T’i jepet fund njëherë e përgjithmonë diskriminimit të banorëve të 14 fshatrave të trevës së Rugovës!

Opinione

T’i jepet fund njëherë e përgjithmonë diskriminimit të banorëve të 14 fshatrave të trevës së Rugovës!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 28 qershor 2021 Në ora: 12:31
Rexhep Elezaj

Populli shqiptar i Kosovës, nuk e kishte rrokur pushkën me 1997-99 për t’u çliruar nga armiku serb vetëm sa për ta larguar okupatorin dhe robërinë e egër, por para së gjithash për ta fituar lirinë e ndalur për gati dy shekuj, dhe që atë liri ta gëzon dhe shijon si popull i lirë dhe autokton, duke ndërtuar një jetë të sigurt dhe më të begatshme, për veten dhe familjen e tij, e, që falë rezistencës popullore, heroizmit dhe luftës çlirimtare të bijve të tij trima, liria më në fund u arrit me 10 qershor 1999.

Mirëpo, ajo që ka ndodhur me të drejtat dhe pronat private të banorëve të 14 fshatrave autoktone në trevën e Rugovës pas bërjes së Kosovës shtet i lirë dhe i pavarur, me 17 shkurt 2008, pra një diskriminim i tillë nuk ka ndodhur askund dhe asnjëherë në Kosovë.

Së pari, qeveria e asaj kohe, “Qeveria-Thaçi-1”, do e nxjerr dhe miraton ligjin më antikombëtar që e ka njohur  ndonjëherë historia e Kosovës, “shpalljen kësaj treve “Park Kombëtar” (Nr. 04/L-086- 21. 01.2013), me të cilin ligj mbi 20.000 banorëve të Rugovës iu konfiskohet e drejta mbi pronat private, veprim i cili nuk ka ndodhur as në ish Jugosllavi. Pra, me atë ligj krejtësisht antikushtetues, diskriminues dhe mohues te të drejtave themelore të qytetarit që të posedon pronë private të trashëguar nga të parët e familjes, është bërë pa asnjë dyshim, diskriminim dhe mohim i plotë i të drejtave themelore të njeriut për jetë si dhe posedim të pronës private, të garantuara me kushtetutë. E drejta e njeriut për jetë dhe pronë private është e shenjtë dhe e pacenueshme kudo në botë, prandaj nuk ka ligj që njeriut mund t’ia mohon të drejtën për jetë, mbase shteti është i obliguar që secilit qytetar t’ia garantojë dhe sigurojë jetën, edhe atyre që nuk posedojnë shtëpi, ushqim dhe prona private.

Prandaj, ky ligj diskriminues dhe antikushtetues duhet të abrogohet sa më para nga Kuvendi i Kosovës!

Së dyti, me Ligjin nr. 04/L-174 (23.08.2013) për planifikim hapësinor, është bërë diskriminimi tjetër edhe më i rënd ndaj të trevës së Rugovës, me të cilin ligj banorëve të kësaj zone iu është marrë e drejta themelore dhe e garantuar me Kushtetutë, që në tokat e tyre private të ndërton shtëpi, kasolle, vatha për bagëti, punëtori dhe biznese private për të mbijetuar etj., duke ua përcaktuar madje edhe vet planin e ndërtimit, gjë e cila nuk ndodhë as në Zvicër, as në Gjermani, sepse zonat malore-kodrinore iu nënshtrohen ligjeve të veçanta e jo ligjeve të urbanizmit nëpër qytete, kështu që, diskriminimi mbi të drejtën për jetë dhe zhvillim të lirë të banorëve të trevës së Rugovës është bërë disa herë më i rënd. Pra, edhe ky ligj duhet të ndryshohet patjetër nga ana e Kuvendit të Kosovës..!?

Image

Së treti, trevës heroike dhe legjendare të Rugovës, me 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë të Austrisë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Skënder Hyseni, si tre pushtetarët kryesorë, e kanë nënshkruar marrëveshjen e tradhtisë së madhe kombëtare, për demarkacionin me Malin e Zi, duke ia falur 8300 hektarë të tokave më të mira dhe më të bukura të trevës së Rugovës, malazezve..!?

Së katërti; në vitin 2019 janë bërë tentime kriminale nga ana e disa individëve në Ministrinë e ambientit dhe planifikimit hapësinorë në Prishtinë (emrat e njohur për banorët e Rugovës), që uji i lumit “Bistrica” (Lumbardh), një perlë e mrekullueshme e Grykës pitoreske të Rugovës, që të futet (vidhet) në gypa për ngritjen e 5 mini-hidrocentraleve, dhe atë për përfitime puro kriminale, si dhe me 2020 pati filluar ngritja e Laurës (rampës) në hyrje të kësaj Gryke, për t’i plaçkitur banorët e kësaj treve, por edhe vizitorët, me 1 euro, gjegjësisht nga 3 euro për makina të mëdha, e gjithë kjo maskaradë,  për qëllime të pasurimit antiligjor të disa hajnave ordinerë në Prishtinë dhe Pejë..!?

Së pesti, ndërprerja e rregullimit dhe asfaltimit të rrugëve në këtë trevë sipas planit paraprak të aprovuar nga komuna, masë kjo absurde po realizohet këto ditë nga ana e Ministrisë për planifikim hapësinorë, e cila, madje ditë më parë kishte dërguar në Rugovë Njësinë Speciale të policisë si dhe disa inspektorë që t’i pengojnë punimet edhe në prona private, është pa asnjë dilemë, maja e Aisbergut të humbjes së durimit të banorëve të kësaj zone..!?

Po ku ndodhë në botë që shteti të mos i lejon qytetarët e vetë të ndërtojnë çfarë të duan në pronat private, në vend se t’u përgjigjet gjitha kërkesave të tyre, duke iu siguruar tërë infrastrukturën përcjellëse në mënyrë që t’ua bëjë jetën sa më të lehtë, sidomos në trevën e bukur të Rugovës, duke ua mundësuar kthimin sa më të madh banorëve të kësaj treve për të jetuar në trojet e tyre stërgjyshore. Pra, duke u ndihmuar që ta zhvillojnë sa më shumë turizmin privat, si mundësi për një jetë më të mirë dhe më të begatë në vendin ku për atdhe dhe liri u kanë rënë gjyshe e stërgjysh, duke e mbrojtur çdo pëllëmbë tokës nga armiqtë barbarë serbo-malazez.

Madje, një funksionarë shtetëror (emri i njohur për autorin e këtij shkrimi) ditë më para paska shkretuar rënd, se gjoja rrugët e ndërtuara deri tani në fshatrat e trevës së Rugovës, “na qenkan rrugë të votave dhe rrugë të maleve..”, për të cilën deklaratë, jam i sigurt se do ta merr përgjigjen meritore në zgjedhjet e ardhshme komunale që do mbahen me 17 tetor 2021..!?

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat