SHBA të zëvendësojë Matthew Palmerin në dialogun Kosovë-Serbi

Opinione

SHBA të zëvendësojë Matthew Palmerin në dialogun Kosovë-Serbi

Hafiz Shala - New Nork Nga Hafiz Shala - New Nork Më 7 korrik 2021 Në ora: 23:38
Matthew Palmer

Shpresë me të drejtë e pritur që SHBA edhe kësaj here so të na ndihmojnë në:

-Moslejimin e themelimit të kancerit politik në shtetin e Kosovës, “Zajednicën”,

-Zëvendësimin e zotit Matthew Palmer si i deleguar i SHBA-ve në ndërmjetësimin e dialogut, Kosovë-Serbi, dhe

- Kushtëzimin e kthimit të serbëve në Kosovë, me kthimin e të pagjeturit të fundit nga Serbia

Në momentin kur po tentohet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare në mes të dy popujve, atij autokton shqiptar me shekuj në trojet e tyre dhe atij serb, i cili u shpërngul nga shpellat e Karpateve ruse, të cilët, duke grabitur toka shqiptare përmes dhunës, përndjekjeve dhe gjenocidit, deri në shekullin 21, nuk ndalen me kërkesa të pa drejta e të bazuara ndaj shqiptarëve.

Bashkësia Ndërkombëtare, Evropa dhe Amerika, në këtë rast të përkushtuar që sagën armiqësore të këtyre dy popujve ta përfundojnë me marrëveshje të qëndrueshme me njohje reciproke, nuk mund ta arrijnë përderisa nuk i vlerësojnë rrjedhat historike, statusin e agresorit dhe viktimës, shkaktarin e katër luftërave në ish-Jugosllavi dhe udhëheqjen aktuale të shtetit serb, duke vlerësuar të kaluarën e tyre, dhe njëherësh, duke i kërkuar, distancimin nga gjenocidi i ushtruar nga ish-udhëheqësi serb, Sllobodan Millosheviq dhe kërkimfaljen e paevitueshme ndaj viktimave të terrorit serb.

Nëse, Bashkësia Ndërkombëtare mund të jetë e vendosur në këto parakushte, gjasat mund të jenë më reale që të arrihet një pajtim, gjithnjë duke menduar në gjeneratat e reja që, assesi, krimet nuk mund të harrohen, por për hir të paqes, të pajtohen që të jetojnë jo më në armiqësi dhe urrejtje.

Bashkimi Evropian, duhet të jetë më i vendosur për zbatimin e këtyre kritereve, ani pse, ai, ishte njëri ndër toleruesit dhe përkëdhelësit të Serbisë, historikisht, por, edhe gjatë etapave të tentim bisedimeve në mes këtyre dy popujve në kushte dhe status jo të barabartë.

Evropa, ende, nuk po mund që të zhvishet nga lëkura e viteve 1878-1919, por edhe në shekullin 21, sa duket me atë mendësinë se “Serbisë iu është bërë e padrejtë me shkëputjen e Kosovës nga gjiri i saj” e cila, kurrë nuk ka qenë, sepse, Kosova ishte njësia e 8-të Federale e ish-Jugosllavisë e assesi pjesë përbërëse e Serbisë.

Kosova, më 17 shkurt e shpalli pavarësinë me bekimin edhe të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si akt legjitim dhe në përputhje më Konventat Ndërkombëtare për Vetëvendosje.

Evropa, për hir të mos unitetit të brendshëm, të dy bashkëbiseduesit për arritje e marrëveshjes përfundimtare, i lë në pozita të pabarabarta, Kosovën nuk e njeh si shtet të pavarur për arsye qesharake dhe tragjikomike, sepse, nuk e njohin 5 shtete të Evropës.

Tani, Kosova, me të drejtë dhe në mënyrë të paluhatshme, kërkon njohje reciproke për të qenë e barabartë në bisedime për faktin se në Kushtetutën e Serbisë, Kosova figuron si pjesë e saj.

Në këto rrethana, nuk mund të ketë bisedime në mes të dy palëve të pabarabarta.

“Zajednica”, kancer në trupin e lënduar të Kosovës

Jam i bindur se SHBA-të nuk do të lejojë që fëmija i saj të jetojë me këtë sëmundje të pashëruar.

Falë fatkeqësisë së bisedimeve të dëmshme, të padefinuara mirë, të papërgatitura dhe servilizmit të udhëheqjes së asaj kohe, me pëlqimin e tyre, u pranua themelimi i “Zajednicës”, element bllokues i funksionimit të shtetit të Kosovës dhe paralajmërim i shkëputjes së pjesës veriore me asetet më të pasura nëntokësore e mbitokësore, Trepça dhe Ujmani, të cilat, falë pakujdesisë, koncesionit dhe papërkushtueshmërisë, ky i fundit (Ujmani), në Zotimin e 4 shtatorit, u pranua që edhe Serbia të bëhet hisedare e pa qenë, por e imponuar nga Administrata e Donald Trump dhe e dërguarit të tij Grenell, e pranuar nga Qeveria Hoti.

Qeveria e Kosovës, me kohë ka sinjalizuar se Ujmani si liqen artificial, është në territorin e Kosovës dhe i takon asaj.

Shfrytëzimi i ujërave, të cilat kalojnë nëpër disa shtete siç janë, lumenjtë, liqenjtë, detet, por edhe rezervuaret e përbashkëta, rregullohen me Traktate Ndërkombëtare.

Liqeni i Ujmanit, u themelua, ndërtua, financua e mirëmbajt nga ana e Krahinës Autonome të Kosovës deri në vitin 1989 kur u suprimua Autonomia me dhunë dhe u mor me dhunë nën kontroll nga organet paralele serbe, i cili me sa duket, ende qëndron nën mbikëqyrjen e tyre.

Pra, “ Zajednica” është një pushtet i tretë një etnik, i cili vjen në kundërshtim me parimet e një etnicitetit përderisa Republika e Kosovës u bë shtet shumë etnik me pakica nën 5%, duke filluar nga pakica serbe e deri të pakicat tjera etnike.

Edhe sa lëshime duhet t’i bëjë Kosova për t’i “qetësuar” serbët, të cilët nuk e njohin Kosovën si shtet të tyrin, por veprojnë sipas direktivave të Beogradit.

Pse, Kosova duhet të lejojë që Serbia të ndërhyjë sot në punët e brendshme të saj kur është shtet i pavarur dhe në bisedime më Serbinë, nuk bisedohet për këto çështje.

Kushtetuta e Kosovës si akti më i lartë i drejtësisë, këtë ngrehinë artificiale, në 23 nene e ka shpallë të pazbatueshme.

Duhet të sqarohet dhe definitivisht të eliminohet ambiguiteti në mes emërtimit në gjuhën shqipe dhe asaj anglishte së për çka bëhet fjalë, Asociacion apo “Zajednicë”.

Nëse BE-ja e përkrah një lloj të këtillë organizimi në trupin e Republikës së Kosovës, e pamundëson funksionimin normal si shtet sovran dhe i pavarur. Ndërsa, SHBA-ja nuk mendoj se do të pajtohet me një pengesë të tillë e cila e pamundëson funksionimin normal të shtetit të Kosovës në të cilin ka investuar shumë.

Spektri politik e shtetëror, duhet të jetë unik lidhur me këto çështje esenciale për Republikën e Kosovës dhe të eliminojë ndasitë në mes të komuniteteve si e vetmja shpresë për të jetuar në liri dhe harmoni.

Zëvendësimin e zotit Matthew Palmer si i deleguar i SHBA-ve në bisedimet Kosovë- Serbi

Qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës, nuk janë të kënaqur me qëndrimet dhe supozimet e zotit Palmer rreth bisedimeve Kosovë-Serbi si dhe insistimin e tij të paluhatur rreth formimit të Zajednicës si “obligim” nga marrëveshjet e dëmshme të nënshkruara nga ish-udhëheqësit të cilët, shtetin e Kosovës i themeluar me mund dhe sakrificë, u munduan ta paralizojnë sipas diktatit të udhëheqjes aktuale shtetërore serbe, të cilët hasen në servilët, të shantazhuarit dhe karrieristët dhe ia hapën rrugën Serbisë dhe i pranuan apetitet e saj edhe për shumë kërkesa tjera të papranueshme dhe të dëmshme për Kosovën.

Më duhet ta ceku se lidhjet miqësore familjare të zotit Palmer me Serbinë, bashkëshortja e tij serbe, lidhja e tij emocionale dhe ndikimi obligativ ndaj familjes, bashkëshortes, fëmijëve të cilët janë emocionalisht të lidhur me Serbinë, e flasin gjuhën serbe dhe zoti Palmer, vet është deklaruar se vitet pas pensionimit, me dëshirë do t’i kalonte në Serbi.

Asgjë e jashtëzakonshme e asgjë jonormale për një shtetas dhe funksionar amerikan, po mos të ishte në këtë detyrë, është e pamundur që zoti Palmer të mos jetë i ndikuar nga presioni familjar, që megjithatë të anojë në anën e Serbisë.

Për ta liruar zotin Palmer nga ky dyshim, do të ishte e udhës që Departamenti i Shtetit ta zëvendësonte me ndonjë ndërmjetësues tjetër, me gjithë respektin, njohurit e zotit Palmer me problemet e Ballkanit Perëndimor, dyshimet dhe rezervat ndaj zotit Palmer, nuk mund të eliminohen. Populli e ka një thënie: “hiqma tutën, po ta fali atin”. Lë të na kuptojë zoti Palmer, sepse është në pyetje fati i Republikës së Kosovës që të funksionojë si shtet sovran dhe i pavarur.

Kushtëzimi i kthimit të serbëve në Kosovë me kthimin e të pagjeturit të fundit nga Serbia

Mosnjohja nga ana e Serbisë, mos kërkim falja, mosgatishmëria për pendim ndaj krimeve ndaj shqiptarëve, mos ndjenja humane e njerëzore ndaj familjarëve, të cilët presin që 22 vjet t’u kthehen mbetjet mortore për t’ua ditë varret dhe për t’i qarë e kryer ceremonitë e dinjitetshme të varrimit, është një sjellje, arrogante, johumane, nënçmuese, denigruese e poshtëruese mu ashtu siç i poshtëroi qytetarët shqiptarë, me dhunime, me vrasje bizare, masakrime, të te gjitha moshave dhe gjinive gjatë gjenocidit të fundit të ushtruar me motive raciste, shteti i Kosovës duhet ta kthejë pllakën ndryshe dhe të vendos në interes të familjarëve si obligim shtetëror.

Republika e Kosovës duhet të sjell vendim në Parlamentin e Kosovës që mos t’i lejohet asnjë ish-qytetari serb të kthehet në Kosovë pa i kthyer të gjitha mbetjet mortore nga varrezat masive serbe, njëherësh duke kërkuar evidencën e atyre qe janë djegë në furrat e shkritoreve, hedhjet në lumenj e humnera të atyre të cilët nuk mund t’i kthejnë, por duhet t’i sjellin dëshmi të cilat i posedojnë sepse, të gjitha viktimat të zhdukura nga regjimi i atëhershëm serb, duhet t’i kenë evidencat dhe në këtë mënyrë mos t’i lënë familjarët në pritje pa kufij, siç është rasti më veprimtarin e shquar, Ukshin Hoti dhe të tjerët.

Ky vendim duhet t’i bëhet me dije Serbisë dhe Bashkimit Evropian, i cili tregoi indiferencë, papërgjegjësi dhe papërkushtueshmëri, për hir të mos unitetit të brendshëm.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si demokraci e avancuar dhe humanizëm, të cilin e manifestojnë në të gjitha periudhat dhe etapat, shpresojmë që për hir të së ardhmes, krijimit të klimës së besimit ndëretnik dhe ndërnacional i dëmtuar me shekuj e vite, më në fund do të të krijojnë një klimë tjetër nëse mendohet për një të ardhme në paqe dhe bashkëjetesë.

Për ish-serben nga Gjakova, e cila këmbënguli për t’u kthyer në Kosovë, e cila e përlotur kërkonte “të drejtën e saj”, asnjëherë nuk i shkoi mendja te nënat gjakovare, të cilat 22 vjet i presin mbetjet mortore duke i shtruar tavolinat më aq qirinj sa i kishte të gjallë anëtarët e familjes, përderisa, çdo mbrëmje e mëngjes rrinë ulur me lot në sy e me shpresë të humbur.

Serbja e cila iu drejtua organeve të shtetit të Kosovës për t’ia mundësuar kthimin në Kosovë, duhet t’i drejtohet Vuçiqit, Bërnabiqit, Daçiqit, Vulinit e Petkoviqit, duke kërkuar kthimin e mbetjeve mortore për të pasur të drejtën e pakt moral, që të kthehen serbet e shpërngulur, shumica e të cilëve, kanë marrë pjesë në krime, posaçërisht ndaj fqinjëve shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat