Varianti i kënaqësisë!

Opinione

Varianti i kënaqësisë!

Nga: Kimete Berisha Më: 1 maj 2021 Në ora: 11:26
Kimete Berisha

Valla more axhi infektolog, Kosova është e prekur nga 'varianti i kënaqësisë', s'i bjen kujt në mend sëmundja e vdekja.

Epikuri na ka lënë amanet, mos u merr me vdekjen tënde ka thënë, se vdekja jote nuk të takon ty.

Mirë e ka pas.

Ne e kemi obligim jetësor të kënaqemi dhe të përmbushim premtimin e lumturisë në këtë botë.

Të tjerat janë të shkruara!

Është problem, kur na kap neve shqiptarëve 'dallga e zbavitjes', kur neve na kaplon dalldia dhe sevdaja, dalim jashtë realitetit, e krijojmë një botë tjetër, ku s'ka virus dhe vdekje.

Është ky mekanizëm mbrojtës,

është vaksinë shpirtërore kundër fatalizmit.

Se me t'thënë t'vërtetën, për shqiptarët më e rëndësishme është kënaqësia sesa jeta!

Se vetëm nëse kënaqesh - ndjehesh gjallë!

Qysh ndjehesh gjallë pa u kënaq, allaile!

Ajo ndjesia kur del n'teferiç,

deti para hundëve,

uji i njelmtë n'drita t'syve;

kënaqësia që e shkakton frika mos po mbytesh n'det e nuk mbytesh;

shetitjet buzë bregdetit, mbrëmjeve o Zot,

njoftimet e reja;

hareja dhe gëzimi i çastit;

shikimi nga ballkoni i perendimit të diellit...dhe, prit pak po e hamë edhe nga një akullore,

Jetë o jetë.

Ajo ndjenja e ikjes nga Kosova, sidomos ikja nga monotonia është akti vendimtar i kënaqësisë,

ai mohimi i virusit 'ec more se s'ka virus', 'vdekje ka pasur gjithmonë'!

'Po rrejnë' se nuk kanë qejf me na pá 'tuj u knaq'.

Është ndjenjë e bukur kur të duket vetja më i mençur se mjekësia, më i zgjuar se faktet, nuk e han ti me t'mashtru.

Nëse nuk i beson virusit, nuk t'bjen.

Ky është misteri i kënaqësisë!

P.S. Kosova është plotësisht jashtë kontrollit.

As vaksina as kujdes, as pastërti, as dezinfekrim!

Çudia e Zotit qysh po shpëtojmë pa u bërë lajm në botë!

Bota po ruhet, po vaksinohet, po mbyllet dhe s'po shpëton si ne!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat