupcioni, krimi i organizuar, droga, shpopullimi dhe kërkesat e azilit, pazaret me ndarjen e Kosovës etj. Për të gjitha këto të palara kërkonte përgjigje  EU -ja.

Rama në një situatë të tillë i nxënë ngusht dhe i izoluar, kërkonte mbështetje për gjendjen e krijuar.

Ata të cilët kishin mirëkuptim për te ishin Serbia me Vuçiqin, Rusia me Putinin dhe Turqia me Erdoganin.

Serbia me Rusinë i kishin synimet e tyre : Rama u përgjigjej në bisedime për ndarjen e Kosovës. Rama u përgjigjej sepse Shqipërinë e largonte sa më shumë nga perëndimi, prandaj këto ishin ato gjëra që më së shumti i përshtateshin Serbisë dhe Rusisë.

Sa më shumë që largohej Rama nga perëndimi, zbatohej edhe plani tjetër i afrimit të tij me Erdoganin, i cili njihet po ashtu nga të tjerët si kundërshtar i rrept i EU -së.

Erdogani është mik i çmuar i Serbisë dhe Rusisë, prandaj afrimi i Ramës me Erdoganin përnjëherë do të thoshte edhe afrimi i tij me Serbinë dhe Rusinë.

Nga të gjitha këto që u cekën nuk është aspak e rastësishme deklarata e ambasadorit rus në Tiranë i cili indirekt e përkarahu Ramën.

Ndërrimi i pushtetit që ndodhi në Kosovë nuk i përgjigjet Serbisë e po ashtu as Rusisë, prandaj edhe një ndërrim i tillë në Tiranë, Rusisë dhe Serbisë do ua prishte tërësisht planet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat