Hajgaret e Simmons dhe ekzaltimi i Fatmir Limajt!

Opinione

Hajgaret e Simmons dhe ekzaltimi i Fatmir Limajt!

Faton Mehmeti, Bota sot Nga Faton Mehmeti, Bota sot Më 14 korrik 2021 Në ora: 15:06
Malcolm Simmons

Së fundi mori vëmendje të madhe deklarata e ish-kryegjyqtarit për misionin e sundimit të ligjit të BE-së në Kosovë, Malcolm Simmons, i cili akuzon EULEX-in, ku ishte edhe vet pjesë e tij, për komplot kundër figurave të larta të luftës. Reagimet ishin nga më të ndryshmet, mirëpo, nëse shohim pak më tutje deklaratat e z.Simmons nuk janë relevante. Të kujtojmë se Simmons dha dorëheqjen papritur si gjyqtar në vitin 2017 pasi u emërua në 2014. Ai më pas bëri një sërë akuzash kundër EULEX-it, i cili më pas zbuloi se vetë Simmons ishte subjekt i disa hetimeve për shkelje të dyshuara. Edhe në biografinë e tij gjejmë shumë të pavërteta, duke vënë në pah se ai ka trilluar shumë gjëra në biografinë e tij.

Sipas një hulumtimi të publikuar në faqen e Koalicionit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Evropën Juglindore, thuhet se Simmons nuk ka qenë asnjëherë i angazhuar si gjykatës në Angli apo Uells, duke shkelur kështu rregulloren e OKB-së që kërkon përvojë 5 vjeçare në vendet e tyre, para se të dërgohen në Kosovë. Madje Simmons akuzohet se nuk ka qenë kurrë i regjistruar as si avokat, një gjë që shpjegon më së miri se kush është në të vërtet Simoons.

Edhe ambasada Gjermane reagoi lidhur me deklarimet e tija, duke vënë theksin se Kuvendi i Kosovës nuk duhet t’i jap hapësirë një njeriu të tillë, me dëshmi të pavërteta. Pas deklaratave të z.Simmons reagoi Fatmir Limaj duke u paraqitur si viktimë, po të ishte edhe rasti “Kleçka” i montuar siç shpjegohet se Limaj nuk kaloi asnjë ditë në burg për këtë rast në Kosovë.

Duke ndjekur dëshminë e ish gjyqtarit të EULEX-it dhe duke parë biografinë e tij, nuk më mbushet mendja se ka të vërteta në akuzat e tija. Më tepër mendoj se janë gjëra personale të tij me ish udhëheqësit e EULE-it, se sa të ketë gjëra të vërteta. Mund të kemi shumë kritika ndaj misionit të EULEX-it, me apo patë drejtë-kjo është tjetër gjë, mirëpo nuk mendoj se deklaratat e z.Simmons janë krejtësisht të vërteta. Nuk besoj se s’ka pasur mundësi tjetër për të larguar nga skena politike ata të cilët pretendon z.Simmons, ata për të cilën flet zotëria në fjalë ka mundur bashkësia ndërkombëtare t’i arrestojë për hajninë që kanë bërë.

Mirëpo, është po kjo Evropë që nuk i ka penguar në hajnitë e tyre. Pse u dashka të krijohet EULEX, të shpiken të gjitha ato akuza për të futur në burg një ish komandat të luftës, kur dihet se ata kanë qenë në politikë me shumë afera korruptive, për të cilat ka mundur të arrestohen, për të cilën edhe qytetarët e Kosovës do t’u ishin mirënjohës.

Nuk besoj se kritikat, lëvdatat ndaj EULEX-it të bazohen nga dëshmitë e një njeriu, që më shumë gjasë janë të pavërteta. Jo më kot reagoi edhe ambasada gjermane, e cila nuk do të kishte reaguar kurrë nëse do të kishte sado pak të vërtetë në dëshminë e ish gjyqtarit në fjalë.

Nisur nga këto, nuk ka pse as Limaj dhe të tjerët të paraqiten si viktima, kur mjaft mirë e dimë se janë po të njëjtit që na kanë vjedhur që 22 vjet. S’mund të jesh edhe hero edhe hajn, heroi nuk vjedh vendin e tij për të cilin e jep edhe jetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat