Padituria dhe hipokrizia politike e shpie Kosovën në Serbi

Opinione

Padituria dhe hipokrizia politike e shpie Kosovën në Serbi

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 17 qershor 2021 Në ora: 17:06
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

Me  “sadriazema”, me "hosanna e baraba"…etj., nuk mund të mbrohet interesi nacional dhe shtetëror i Republikës së pavarur të Kosovës, por vetëm me kuadro të dëshmuara të  profilizuara  të mirëfillta profesionale, kombëtare dhe patriotike të pakorruptuara, që nuk e mashtrojnë, nuk e tradhtojnë kombin dhe atdheun për interesa të tyre të ngushta meskine karrieriste dhe për interesa të huaja për  t’u pasuruar dhe për të qëndruar vet në pushtet  të “përjetshëm”! –Në sistemet  demokratike nuk ka “pushtet të përjetshëm”! Këtë parim të demokracisë, duhet ta kuptojnë të gjithë ata që “garojnë” për t’u instaluar në pushtet.

Kush e solli te dera “Zajednicën serbe” ?

 -Të gjithë ata të paditur dhe hipokritë, të cilët  për t’i realizuar interesat e tyre latifundiste, feudale, karrieriste, nepotiste, burokratike dhe sektariste kanë abuzuar dhe instrumentalizuar edhe qeverinë, edhe kuvendin, edhe Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, me qëllim që ta nënshkruajnë dhe ratifikojnë Marrëveshjen për themelimin e “Srpska Zajenicës”, shqip, do të thotë “Bashkësia e Komunave Serbe “, që minoritetit serb në Kosovë i garanton autonominë e plotë politike deri në shkëputje. Këtë Marrëveshje e kanë nënshkruar me palën serbe negociuese në kuadrin e Dialogut të Brukselit, më 2013.

Ndër faktorët kryesorë, që ka ndodhur një idiotizëm i këtillë në favorizimin jashtëligjor dhe jashtëkushtetues të  minoritet serb të Republikës së Kosovës, pa dyshim se ishte izolimi, diferencimi, margjinalizimi, përbuzja, diskriminimi dhe urrejtja deri në armiqësi e kuadrove të profilizuara të mirëfillta politike, diplomatike dhe juridike (1999-2021).

 “Këshilla” e Isa Mustafës për Albin Kurtin (!)

Sipas ish-kryeministrit të qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa : “Është detyrim që rrjedhë nga Marrëveshja e Parë e vitit 2013 e ratifikuar me Ligj me votat e mbi 2/3 të deputetëve si Marrëveshje Ndërkombëtare. Edhe Gjykata Kushtetuese me Aktgjykim, ka konstatuar se kjo Marrëveshje ( e vitit 2013) duhet të zbatohet. Tani Qeveria e Kurtit ose duhet ta anulojë Ligjin mbi ratifikimin e Marrëveshjes së Parë, ku parashihet themelimi i Zajednicës së VV-së ( sa ishte në opozitë) e tani Asociacionit, (kur është në pushtet) ose ta implementojë atë “. (Pas deklaratës së ambasadorit Kosnett për Asociacionin, flet Isa Mustafa - Bota Sot).

Kjo “këshillë” e ish-kryeministrit Isa Mustafa, është  destruktive dhe hipokrite dhe e papranueshme, sepse kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti e vë para aktit të kryer politik, përkatësisht e vë në “lojën midis dy zjarreve” !

-Ja, pse: (1) Nëse qeveria e Kurtit e zbaton Marrëveshjen për formimin e Zajednicës (ZSO), atëherë Kurti përfundon karrierën e tij politike në Kosovë dhe (2) Nëse qeveria e Kurtit  anulon Ligjin e mirartuar dhe të ratifikuar nga Kuvendi për formimin e SZO-së, atëherë bie qeveria  e Albin Kurtit, do të pasojnë zgjedhje të reja parlamentare të parakohshme, me qëllim që të gjendet ndonjë Isa Mustafë, Skënder Hysen, apo Hashim Thaç dhe Enver Hoxhaj tjetër…, të cilët janë fajtorët kryesorë  për hyrjen dhe vazhdimin 10-vjeçar të Dialogut të Brukselit (2011-2021), i cili, ndër tjera, ka prodhuar edhe Marrëveshjen për formimin e Srspka Zajednicës (SZ)). Kjo është “loja midis dy zjarreve”, ku momentalisht ndodhet Albin Kurti me qeverinë e tij reformuese.  

Mirëpo, edhe në këtë rast tejet delikat, zgjidhja racionale duhet të kërkohet në mbrojtjen e interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror të Republikës së Kosovës, populli i së cilës ka luftuar për  krijimin e shtetit të pavarur dhe sovran, të shkëputur njëherë e përgjithmonë nga Serbia kolonizatore dhe gjenocidale (1989-1999).

 Marrëveshja për SZO-n është nënshkruar dhe ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, por nuk është valide sipas së drejtës ndërkombëtare!

 Këtë e kam pohuar që në vitin 2012. Mirëpo, këtë  “sadriazemët demokratë” as që e kanë lexuar, duke jetuar në vetëkënaqësi se  janë të  gjithëdijshëm, të pazëvendësueshëm dhe të “përjetshëm” në pushtetin e tyre. Mirëpo, koha tregoi të kundërtën, gabimet e tyre politike, tani i janë kthyer “boomerang” dhe po i kushtojnë shumë shtrenjtë lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

 Duhet të vëmë në dukje faktin se, jo vetëm Marrëveshja për formimin e Srpska zajednicës (2013), por të  gjitha marrëveshjet e lidhura  të Prishtinës zyrtare me Beogradin në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2018), juridikisht janë të pavlefshme (nul) sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve (1969, mbase Kosova nuk është subjekt juridik i së drejtës ndërkombëtare.

 Këtë fakt juridik, do të duhej ta kishin ditur si Hashim Thaçi (ish-kryeministër), Isa Maustafa (ish-kryeminitër), ashtu edhe ministrat e tyre juristë dhe konstitucionalistë. Ndaj, tani, postfestum u ka rënë “miu për mustaqe”  nuk vlejnë predikimet e tyre “këshillëdhënëse” qoftë penduese apo korrigjuese, sepse të të gjithë do të mbajnë përgjegjësi morale dhe ligjore, nëse  formohet “Srpska Zajednica” në Kosovë.

Marrëveshjet e Hashimëve dhe të Isëve etj., të lidhura me palën negociuese serbe në Bruksel (2011-2018)  nuk kanë karakter juridik ndërkombëtar, por vetëm politik!

Edhe pse Kosovën e kanë njohur mbi 100 shtete anëtare të OKB-së, kjo, në asnjë formë nuk mund të jetë nënshkruese e  ndonjë traktati, marrëveshjeje, konvente apo protokolli ndërkombëtar, sepse nuk është subjekt i së drejtës ndërkombëtare  e as  nuk është anëtare e Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve (1969).

 Kosova nuk mund të jetë palë nënshkruese e asnjë traktati derisa nuk njihet nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ky është problemi i pakapërcyeshëm juridik ndërkombëtar, që hëpërhë Kosovës “ia lidh duart”, të lidhë dhe të nënshkruajë traktate ndërkombëtare me ndonjë shtet tjetër të bashkësisë ndërkombëtare.

Kosova si shtet i ri, nuk e gëzon një të drejtë të tillë, sepse sipas së drejtës ndërkombëtare, Kosova nuk mund të lidhë asnjë traktat dhe, asnjë marrëveshje juridike ndërkombëtare me Serbinë, sepse ende nuk është anëtare e Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve (1969), duke qenë se ende Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk e njeh subjektivitetin juridik ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, edhe pse atë e kanë njohur 100 shtete të bashkësisë ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare

Sepse vetëm dy subjekte të barabarta  juridike të së drejtës ndërkombëtare, mund të lidhin traktate, marrëveshje, konventa dhe protokolle etj.

Shpërfillja dhe injorimi i së drejtës ndërkombëtare nga politika fiktive e qeverisë së Kosovës dhe e Serbisë , nuk sjell “paqen e përjetshme” , sepse deri më sot në historinë e së drejtës ndërkombëtare dhe të marrëdhënieve politike ndërkombëtare, nuk figuron ndonjë shembull i dokumentuar i ndonjë “paqeje të përjetshme”, apo i ndonjë lufte a konflikti të përjetshëm , sepse sipas materializmit dialektik shkencor, nuk ekziston asgjë e përjetshme dhe, asgjë absolute, por relative dhe e ndryshueshme sipas ligjeve të natyrës.

Cila është baza juridike ndërkombëtare  e Marrëveshjes për formimin e Zajednicës serbe në Kosovë?

Duke qenë se Kosova nuk ka të drejtë të jetë palë e asnjë traktati ndërkombëtar qoftë dypalësh, qoftë shumëpalësh ngase ende Organizata e Kombeve të Bashkuara nuk e ka njohur cilësinë e subjektivitetit të saj juridik ndërkombëtar sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e ka dhënë opinion e saj pozitiv se pavarësia e Kosovës nuk është në kolizion me normat e së drejtës ndërkombëtare (22 korrik 2010).

Baza juridike e  çdo traktati ndërkombëtar, së këndejmi edhe e Marrëveshjes për formimin e Srpska zajednicës në Kosovë, de fakto dhe de jure është kjo:

- Së pari, Kosova duhet të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara; së dyti, të jetë anëtare-palë nënshkruese e Konventës së Vjenës mbi të drejtën e traktateve (1969); së treti, pasi Serbia ta ketë njohur Republikën e Kosovës; së katërti, pasi Kosova t’i ketë të zgjidhura të të gjitha çështjet kontestuese me Serbinë kolonialiste, duke zbatuar edhe parimin postliminium, sepse pas përfundimit të luftës, në Kosovë, ende mungojnë mbi “1647” persona të zhdukur; së katërti, pasi Serbia t’i ketë paguar reparacionit e luftës për të gjitha dëmet e shkaktuara në Kosovë; së pesti, pasi Serbia t’i ketë tërhequr të gjitha strukturat kriminele paralele nga pjesa veriore e Kosovës.

Në kuptim të ngushtë (Kosovë – Serbi) , kjo do të duhej të ishte ecuria metodologjike e pajtimit paqësor me Serbinë, kurse në kuptim të gjerë dhe të drejtë, pasi ajo t’ua njihte të drejtën e vetëvendosjes Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës së Shqipërisë Etnike.

Së fundi, si qeveria, ashtu edhe Kuvendi i Kosovës, do të duhej ta mbanin parasysh faktin se, nuk kanë të drejtë të miratojnë dhe të ratifikojnë marrëveshje politike me Serbinë, që janë në kundërshtim me normat dhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare.

Derisa Kosova nuk njihet nga Kombet e Bashkuara, nuk është subjekt juridik i së drejtës ndërkombëtare. Prandaj, të gjitha marrëveshjet e lidhura me Serbinë nuk kanë kurrfarë vlere dhe, kurrfarë detyrimi bilateral për zbatimin e tyre në praktikë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat