Një letër e pabotuar e Luigj Gurakuqit para Konferencës së Paqes së Parisit(1919-1920)

Opinione

Një letër e pabotuar e Luigj Gurakuqit para Konferencës së Paqes së Parisit(1919-1920)

Nga: Gjok Gjonaj - New York Më: 10 maj 2021 Në ora: 06:27
Luigj Gurakuqi

Nanës Shqipni ti bashkangjiten shqiptarët e Ulqinit, Krajës, Hotit e Grudës, të Triepshit, të Plavës e të Gusinjës, të Gjakovës e të Pejës.

Kjo letër e pabotuar ndonjeherê e Gurakuqit tregon qartë pikëpamjet e tij patriotike, ku ai i kërkon Kryeministrit të Italisë, Z. Giolitti korigjimin e kufijve të Konferencës së Londrës, duke kërkuar që Nënës Shqipëri ti bashkangjiten;

"Shqiptarët e Ulqinit e të Krajës, të Hotit e të Grudës, të Triepshit, të Plavës e të Gusinjës, të Gjakovës e të Pejës."

Kopja e letrës origjinale:

PAVARËSIA E SHQIPËRISË

Kur në muaj të qershorit që shkoi Kryeministri i Italisë, Z.Giolitti, bëri dëftimet e tija mbi çështjen shqiptare, tha ndër të tjerat, se ndonse Qeverria Italiane ishte anëtare e nxehtë e pavarësisë së Shqipërisë e se për këtë shkak po hiqte dorë nga ç'do farë protektorati e mandati mbi të, prap nuk munt të jipte aty për aty vendim për lëshimin e plotë të Vlorës duke qenë se sqela e kësaj do të bëhej një rrezik i math për Italinë po të binte në dorë të ndonjë armiku të Shqipërisë e t'Italisë. E këtë arsye për të mos lëshua Vlorën Z. Giolitti e mbështeste mbi një arsye tjetër pas të cilës Shqipërija, e cila dobtë dhe e paorganizuar, nuk do t'ishte e zonja të mproje Vlorën as nga ana e tokës as nga ana e detit.

      Dy muaj më pastaj ministri i punëve të jashtme Z. Sforza, duke dhënë shpjegime në Parlament mbi traktatin e lidhun në mest t'Italisë e të Shqipërisë, dëftoi se një nga shkaqet më të para që i mbushën mendjen Qeverrise italiane për të zbrasur Vlorën, qenë edhe provat e shkëlqyera që po ipte kombi shqipëtar se ishte i zoti për të themeluar një shtet të fortë, për të formuar një qeveri të rregullshme për të mbrojtur kufinjt e pavarësinë e vet.

Këto dy dëftime mbi pavarsin' e Shqipërisë e mbi aftësin' e kombit shqipëtar për t'u qeverrisun mbë vete, të bëra në keto kohët e fundit nga dy përfaqesonjësit e përmendur të Qeverrise italiane, duhet të mbushin me gaz zemrat e Shqipetërevet, t'u shtojnë shpresën e t'u apin guxim edhe më të madh për të vazhduar veprën e lartë të lirimit e të shpëtimit t'atdheut.

Eshtë e vërtetë se fqinjt e Shqipërisë. Grekët e Sllavërit, duke mohuar premtinet e përparëshme, nuk po duan të hekin dorë nga kërkesate e tyre: po, në tjetrën anë, edhe Shqiptarët po japin gjithnjë prova të shqëlqyeshme se din t'i mbrojnë kufinjt me vellëndet të patundur me theorin e jetës së vet. Qëndrimi kreshnik me të cilin burrat e Korçës u bënë ballë kërcnimevet të Greqisë, e sulmi patriotik që ngriti në këmbë Shqipërin' e tërë kundër të mësymëvet të Jugosllavisë kanë arritur të tundin pakëz apathin e Fuqive të Mëdha e t'u apin të kuptojnë armiqvet t'anë se gjaku i Skënderbeut ka nisur të vlojë me rrëmbim në dejt e Shqiptarëvet e se tokët e tyre nuk munt të pushtohen vetëm  me një shetitje ushtarake.

    Ndonse Qeverrija frënge nuk ka dashur akoma t'a tregoje zyrtarisht mendimin e saj mbi çeshtjen shqipëtare, me gjthë këtë kemi arsye të besojmë se do të shtërngohet të hekë dorë nga mbështetja e kërkesavet greko-jugosllave e nuk do t'u kundërshtohet më me ashprimin e përparshëm tërësis' e pavarsisë së Shqipërisë.  Në tjetrën anë Ingliterra, e cila për sa e sa herë kishte mohuar me gojën e Ministravet të vet të drejtën që i vijnë kombit shqipëtar nga vendimet e Konferencës së Londrës, ka nisur tash në funt t'a kethejë pakëz fletën e në dëftimet që bëri në këto ditë nënministri i punëve të jashtme në Dhomën e Komunevet tha se Fuqit' e Mëdha kishin qëllim t'i njohin Shqipërisë të drejtën  qe ta trajtojë një Shtet të paanshëm.

Sa për Italinë shpresojmë se kjo, që në këto kohët e sprasme nisi t'i kuptojë mirë interesat e saja, të cilat kërkojnë një Shqipëri të fortë e të lire, nuk do të kufisohet vetëm të njohë ajo vetë pavarsin' e Shqipërisë, po do të përpiqet që tërësija e pamvarsia e Shqipërisë të njihen edhe nga tjerat Fuqi të Mëdha e, sidomos të nderohen nga fqinjtë e Shqipërisë, Grekër e Sllavër.

Po nga Italija, Shqiptarët presin një ndihm' edhe më të madhe, domethanë, qortimin e kufijve nga ana e veriut. Edhe rusa nuk i mungon.

Në bisedimet që do të nisen tani në mest të delegatvet italjanë e jugosllavë pë të zgjedhur çeshtjen e Adriatikut, thohet se Italia do të kërkojë për popullin e Malit-të-zi të drejtën e vetvendimit. Po këtë të drejtë nuk duhut t'a kërkojë vetëm për pjesën sllave të këtij populli, por edhe për pjesën shqipëtare për të cilën si Jugosllavija si Mali-i-zi janë të huaj. Duke u mbështetur mbi atë parim të kombësivet pas të cilit kërkojnë Dalmatinë e Istrinë,  Itaija duhej të kërkonte të drejtën vetëvendimit edhe për Shqiptarët e Ulqinit e të Krajës, të Hotit e të Grudës, të Triepshit, të Plavës e të Gusinjës, të Gjakovës e të Pejës.

Për ndryshe, kërkesa e vetvendimit për Mal-te-zi nuk do të ishte tjetër veç një shkelje të drejtës e një shugurim i paudhësivet të tmershme që Mali-i -zi e Serbia kanë bërë e po bëjnë gjithë kundër popullit shqipëtar të visevet te përmendura.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat