Qeveri e mirë është ajo që nuk e vjedh popullin e vet

Opinione

Qeveri e mirë është ajo që nuk e vjedh popullin e vet

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 6 korrik 2021 Në ora: 08:13
Qeveria e Kosovës

Qytetarët e Kosovës kanë duruar mjaft shumë, të nëpërkëmbur nga pushtuesit e huaj, një ditë ëndërronin të kenë shtetin e tyre. Kjo ditë erdhi, jemi të lirë dhe shtet i pavarur që nga 2008 e këndej. Për 13 vjet rresht, shpresa ka prodhuar dëshpërimin, shpresat janë abortuar më shumë se një herë. Tanimë, s’ka mbetur asgjë, është koha e fundit që qeveria të punojë për vendin, shqiptarët dhe të gjithë të tjerët që jetojnë në Kosovë të shohin pakëz dritë. Dritë që ka munguar, dhe e cila s’po vjen dot, ndonëse shumë herë kemi shpresuar.

Erdhën, vodhën dhe ikën, ata tek të cilët shpresonim shumë, janë të lirë, askush nuk i prek, për më tepër edhe mbajnë moral politikë në studio televizive. Disa janë shndërruar në analistë, disa vazhdojnë me demagogji të propagandojnë, harrojnë se maskat iu kanë ra moti, i njohim të gjithë. Me një pagë të deputeti, ministrit apo kryeministrit s’ka mundësi as teorike që të bëni pasuri më shuma marramendëse, mjafton kjo për të kuptuar se “kanë vjedhur”, pra s’janë para të ndershme.

Para, luks, jetë të shfrenuar, kështu karakterizohet jeta e politikanëve shqiptarë, si në Kosovë dhe Shqipëri, me gjendjen e mjeruar të popullit, për të cilin askush nuk kujdeset. Tanimë në Kosovë është një qeveri e re, e cila duket se po përpiqet që të ndal luksin, të kursejë paranë publike, të jetë në shërbim të qytetarëve, duke përdorur paratë e luksit në nevoja të tyre elementare.

Realisht për 100 ditët e para janë kursyer 300 milionë euro, pra 1 milion euro në ditë, e të cilat kanë qenë para të luksin, të informalitetit, pra, me një vullnet sado modest mund të bëhen gjëra të mëdha, të cilat kanë mundur të bëhen shumë më parë. Përveç kursimit, këto para është me rëndësi që të shpenzohen për të mirën e qytetarëve, pra t’u kthehet atyre në mënyrën më të mirë të mundshme, aty ku ata kanë nevojë. Sigurimi shëndetësor me këto para mund të bëhet, është e turpshme që qytetarët e Kosovës nuk kanë sigurim shëndetësor. Nëse nuk e bën për 4 vjet një gjë të tillë, Albin Kurti s’ka pse krenohet për qeverisje të mirë, edhe pse mund të bëjë punë të mira, kryesorja është shëndeti, mjerisht i lënë pas dore.

Ka edhe shumë gjëra të tjera të cilat kanë nevojë për tu përmirësuar, e të cilat janë rrëzuar për 20 vjet me radhë, nuk është e lehtë por jo e pamundur. Te qeveria e re, qytetarët kanë shpresa të mëdha, kjo u pa edhe me fitoren e tyre me 5.2 %, duke dëshmuar se qytetarët të gjitha shpresat i kanë tek kjo qeveri, e cila në rast së dëshpëron qytetarët, do të jetë një shtytje e fortë për të marrë rrugët e botës.

Albin Kurti e ka shansin historik për të mbetur në histori si një hero që kthehu shpresën, apo si një mashtrues që lozi me ndjenjat e qytetarëve të dëshpëruar. Koha do ta vërtetojë se cilin epitet do ta marrë Albini me punën ose mos punën e tij. Qytetarët e Kosovës meritojnë të jetojnë të ndershëm me djersën e tyre, meritojnë jetë më të mirë, më shumë se kushdo tjetër meritojnë të shijojnë frytet e lirisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat