Mitin për Kosovën e lindën pasuritë e saj natyrore

Opinione

Mitin për Kosovën e lindën pasuritë e saj natyrore

Dr.sc.Astrit Sahitaj Nga Dr.sc.Astrit Sahitaj Më 14 prill 2021 Në ora: 20:20
Ilustrim

Në kreun e dytë,- pasi hedhë shqelma ndaj historianëve bashkëkombës, që, në punimet e tyre pohojnë se shqiptarët janë me prejardhje ilire, -  i vë në dijeni që “Serbia e Vjetër” kishte  dhjetë krahina. Se tash nga të gjitha ato përmendet vetëm njëra ish krahinë, që ishte më e vogla, Kosova. Vë në pah se Kosova është jashtë mase e pasur dhe se dikur në gazetën beogradase “Politika” kishte shkruar mbi pasuritë përrallore të “Serbisë së Vjetër”, “Kosmetit”. Si pas tij vetëm burimet e metaleve me vlerë: “…kromi, nikeli, mangani, molibdeni, bori, plumbi, zinku dhe tjerat janë vlerësuar me 1000 miliardë dollarë; edhe harabelat e dinë që e tërë Kosova shtrihet mbi lignit, vlera e të cilit është 500 miliardë dollarë”

Një vend të rëndësishëm në vlerësimin e potencialit natyror dhe të resurseve të Kosovës zënë burimet xeherore. Shumëllojshmëria e burimeve xeherore në Kosovë, është një nga arsyet për domethënien e saj shumëshekullore, me qëllimin e vetëm-sundimin e këtij territori.

Nuk jam ekspert në fushën e pasurive nëntokësore të Kosovës. Por, për që është Kosova e pasur me pasuri të nduarrnduarta nëntokësore dihet botërisht. Bile dikur pëshpëritej se Beogradi po ndërtohej me arin e Trepçës. Bile thuhej se edhe Beogradi i Ri është i ndërtuar nga ari i Trepçës. Pëshpëritjet e tilla ranë në vesh të liderëve të qeverisë së Republikës së Serbisë në kohën, kur kishin shpërthyer demonstratat e vitit 1981. Pushtetarët u vunë në lëvizje për të bindur popullatën shqiptare se Kosova ishte e varfër. Prandaj angazhuan shqiptarë të konvertuar në “kombin jugosllav” për të propaganduar në dobi të eksploatuesve serbe. Madje nga Beogradi e sollën në Kosovë njërin nga shqiptarëngrënsit e shquar shqiptar, i cili pati deklaruar se Trepça prodhonte aq pak ari, sa nuk mjaftonte as për mbushjen e dhëmbëve (mendonte të dhëmballëve- shënimi im).  “Gjatë viteve 90-të të shekullit të kaluar në Kosovë nxirren rreth 90-100 ton argjend në vit.”

Është e vërtetë se “Politika” e  Beogradit atëbotë ka botuar një artikull lidhur me pasuritë nëntokësore dhe ato  mbitokësore të Kosovës. Gjithashtu është e vërtetë se në gazetën “Politika” një autor tjetër ka botuar në nëntor një artikull, për nga të dhënat identike me ato të tekstit të mëparshëm, por pak sa më të detajuar, sepse aty shihet edhe një hartë me vendndodhjet e pasurive natyrore të Kosovës.

Dihet se mediat serbe janë shumë të ngarkuara me artikuj propagandistik, që ndikojnë në  politikën ditore. Të tillët e mbajnë ndezur flakën e urrejtjes ndëretnike.

Në saje të propagandave të vazhdueshme të nacionalistëve serbë në mendjen e popullatës serbe është krijuar një mit, një psikozë kinse Kosova na qenka “djep i Serbisë”, zemra e Serbisë. Kjo psikozë është shndërruar në ethe, ashtu siç ishin ethet e arit dikur në Kolorado. Kjo psikozë është formuar për shkak të pasurive natyrore të Kosovës. Këto pasuri kanë çuar peshë akademikët, kishën dhe kancelaritë e qeverisë serbe.

Miti serb për “djepin e Serbisë”, Kosovën, është krijuar enkas për t’i turbulluar mendjet e masave popullore serbe, që t’i vërsulen Kosovës për t’u pasuruar. Dhe vërtetë shumë kush nga fisi sllav që erdhi në Kosovë, u pasuruan duke ua marrë tokat shqiptarëve, të cilat më vonë ua shisnin me çmime astronomike. Në anën tjetër edhe qeveritë serbe pasuroheshin me anë të vjeljeve të taksave enormë nga shqiptarët dhe duke eksploatuar pasuritë nëntokësore e mbitokësore të Kosovës.  

Propaganda për t’u pasuruar serbi në Kosovë nxiti lakmitë e familjeve të shumta serbe e malaziase që të vinin e t’i uzurponin tokat e shqiptarëve vendas. Ato shkaktuan gjakderdhjen dhe dëbimet e shqiptarëve nga vatrat e veta.

Ethet e arit shkaktuan tragjedi të shumta për ata, që gjakonin të pasuroheshin brenda ditës. Ethet e arit në Kosovë ishin kobzeza për shqiptarët, sepse u mirrej pasuria familjare dhe ajo kombëtare, njëkohësisht e pësonin edhe me kokë.                

Stanishiqi përmend se pasuritë e paçmuara të Kosovës janë publikuar edhe në gazetën beogradase “Politika”. 

Gazeta beogradase “Politika”  në një artikull titulluar:  "Lufta për thesaret xeherore të Kosmetit", jep hollësira lidhur me pasuritë xeherore. Autori pasi vë në pah se Kosova është e pasur me shtatë xehet strategjike dhe jep vlerësimin se ato e kanë vlerën e 1000 miliardë dollarëve amerikan e publikon një hartë, në të cilën shënohen vendndodhjet e xeheve të ndryshme. Në hartë ekzaktësisht janë shënjuar vendet, të cilat janë të pasura me xehe.

Është fakt se në vitet 60-ta e 70 të shekullit të kaluar me anë shpimesh janë bërë hulumtime lidhur me pasuritë e trevave kosovare. Një ndërmarrje e tillë është bërë edhe nga ana e ushtrisë jugosllave në vitet e tetëdhjeta. Sigurisht dokumentacioni është fshehur për të mos ditur shqiptarët se sa është e pasur Kosova. Pasurit e Kosovës nuk u shfrytëzuan sepse Serbia planifikonte të bënte  spastrimin etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë gjatë viteve të 90-ta. Trepça e Kosovës dhe Srebrenica e Bosnjës kanw arin më të mirë në rajon. Nuk jam ekspert i kësaj fushe, por mendoj se në Kosovë duhet të ketë edhe rezerva nafte. Pikërisht për hulumtime të kësaj natyre janë bërë çpime të shumta në Rrafshin e Dukagjinit e në shumë vise tjera të Kosovës. Pikërisht pasuritë, siç i quan ai përrallore, ua ka kushtuar një vend të dukshëm. Flet me dhimbje të theksuara për to. Nëpërmjet kësaj dhimbjeje shprehet revolta e brendshme ndaj atyre (shqiptarëve), që e gëzojnë këtë pasuri përrallore. Nëpërmjet kësaj revolte përpiqet të zgjojë shpirtrat e perënduar të mesjetës, t’i ndërsejë kundër shqiptarëve, që janë bërë zotër në trevat e veta stërgjyshërore.

Etja për përvetësimin e pasurive të Kosovës e lindi mitin kinse Kosova kishte qenë “djep i Serbisë” dhe e ushqeu nacionalizmin serb me ndjenjën armiqësore ndaj popullit paqedashës shqiptar. Miti i Kosovës u përdor nga qeveria e Millosheviqit dhe kisha ortodokse për të krijuar një ekzistencë dhe moral superior “Serbizmin”e cila seriozisht u trajtua nga forcat barbare.  Miti kinse Kosova qe djep i Serbisë u propagandua nga intelektualët serbë që nga dinastinë e para me në krye V. Karaxhiq e Dositej Obradoviq e deri në kohën tonë. Për shkak të kësaj ëndrre u derdh shumë gjak si nga ana shqiptare ashtu edhe nga ajo serbe. U derdh vetëm gjaku i bijve dhe bijave të popullit. Nuk u derdh gjaku i fëmijëve të intelektualëve serbë, që grishin për uzurpimin e “Stara Srbia”, as i të birit të Sllobodan Millosheviqit, Markos, por u derdh gjaku i bijve të punëtorëve e të bujqve serbë.

Në Kosovë u vranë shumë civilë shqiptar. U vranë e u masakruan gra shtatzëna, fëmijë të sapolindur dhe pleq e plaka.

Image
Harta
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat