Kosova duhet ta pranojë kërkesën e miqve tanë amerikanë, për strehimin e një kuote të caktuar të afganëve!

Opinione

Kosova duhet ta pranojë kërkesën e miqve tanë amerikanë, për strehimin e një kuote të caktuar të afganëve!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 15 gusht 2021 Në ora: 14:51
Bill Clinton me qytetarët e Kosovës

Në rend të parë, dhe para së gjithash, populli shqiptar i Kosovës dhe institucionet e saj, çështjen e strehimit të një kuote të caktuar të afganëve dhe jo vetëm, sa herë që të përballet me kërkesa të tilla, duhet ta shikon nga prizmi human dhe njerëzor, sepse jemi pikërisht ne shqiptarët e Kosovës ata të cilët më së miri e kuptojmë peshën e vuajtjeve prej refugjatëve, si dhe shkaqet të cilat një popull ose grupe njerëzish e shtyjnë që ta lëshon vendlindjen e tyre, duke gjetur strehim kudo që arrijnë.

Nuk kanë kaluar më shumë se 22 vite, kur një milion shqiptarë të Kosovës u detyruan të kërkojnë strehim, jo vetëm tek vendet fqinje, por në gjithë Evropën perëndimore, SHBA, Kanadë, Australi e deri në Zelandën e Re, duke kërkuar shpëtim për fëmijët dhe jetën e tyre nga dhuna dhe masakrat e kriminelëve serbë. Pra, jemi ne shqiptarët ata të cilët e kemi përjetuar në lëkurën tonë, se çka donë të thotë t’i lëshosh vatrat tua nga rreziku për jetën, çka donë të thotë të kërkosh strehim në një vend të huaj, ku pastaj do jetosh një jetë të izoluar dhe plotë me vuajtje dhe krajata, pra një jetë prej refugjati ku asgjë më nuk e ka  aromën e atdheut dhe ku liria mungon si buka, ajri dhe uji..!?

Si zakonisht, ne shqiptarët për çdo temë dhe çështje kemi mendime të kundërta me njëri tjetrin, bile edhe për cikërrima zihemi dhe grindemi deri në fyerje, ofendime dhe përlarje fizike, kështu që posa doli në opinion çështja e strehimit të afganëve në Kosovë dhe Shqipëri, kuptohet me kërkesën e miqve tanë amerikanë, filloi grindja mes atyre që thonë, po, duhet t’i pranojmë dhe atyre që thonë jo, nuk duhet t’i pranojmë, ngase na qenkan “racë aziatike”, duke rënë në kundërshtim flagrant me humanizmin si vlerë themelore e njeriut, i cili në asnjë mënyrë nuk guxon të vihet në pikëpyetje nga ne shqiptarët, që si popull që humanizmi i popujve tjerë na ka shpëtuar nga vdekjet, varfëria, skamjet, madje edhe nga zhdukja jonë fizike, qoftë si shtet i pavarur dhe demokratik..!

Çdo qasje tjetër ndaj kësaj çështjeje humane, më së paku politike, duke mos e harruar për asnjë çast respektin tonë ndaj kërkesës së miqve tanë të përjetshëm, amerikanëve, do na dëmtonte shumë si shtet, por edhe si popull dhe shoqëri që pretendon se ka vlera universale njerëzore dhe evropiane. Si një popull që si synim final ka të bëhet pjesë e botës së civilizuar perëndimore, ku nuk ka fare dallim mes racave, etnive, feve dhe ngjyrave. Për shembull, në Gjermaninë mike, aktualisht jetojnë mbi 12 milion të huaj të racave dhe kulturave të ndryshme, përfshirë gati 400 mijë shqiptarë nga Kosova, pastaj në Zvicër, Belgjikë, Francë, Angli dhe gjitha vendet skandinave ku jetojnë dhe punojnë me miliona të huaj, të cilët i gëzojnë të gjitha të drejtat po sikur vendorët dhe pa asnjë lloj diskriminimi.

Atëherë pse duhet që ne shqiptarët të kemi frikë nga të huajt, të cilët mund të gjejnë strehim dhe akomodim në Kosovë konform normave ligjore vendore dhe ndërkombëtare, pse duhet të na pengojë një i huaj i cili i respekton normat e shoqërisë dhe shtetit ku është strehuar, pse të mos gjen punë dhe të jetojë nga të ardhurat e tij, pse mos të shkollohen fëmijët e tyre në gjuhën shqipe etj. etj..!?

Bota ka ndryshuar dhe çdo ditë po pëson apokalips të thellë brenda qenies së saj etnike, gjuhësore, kulturore dhe politike, popujt janë transformuar dhe afruar tej mase njëri me tjetrin, shtetet çdo ditë po e humbin peshën e tyre klasike, kulturat kanë marrë ngjyrë dhe artikulim gati të njëjtë, ndërsa vetëdija njerëzore në gjithë planetin tokë çdo ditë po pëson mutacione dhe goditje të rënda nga frika dhe rreziku për ndonjë katastrofë njerëzore, etj.

Kosova duhet të bëhet shtet dhe shoqëri e hapur për secilin njeri në botë që e gjen veten e tij dhe sigurinë familjare në vendin tonë, ngase njëherë e mirë duhet kuptuar faktin, se si vend i izoluar dhe i mbyllur ndaj botës, në çdo kuptim të fjalës, ne nuk mund të ecim përpara dhe as të zhvillohemi si shoqëri dhe si shtet i ri në Evropë, vetëm duke numëruar në vend si dhe duke pritur lëmoshë nga të tjerët..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat