Pyetje për Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë (pas një denoncimi të fortë nga Kosova pa asnjë reagim)

Opinione

Pyetje për Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë (pas një denoncimi të fortë nga Kosova pa asnjë reagim)

Nga: Shaban Murati Më: 16 gusht 2021 Në ora: 08:13
Shaban Murati

Një nga zërat më autoritativë publikë dhe politikë të Kosovës, me reputacion europian dhe që është edhe shtetas i Shqipërisë, Veton Surroi, në datën 11 gusht 2021 me një editorial të tij ka denoncuar publikisht si agjent të shërbimit të fshehtë të Serbisë në Kosovë një bashkëpunëtor të afërt të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në dy mandatet e tij qeverisëse.

Figura autoritare nga Kosova denoncon edhe faktin që atij personi i është dhënë nga Shqipëria shtetësia shqiptare në kundërshtim me procedurat ligjore dhe duke shmangur informatat mbi bashkëpunimin e tij me shërbimin sekret serb.

Asnjë reagim apo shpjegim deri tani nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për këtë denoncim ndaj bashkëpunëtorit të tij të afërt nga një personalitet i mirëinformuar në Kosovë dhe në Shqipëri. Asnjë reagim edhe nga një kanal kombëtar televiziv në Tiranë, që ua ka fryrë telespektatorëve pothuajse çdo natë si figurë e madhe publike njeriun e denoncuar si agjent i shërbimit sekret serb.

Pyetja, që i drejtohet dhe kërkon përgjigje nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë, është: Kryeministri i Shqipërisë, që e ka pasur me vite këshilltar të afërt bashkëpunëtorin e shërbimit sekret serb, dhe kanali televiziv kombëtar, që i ka pompuar me vite në ekran figurën publike atij personi, e kanë bërë nga padija, nga neglizhenca apo nga fryma e të njejtës skuadër me të?

Këshilli i Sigurisë Kombëtare duhet ta marrë me seriozitetin më të madh këtë çeshtje delikate të sigurisë kombëtare dhe e ka modelin se si sillen shtetet demokratike europiane në raste të tilla.

Kancelari i famshëm gjerman Vili Brandt, laureat i çmimit Nobel për Paqe, dha dorëheqjen në vitin 1974 nga posti i kryetarit të qeverisë, kur u zbulua se një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Gunter Guillaume, ishte agjent i shërbimit sekret të Gjermanisë Lindore./DITA/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat