Kush e vrau Bardhyl Ajetin?

Opinione

Kush e vrau Bardhyl Ajetin?

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 3 qershor 2021 Në ora: 21:01
Bardhyl Ajeti

Sot 16 vjet më parë, u bë atentati ndaj gazetarit të gazetës “Bota sot”, Bardhyl Ajeti. Pavarësisht se kanë kaluar shumë vite, vrasja e tij vazhdon të mos jetë zbardhur. Heshtën, heshtën të gjithë për atë që duhet të flisnin. Po hesht drejtësia që duhet ta kishte thënë që moti fjalën e saj. Deri sot s’ka folur drejtësia, e në rastin e 16 vjetorit të vrasjes së tij nuk u tha asnjë fjalë as nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), absurd në vetvete, që ndodh vetëm në mjedisin tonë.

"Bota sot" është shquar për fjalën e lirë andaj i janë vrarë gazetarët. Ndër gazetarët që u vranë për fjalën e lirë janë: Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti, të cilët nuk u përmendën nga askush, për ironi as nga LDK ku militonin Xhema dhe Enveri.

Kur jemi te LDK, duhet theksuar se në kohët më të vështira të saj, kur sulmohej nga të gjithë, ishte “Bota Sot” ajo që më fjalën e lirë, guximin e saj i doli në mbrojtje jo LDK si subjekt, por të vërtetës që në atë rast ishte në anën e saj. Dhe pikërisht duke mbrojtur këtë të vërtetë edhe u vranë gazetarët e saj, për të cilët sot LDK nuk thotë asnjë fjalë. Por asnjë fjalë të vetme për gazetarët e ‘Bota Sot’ të cilët dhanë jetën për të mbrojtur të vërtetën, nga ata që cenohej dhe abuzohej ajo e vërtetë, me të cilët sot fatkeqësisht bëhen pazare për pushtet.

Nuk mund të ketë liri të medieve pa u zbardhur se kush i vrau gazetarët, të cilët u vranë se thanë të vërtetën, e vërteta që më së shumë se kurrë i mungon shoqërisë dhe popullit të Kosovës.

Bardhyl Ajeti është sinonim i gazetarit trim, njeriut që nuk kurseu as jetën për fjalën e lirë. Bardhyli duhet të kujtohet dhe nderohet, të jetë frymëzim për gazetarët e rinj se si duhet mbrohet e vërteta.

Shpresoj dhe besoj se shpejt do të dalin para drejtësisë ata që dhanë urdhër dhe ata që shkrepën plumbat mbi fjalën e lirë, guximtarin Bardhyl Ajeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat