Raporti jopërkatës në mes prindërve dhe fëmijëve-shkaktar i formave të degraduara

Opinione

Raporti jopërkatës në mes prindërve dhe fëmijëve-shkaktar i formave të degraduara

Nga: Prof.Dr.Kadri Bicaj Më: 3 korrik 2021 Në ora: 17:37
Prof.Dr.Kadri Bicaj

Studimet e raporteve ndërmjet prindërve dhe fëmijëve tregojnë se familja ushtron ndikim të fuqishëm tek ata. Familja, përveç ndikimeve pozitive, mund të luajë edhe rol negativ në procesin e formimit të anëtarëve të rinj - fëmijëve. Kemi raste ose raporte familje-fëmijë që nuk realizojnë edukim pozitiv dhe për rrjedhojë fëmijët nuk fitojnë bazat e nevojshme të edukimit moral, shprehitë për punë dhe përvojat pozitive. Te ata, jeta në rrethin familjar, në veçanti, mund të shërbejë vetëm si shembul negativ i sjelljeve të tyre kriminale. Në këtë grup bëjnë pjesë në radhë të parë familjet e dhëna pas alkoolit, pijeve narkotike, alkoolizmit apo drogave të ndryshme, prostitucionit, grindjeve familjare e mospajtimeve, braktisjeve, avanturizmat dhe dukuritë e ngjashme të patologjisë sociale familjare si familje të degraduara dhe të shkatërruara. Në familje të tilla ekzistojnë raporte të degraduara familje-fëmijë me shëmtime edukative, si formë e përshtatjes sociale kundër kriminalitetit në forma të ndryshme, të rrezikshme për shoqërinë që manifestohen me nxitjen e fëmijëve që edhe ata të marrin p.sh. pije narkotike, alkool, të vjedhin dhe të kryejnë vepra të ndryshme penale. Këto dukuri mjerisht nuk janë të rralla në kohët e fundit te disa familje të degraduara, deficiente dhe të mangëta.

Shumë njerëz mendojnë se edukata e shëndoshë familjare bashkëkohore shpie kah sjelljet e njerëzishme, në të kundërtën kemi fëmijë pa edukatë, huliganë, vagabandë, me sjellje të vrazhdta e krime dhe persona pa vlerë, të pandershëm dhe pa dijeni të mjaftueshme për jetë.

Disa familje kanë raporte të tilla ku shfaqen pasionet primitive e të degraduara të lidhura me aktivitete kriminale, të cilat i bartin te fëmijët e tyre me shembuj negativë. Në vend që ndaj fëmijëve të tyre të kenë cilësi të larta emocionale e dashurie, por jo në atë masë ku në disa raste ndodh që të disa familje nga dashuria e tepruar ndaj fëmijës, shpeshherë t'u ofrojnë cigare, alkool, ku i mësojnë të thithin tymin e duhanit apo ngritjen e ndonjë gote alkool e nuk paramendojnë se me ato veprime sociopatologjike e shkatërrojnë qenien më të dashur, frytin e vet - fëmijën.

Lidhur me këtë mund të konkludojmë se, fëmijët duhet t'i ruajmë që mos t' nxisim në disa forma të rrezikshme të kriminalitetit, pasi ata janë personalitete të mëdha dhe ata nuk duhet t'i harrojmë edhe nëse kemi probleme të përditshme familjare - ata duhen me pasione të larta emocionale dashurie, por jo në atë masë që të humbim kokën pas dashurisë së tepruar ndaj tyre.

Roli i familjes, në aspektin e sjelljeve të ndryshme kriminale e të sjelljeve të tjera devijante në përgjithësi, është shumë i madh në raportet e tyre jopërkatëse. Prindërit kanë për detyrë të kujdesen për edukimin e fëmijëve të tyre. Ata janë shumë përgjegjës për çrregullimet dhe sjelljet e tyre devijante të shprehura me veprimtari të ndryshme kriminale, në të kundërtën raportet e ndryshme jopërkatëse familje-fëmijë, janë terren i përshtatshëm për përvetësimin e sjelljeve të ndryshme devijante e një ndër to është edhe kriminaliteti i organizuar sociopatologjik me mjete narkotike ose drogë.

Për këtë faktor ndikues kriminogjen, disa kriminolog kan thënë se: "raporti prind-fëmijë është me rëndësi të veçantë dhe në disa punime shkencore-kërkimore konsiderohet si faktor dhe shkaktar primar në pengimin e sjelljeve negative të fëmijëve. Kërkimet kriminologjike, në këtë drejtim, flasin për përqindjen e madhe të të miturve delikuentë të cilët rrjedhin nga familjet ku ka pasur raporte të këqija ndërmjet prindërve dhe fëmijëve".

Sjelljet tepër të rrepta, dënimet e vrazhdta ndaj fëmijëve, aplikimi i rrahjes, dënimet fizike, torturimet psikike ndaj fëmijëve, përherë ndikojnë në mënyrë negative në formimin e tyre, ku rëndom familjet e tilla ata i braktisin. Më pastaj, ata fëmijë pa mbikëqyerje familjare bëhen agresivë dhe me trauma të shumta. Ata, pastaj lëshohen pas vjedhjeve dhe grupeve shoqërore që kanë sjellje të rrezikshme kriminale me një jetë të tyre problematike, ku natën e kanë jetë ndërsa ditën e kalojnë duke fjetë.

Sipas kriminologes së mirënjohur amerikane Mejbel ELIOT, e cila në këtë drejtim përmend edhe rastet e qëndrimit të ashpër dhe johuman të njerkës dhe njerkut, të cilët shpesh aplikojnë dënime dhe tortura fizike dhe psikike ndaj thjeshtërve, të cilët fëmijë nga këto martesa çojnë jetë të mundimshme kur njëri nga bashkëshortët nuk ka raporte të mira me fëmijët thjeshtër të tjetrit bashkëshort e që nga këto familje, kemi të mitur me sjellje devijante që rrjedhin nga këto familje, dhe, të cilët si shkaktarë të sjelljeve delikuente dhe kriminale përmendin qëndrimin e ashpër dhe të vrazhdët nga dënimet fizike që kanë përjetuar nga prindërit gjegjësisht njerkut apo njerkës.

Lidhur me këtë po ashtu M. ELIOT, ka thënë: "Femra - nëna, vështirë mund t`ua kthejë shpinën fëmijëve të saj".

Sipas kësaj del se raportet prindër-fëmijë janë faktorë me rëndësi në zhvillimin, formimin dhe edukimin e të miturve që nga fëmijëria e hershme e deri në moshën e tyre të mëtejme. Pra, familja ka ndikim pozitiv në orientim të drejtë të fëmijëve, mirëpo kemi edhe aso familjesh që nuk i kryejnë këto funksione dhe detyra që janë faktorë të rrezikshëm kriminogjenë dhe janë burime të përhershme të formave të ndryshme tipike të kriminalitetit me sjellje socio-patologjike.

Në vend të përfundimit – konkretisht, çdo familje prind e në veçanti çdo nënë kujdeset për fëmijën e vet, që ai të jetë i shëndetshëm me shëndet të mirë në aspektin subjektiv, pa çrregullime mentale, i arsimuar e në radhë të parë i njerëzishëm me vlera njerëzore civilizuese i cili e kupton çka është mirë e çka është keq. Aty ditë për ditë në mënyrë të vzhdueshme dhe shumë të natyrshme fëmija edukohet me normat morale. Tek brezi i ri ndikojnë një seri faktorësh dhe mjetesh shoqërore të ndërthurura njëra me tjetrën. Por, është e ditur se familja luan rolin kryesor në pikëpamje të edukimit dhe përgatitjes për jetë të njeriut të ri, duke filluar nga fëmijëria e hershme e tij për shtytjen në përvojat e veta të para jetësore dhe përftyrimet mbi jetën, pikëpamjet e veta, normat morale dhe vlerat, shprehitë dhe prirjet të cilat ndikojnë në sjelljet e tij të mëvonshme dhe të gjitha virtytet e mira, sjelljet dhe qëndrimet e njeriut i marrin në familje, lidhur me parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat