Përshëndetja e Presidentit Biden në dekorimin e djalit të tij, Beau, rrit përgjegjësitë e qeverisjes në Kosovë!

Opinione

Përshëndetja e Presidentit Biden në dekorimin e djalit të tij, Beau, rrit përgjegjësitë e qeverisjes në Kosovë!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 4 gusht 2021 Në ora: 11:54
Presidenti amerikan, Joe Biden

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nderoi të dielën e kaluar djalin e presidentit të SHBA-ve, Beau Biden, duke e dekoruar me medalje. Nderimi i tij i takon shërbesës që djali i zotit Joe Biden bëri në Kosovë në fillimet e administrimit të saj nga ana e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Beau Biden vdiq në moshë të re, ndërkohë që një autostradë e cila kalon në bri të bazës ushtarake amerikane në Bonstill afër Ferizajt mban emrin e tij. Sot ai mori gjithë vëmendjen e shqiptarëve me rastin e ceremonisë së dekorimit nga ana e zonjës Osmani.

Në fakt, simbolika e këtij dekorimi dhe vlerësimi që Kosova i bën Beau Biden është shkëmbimi i energjisë dhe kontributeve që ai dha për Kosovën. I ati i tij, presidenti i sotëm i Amerikës, Biden, në videon e tij që i dërgoi para tri ditëve presidentes së Kosovës thoshte se “Beau Biden e donte Kosovën dhe shtetin e saj”! Ndërsa në shenjë nderimi e mirënjohjeje njeriu më i fuqishëm i botës angazhohej edhe njëherë se gjithmonë do të jetë pranë këtij shteti dhe pranë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.

Përshëndetja e presidentit Biden përmes një videoje ishte shumë miqësore, madje më shumë se kaq. Ishte premtuese, jepte optimizëm dhe shpresë se Kosova do të vazhdojë të mbështetet nga superfuqia më e madhe e botës. Sigurisht që marrëdhëniet midis të dy vendeve nuk janë marrëdhënie sentimenti, por janë lidhje strategjike. Kosova i duhet Amerikës së Madhe dhe Amerika i duhet akoma më shumë Kosovës. Kjo lidhje ka themele të hershme, por që u betonuan në pranverën e vitit 1999.

Dekorimi i Beau Biden nga Vjosa Osmani ishte një simbolikë fantastike, sepse me këtë rast u rikonfirmuan përkatësitë dhe qëllimet e përbashkëta midis shtetit më të ri në Evropë dhe shtetit më të fuqishëm në botë. Nga pikëpamja njerëzore ceremonia ishte humane, ashtu si edhe vetë bujaria e shqiptarëve. Nga pikëpamja e përgjegjësisë shtetërore dekorata ishte normale, sepse gjithkush që ka kontribuar dhe kontribuon për Kosovën duhet nderuar e respektuar. Ndërsa nga pikëpamja e aktit diplomatik dekorata për Beau Biden ishte gjetje shumë e zgjuar, sepse rizgjoi në opinionin ndërkombëtar kujtesën e kontributeve amerikane në Kosovë.

Një fjalë e urtë popullore thotë se “Është më mirë të dish, sesa të kesh”! Udhëheqësit e korruptuar e kanë mendjen te pasuria, te paratë dhe grabitja e pronave të patundshme. Historia e këtyre dy dekadave ka dëshmuar se në këto raste përkujdesja e udhëheqësve të korruptuar është të evidentohet individualiteti i tyre, të forcohet pozita në pushtet, me qëllim që pushteti të prodhojë para e pasuri. Në këtë rast nuk funksionon logjika e të qenit krijues në përdorimin e diplomacisë e të politikës në interes të vendit. Më shumë energji dhe investime bëhen për të gjetur dhe paguar shkrues librash për monografitë personale, sesa për konsolidimin e shtetit, përparimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Udhëheqësit e korruptuar lidhen më shumë me krimin e organizuar dhe interesat personale, sesa punojnë për interesat e vendit të tyre. Edhe kur bëjnë diçka, e cila konsiderohet si akt pozitiv për shtetin e kombin, pikënisja mbetet interesi personal. Kosova ka pasur fatin e keq që në të kaluarën e afërt të kishte në krye të shtetit pikërisht këtë kategori politikanësh. Ndërsa sot ajo ka ndryshuar qeverisjen e vet edhe në këtë pikëpamje. Vjosa Osmani me dekorimin e Beau Biden arriti të tërheqë vëmendjen e administratës amerikane e gjithashtu edhe të opinionit publik në SHBA. Përshëndetja e presidentit Joe Biden në këtë ceremoni dhe fjalët prekëse e të ngrohta të tij për Kosovën, si dhe garancitë për të ardhmen e saj, u bënë burim frymëzimi për të gjithë qytetarët e vendit.

Të tërheqësh vëmendjen e presidentit amerikan dhe të „imponosh“ një përshëndetje si ajo në këtë rast te ai është një vepër madhore. Do ta kishte zili një sukses të tillë edhe një president ose kryeministër i një vendi të madh. Por mbi të gjitha vlen fakti se ky komunikim i ngrohtë i presidentit Biden me presidenten e Kosovës dhe qytetarët e saj vjen në një moment vendimtar për shtetësinë e vendit.

Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj e kanë për detyrë që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për ta promovuar shtetin dhe vendin kudo në botë. Por e gjitha kjo varet nga mënyra e qeverisjes. Një deklaratë e kryeministrit Kurti për themelimin e Open Balkan thekson faktin se ky organizëm është iniciativë e udhëheqësve të korruptuar dhe kleptokratë të rajonit. Kjo do të thotë se ai e njeh dhe e vlerëson thellë domosdoshmërinë e ndërtimit të institucioneve demokratike në vend. Nëse ai dhe bashkëpunëtorët e tij ia arrijnë në një kohë sa më të shkurtër t’i japin fund korrupsionit dhe të luftojnë krimin e organizuar, nëse zoti Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij ndërtojnë institucione demokratike me pushtete të balancuara, nëse rritet bashkëpunimi, transparenca dhe funksionon drejtësia, është e sigurt se sfidat e tjera bëhen shumë të lehta dhe fitohen me meritë.

Pjesëmarrja virtuale e presidentit Biden në veremoninë e dekorimit të djalit të tij të ndjerë është njëkohësisht konfirmim i faktit se qeverisja, qeveria dhe institucionet e Kosovës janë në rrugë të mbarë. Një president amerikan që sapo ka proklamuar parimet e shtetit demokratik të së drejtës si kusht për bashkëpunim me botën tjetër, nuk do të qasej as në një ceremoni të tillë, nëse nuk do të kishte vënë re ndryshimin e madh demokratik në Kosovë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat