“Bota sot” është shembulli më i mirë i gazetarisë së lirë dhe të pavarur

Opinione

“Bota sot” është shembulli më i mirë i gazetarisë së lirë dhe të pavarur

Nga: Skënder Kapiti Më: 27 qershor 2021 Në ora: 15:44
Foto ilustrim

Duke marrë shkas nga 26 vjetori i gazetës “BOTA SOT”, Ju lutemi pranojeni edhe këtë urim timin me këtë rast. Urime përvjetorin e 26 -të Gazeta “Bota Sot”, urime gazeta gjithkombëtare, e lirë, e pavaruar, e guximshme dhe tribunë e intelektualizmit të vërtetë. Po e specifikoj se këtë urim po ta bënë një qytetar nga Shqipëria, me origjinë nga Kosova, një intelektual dhe opinionist i kësaj gazete dhe njëkohësisht një veteran i UÇK-së, Skënder KAPITI. Gazeta “Bota Sot” me këtë rast ka marrë mjaft urime, përshëndetje e mirënjohje nga personalitete të letrave, shkrimeve dhe nga opinionistë e intelektualë të tjerë, por unë do të përmënd diçka specifike si urim e mirënjohje ndaj saj.

“Bota Sot” kur vinte në Shqipëri unë interesohesha në maksimum për ta gjetur e siguruar atë, pasi ne këtu në Shqipëri për 50 vite ishim bllokuar nga terri informativ dhe tepër pak lexohej dhe për të mos thënë se asgjë nuk mësonim për gjendjen dhe as për realitetin kombëtar në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi. Jo vetëm në kohën e regjimit komunist, por as qe prej 30 vitesh në gazetat që dalin në Shqipëri, pothuajse që të gjitha shumë pak dhe rrallë herë informojnë publikun këtu në Shqipëri për çfarë ndodh në Kosovë, kur krejtësisht të kundërten bënë gazeta “Bota sot”, e cila jep lajme të të gjitha fushave në një kohë rekord. Prej saj mësojmë se çfarë ndodh jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Maqedoni, Preshevë e kudo ku ka shqiptarë, kur gazetat që dalin në Shqipëri nuk kanë parësore agjendën kombëtare, por gazetat e Tiranës si të parë, kanë si agjendë atë grindavece e përçarëse politike, atë të krimeve e kronikat e zeza. Madje te gazeta “Bota sot” gjen, lexon dhe mëson edhe nga shkrimtarët, dijetarët dhe intelektualët shkencëtarë patriotë e kombëtarë si Eshref Ymeri, Aurel Dasareti, Uran Butka,Vilhelme Haxhiraj , Fahri Dahri etj., të cilëve mediat e Tiranës u bëjnë embargo mediatike. Pra “Bota sot” duke qenë e tillë unë me të drejtë e quaj atë gazetë gjithëkombëtare.

Gazeta më e madhe shqiptare gjithëkombëtare “Bota sot” nuk meriton që të përshëndetet vetëm kur ka përvjetorin e lindjes së saj, por unë vendosa të shpreh shkurt diçka specifike dhe në mënyrën e thjeshtë për meritën e madhe që ka ajo si gazetë, si dhe drejtuesi i saj së bashku me stafin e saj për atë rol gati unikal të saj për lajmet dhe informacionet rekord që mësojnë shqiptarët për ngjarjet, për eventet jo vetëm politike por edhe të të gjitha fushave e lëmive socialë, ekonomikë, historikë, filozofikë, artistikë, shkencorë e sportivë që zhvillohen në tërë hapësirat shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi e në diasporë, si dhe ngjarjet më të rëndësishme botërore.

”Bota sot” është shembulli më i mirë i gazetarisë së lirë, të pavarur ku individit dhe intelektualit i jepet mundësia që të shpreh opinionin dhe mendimin e lirë, personalitetin dhe individualitetin e tij intelektual sipas këndvështrimit të tij, pasi “Bota sot” nuk ka korniza kufizimi e as subjektivizmi ndikues e impoinues nga ana e pronarit të saj, gjë e cila i ka dhënë kësaj gazete statusin gjithëkombëtar më të lexueshëm.

Te “Bota sot” ka hapësirë mediatike të lirë për të gjithë gazetarët, analistët, opinionistët, intelektualët dhe shkrimtarët kudo që ata jetojnë, edhe nga Shqipëria madje ku mediat e panumërta të Tiranës u bëjnë embargo, dhe paragjykojnë, seleksionojnë dhe janë në dispozicion vetëm të preferencave, interesave dhe vullnetit të pronarëve të mediave servile të politikës dhe pushtetit. Urime Gazeta “BOTA SOT”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat