Republika Serbe në Kosovë

Opinione

Republika Serbe në Kosovë

Nga: Lis Bukuroca Më: 11 korrik 2021 Në ora: 20:38
Lis Bukuroca

A ka premtuar Serbia njohjen e Kosovës për shtetin serb brenda Kosovës, të cilën po e quajnë „Asociacion“ apo „Zajednicë?“

Jo! Nëse jo, pse e nënshkroi akademiku „Zajednicën" ku shkelej 23 herë Kushtetuta? Ishte detyrë e tij të shkatërrojë jo vetëm LDK-në, por edhe të shpërbëjë Kosovën me një republikë serbe, e cila do t’ishte e pavarur nga Qeveria e Kosovës, apo ishte vazhdimësi normale e punës si në Krahinën Socialiste Autonome?

Meqenëse Serbia e konsideron Kosovën krahinë të veten, si arsyetohet republika serbe brenda krahinës serbe? Si të shpjegohet kjo skizofreni politike?

Pse përligjet shpërblimi i Serbisë - edhe nga Mustafa- dhe pse merren si të mirëqena halucinacionet shoviniste serbe për epërsinë hyjnore e racore ndaj shqiptarëve?

Pse Luginës i imponohet me dhunë vogëlsia racore përballë serbeve hyjnor?

Si mund të shpërblehet Serbia me një Asociacion, në fakt me një republikë me kompetenca ekzekutive pa kërkuar ndjesë dhe pa u penduar, madje edhe duke kërcënuar?!

Pse pa paguar dëmshpërblim për 20 gra të dhunuara, për 13.000 veta të vrarë, për 100.000 shtëpi të shkatërruara

për deportimin e 50% të popullsisë dhe pse pa i kthyer mbetjet e njerëzve të masakruar në  Serbi dhe të sekuestruar nga pinjollët e Millosheviqit?

Pse opozita nuk përpiqet të përmirësojë gabimet e tmerrshme të Thaçit dhe akademikut, por lufton me pasion për t’ia plotësuar dëshirat Vuçiqit dhe Dacit, Daçiqit? Pse Mustafa dhe Dulla që në kohën e Rugovës as që guxonin t’i afrohen LDK-së, sot janë militantët kryesorë për sendërtimin e „Zajednicës“?

Pse?

Republika Serbe brenda Kosovës do t’ishte shpërblim Serbisë duke shpërfillur  deportimet, masakrat dhe mjerimet e shkaktuara në Kosovë.

Ajo u shpërblye për gjenocidin në Bosnjë me një republikë, ku nuk kishte ekzistuar kurrë! Ajo u shpërblye me shtet kishtar në Kosovë dhe tani pret shpërblimin e tretë, Zajednicën, si „republikë online“ për 100.000 serb të shpërndarë nëpër Kosovë.

Çdo lloj autonomie serbe garanton mbetjen e Serbisë në Kosovë, por edhe të Rusisë! „Zajednica“ është parapërgatitje për konfliktin e ri dhe destabilizim i Kosovës, edhe i Maqedonisë. Edhe këto  i konvenojnë Rusisë. Me "Zajednicën" Veriu është një hap larg shkëputjes!

Rugova pat refuzuar autonominë substanciale para se të ishim çliruar. Kurti e refuzon republikën serbe pas çlirimit. A duhet të trishtohemi pse po e refuzon Kryeministri dëm/shpërblimin e Trumpit për Serbinë? Jo, ajo duhet të dëgjojë brengat shqiptare dhe, në rast se nuk bindet, atëherë fragmentarizmin e Kosovës ta pengojë me pranimin e Kosovës në NATO apo të garantojë integritetin territorial! Nuk mund të lejohet „Zajednica“ e Mustafës dhe Thaçit pa një garanci shtesë nga SHBA-të dhe Europa.

„Zajednica“ me pushtet ekzekutiv, do të kontrollohej nga Serbia dhe Rusia! Kjo duhet t’i bëhet e qartë Qeverisë Biden. Kjo dëshmohet edhe në Bosnjë. Serbet duhet të kenë po aq të drejta, sa shqiptarët e Luginës.

Po „pse s’i thoshe Amerikës më 1999-ën “kthej aeroplanat n’shpi se jemi sovran?“ Sepse atëherë nuk ishim sovran! Sepse atëherë ishim krahinë serbe! Sot jo. Dhe, SHBA, për fat nuk na konsideron koloni, por shtet sovran! Biden nuk është Trump!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat