Dardha ka bisht! Ajo quhet (mos) transparencë!

Opinione

Dardha ka bisht! Ajo quhet (mos) transparencë!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 6 qershor 2021 Në ora: 08:26
Miroslav Lajçak,Albin Kurti, Mathew Palmer

Sa duket se gjithçka është fer, pas vizitave të përfaqësuesve evropianë dhe amerikanë në Prishtinë rishfaqen problemet. Kur Mathew Palmer dhe Miroslav Lajçak u shfaqën së bashku në takimet me përfaqësuesit e Kosovës, u duk se gjithçka po shkon sipas një regjie në harmoni me njëri-tjetrin. Por Lajçak foli më pas për "mos ekzistencën e Marrëveshjes së Uashingtonit", në kuptimin e mosnjohjes së saj nga ana e BE-së. Ndërsa Palmer foli për Asociacionin, duke kërkuar që ky Asociacion të pranohet nga pala e Kosovës. Ndërkaq justifikoi kreun e kishës ortodokse në Manastirin e Deçanit për refuzimin që ai ia bëri kryeministrit të vendit, duke mos e pranuar në manastir për vizitë.

Askush nga bashkëbiseduesit e dy interlokutorëve të lartpërmendur në Prishtinë nuk foli për këto çështje. Drejtuesit e institucioneve të vendit, para së gjithash kryeministri, heshtën për marrëveshjen e Uashingtonit e nuk thanë se paska një qëndrim ndryshe në Bruksel. Jo më të sqaronin se cili është qëndrimi i qeverisë, sepse në fund të fundit është Kosova dhe Serbia ato që përcaktojnë fatin e asaj marrëveshjeje. Zoti Kurti nuk ka thënë shumë as për refuzimin e kreut të kishës serbe në Kosovë.

Kjo do të thotë se dardhë pa bisht nuk ka. Kjo do të thotë se asgjë nuk është ashtu si duket. Kjo do të thotë se edhe qeveria e Albin Kurtit nuk është aq transparente me qytetarët e Kosovës, sepse ndryshe nuk kishte pse ata të merrnin vesh prej zotit Palmer ose zotit Lajçak për "bishtin e dardhës"! Zoti Kurti ka thënë se "Ne nuk do të lejojmë krijimin e një Asociacioni një-etnik"! Dhe kaq! A është kjo e mjaftueshme? A i ka bindur partnerët amerikanë dhe evropianë me këtë opsion? E në fund të fundit çdo të thotë krijimi  i Asociacioni shumë-etnik? Cili është projekti konkret i qeverisë?

Enigmat shtojnë dyshimin. Dyshimi të çon në krijimin e një mosbesimi. Ndaj dhe transparenca është e domosdoshme. Ndryshe ndodh që qytetarët e Kosovës informohen nga jashtë vendit për ato që ndodhen brenda Republikës. Një praktikë e tillë ka qenë shumë e përhapur në Kosovë, kur dialogun e udhëhiqte Hashim Thaçi. Është e përhapur edhe në rastin e Shqipërisë, për shkak të manipulimit të informacionit të brendshëm nga ana e qeverisë.

Nëse ne shqiptarët vazhdojmë të informohemi nga ata që jetojnë jashtë territorit të vendit tonë, qofshin këta aleatë apo partnerët tanë, atëherë do të dobësohet besimi dhe marrëdhënia qytetar-qeverisje. Demokracia është sinqeritet, nuk është pagabueshmëri. Është transparencë, nuk është arrogancë. Arroganca është e llojeve të ndryshme. Nuk je arrogant vetëm kur qirresh e bërtet me të madhe! Arrogant bëhesh edhe atëherë kur nuk pranon që të ndash me ata që qeverisen prej teje çështjet që u përkasin pikërisht qytetarëve.

Kërkesat e Palmer për të respektuar marrëveshjen e Asociacionit të nënshkruar nga paraardhësit e zotit Kurti janë shqetësuese. Shqetësimi nuk zgjidhet duke e mbajtur të fshehur brenda shpirtit tënd. Përkundrazi, çdo problem, çdo pakënaqësi, çdo dilemë merr zgjidhje atëherë kur ato ndahen me grupet e interesit. Dhe në rastin e bisedimeve me Serbinë grupi i interesit është qytetari i Kosovës, është vetë Kosova.

Kryeministri Kurti tha në një intervistë se ai do të takohet me presidentin e Serbisë dhe se bisedimet do t'i fillojë nga e para. Përsëri mjegull. Si nga e para? Si? A të pranojnë partnerët në bisedime e në ndërmjetësim me një qasje të tillë?! Zor të jetë kjo një e vërtetë aq e thjeshtë! Mos kjo do të thotë se qeveria e sotme nuk i njeh marrëveshjet e nënshkruara në këto 10 vite nga 19 prilli i vitit 2011 e këtej dhe sidomos ato nga prilli i vitit 2013, kur Thaçi nënshkroi marrëveshjen e mirëkuptimit me Serbinë, marrëveshje në të cilën përcaktohen kriteret e krijimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë?!

Ta trajtosh Asociacionin thjesht si refuzim të Gjykatës Kushtetuese është jo-realiste. Ndaj duhet të jesh krijues, novator në ballafaqimin që bëhet midis asaj që ka ndodhur (në mënyrë të gabuar) dhe asaj që duhet të ndodh në mënyrë të drejtë. Duhet një projekt bindës, logjik, racional. Projekte të tilla nuk lindin vetëm në zyrat e qeverisë ose të atyre që janë ngarkuar për dialogun me Serbinë. Ide dhe zgjidhje mund të japë dikush që nuk ta merr mendja. Por duhet shkuar deri te ai dikushi përmes konsultimeve dhe të bërit transparencë.

Nuk i zgjidh konfliktet misticizmi si mjet dhe përpjekje për të fituar autoritet dhe prestigj. Prestigji dhe autoriteti fitohen duke i diskutuar dhe pranuar vështirësitë e zgjidhjeve dhe duke kërkuar argumente e rrugë të reja zgjidhjeje.  Mistiku i madh Ibrahim Rugova ishte i tillë, sepse veproi në kushte të tjera, në kushtet e pushtimit serb, në kushtet kur i duhej ta mblidhte parlamentin e kohës së autonomisë në Kaçanik e ta miratonte fshehurazi Kushtetutën e Republikës së Kosovës! Sigurisht ai e njihte më mirë se kushdo tjetër edhe filozofinë e misticizmit. Por nuk imitohen liderët e mëdhenj të kohëve të tilla nga liderë që veprojnë legalisht në një sistem qeverisjeje legale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat