Politika e kuadrove

Opinione

Politika e kuadrove

Nga: Nikë Gashaj Më: 28 gusht 2021 Në ora: 22:24
Nikë Gashaj

Vërehet se ka shoqëri të cilat mund të jetojnë pa të vërteta, si dhe për ekzistimin e tyre nuk është e nevojshme e vërteta. Për ato shoqëri mendimi është i vërtet, nëse është i dobishëm për pushtetarë, e jo se është me dobi për shkak se është i vërtet. Shoqërive të tilla nuk u nevojiten ekspertë, por mediokerë e kameleona, piona të dëgjueshëm dhe poltron. Është shqetësuese kur në opinionin publik dëgjohet se dikush është avancuar politikisht sepse është djalë ose dhëndri i ndonjë funksionari me influencë, ose për shkak se është ”sahanlëpirës”, ose është zgjedhur në baza të nepotizmit, familjare, fisnore, vëllazërore, rajonale-patriarkale dhe të veçorive të tjera në epokën moderne atavike e të tejkaluara.

Në opinionin publik mund të dëgjohet dhe komente se dikush është avansua në pikëpamje kuadrovike pa kurrfarë meritash profesionale, por sipas parimit ”do ut des”, e që dmth. “unë ty, e ti mua”, si dhe në bazë të veçorisë ”konstruktive personale” në raport ndaj grupeve dhe individëve politikë me influencë, si dhe në bazë të prirjes për shpifje” midis katër muresh” dhe lidhjeve intime, dhe shumë më pak sipas cilësive profesionale dhe të karakterit moral. Prandaj, me të drejtë thuhet se nuk ka kurrgjë më të vështirë se kur intelektualët medikerë ”veshin kostumin” i cili nuk u përgjigjet ose është joadekuat për “trupin e tyre”.

Atyre gjatë kohës u rritet mendja se janë “dikush” dhe se ”kostimet e tilla” e përbëjnë qenien e tyre – dhe se nuk e dinë se kostimi i tillë për ta paraqet”mungesë shpirtërore” dhe shkreti. Me të vërtetë, kur mediokerët vinë në ndonjë funksion, janë në gjendje për të bërë shumë gjera të këqija dhe punë të pandershme, për tu mbajtur apo për tu avancuar dhe ndonjë postë më të lartë, dhe njëkohësisht janë të prirë për keqpërdorime dhe për kurdisje intrigash, andaj ata shpesh janë dhe shkaktarë kryesor të marrëdhënieve të këqija ndërnjerëzore nga të cilat rrjedhin pasojat e rënda shoqërore afatgjata.

Me këtë rast po përkujtojmë fjalët e një mbreti të Spanjës i cili para listave për burgosje ka bërtit: “Mediokerët duhet më së pari me i fut në burg”.

Në horizontin politik është preukupim me rendësi: “me u bë funksionar pa marrë parasysh se në çfarë fushe”. Nën presionin e një psikoze të tillë, opinioni e përcjell një politikë kuadrovike joadekuate me qeshje, karikaturim dhe injorim. Për pa një lamentim apo vajtim mbi këto situata të neveritshme, gjithmonë ka qenë vështirë racionalisht për ta kuptua sesi zgjedhësi kuadrovik mundet prej resorit të komunikacionit në zgjedhjet e tjera kuadrovike me u gjet në resorin e shëndetësisë, ose nga dikasteri i arsimit në sektorin e industrisë ose të bujqësisë, ose nga Drejtoria e policisë në Sektorin të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të drejtave të pakicave kombëtare etj.

Në lidhje me këtë Makiaveli ka thënë: meqenëse në sferën e veprimit publik kriterij kryesor është aftësia dhe metoda e ruajtjes së funksionit, atëherë nuk mund të pritet që funkcionari politik të zgjedhi për bashkëpunëtorë ata që janë më të aftë se ai.

Mirëpo, është e njohur se zhvillimit shoqëror dhe prosperiteti nuk i janë të nevojshëm, intelektualë e politikanë llomotitës, që merren me pallavra e dokrra, sikurse ka thënë Zhan Pol Sartr. Njëherësh, ajo është një rrugë drejt degradimit të politikës kuadrovike.

Padyshim, ajo ka pasoja negative afatëgjata në raport me rrjedhat e përgjithshme e qëllimet e zhvillimit shoqëror, në veçanti nëse kuadrat e tillë gjinden në pozita të rëndësishme të shtetit dhe shoqërisë.

Kuadrat e tillë nuk e hetojnë, ose nuk duan ta dinë se rutina, inertnost, topitja, plogështimi dhe mënyra e tejkaluar e mendimit nuk i përgjigjen progresit shoqëror, sepse rrjedhin nga “papërgjegjësia e organizuar” dhe nga “struktura jomorale”(Mils).

Njohuritë e tyre janë të njëanshme dhe të përcipta. Ata në praktikën politike drejtohen dhe udhëhiqen nga pozita e utilitarizmit, kontrabandës, malverzimeve e krimeve të ndryshme.

Natyrisht se personat e tillë në mjedisin në të cilin jetojnë, përjetojnë qortime e përbuzje, mospërfillje dhe injorime. Në këtë mënyrë ata janë të zhveshur në pikëpamje morale, politike, intelektuale dhe njerëzore.

Ndërkaq duhet të themi se përkufizimi i vjetëruar që çdo person që e ka kryer ndonjë fakultet apo shkollë të lartë e konsideron si intelektual dhe i cili mbështetet në kriteret formale burokratike, nuk është më i mjaftueshëm për t’u kuptuar esenca e jetës intelektuale dhe roli i intelektualëve. Intelektualë prezantohen edhe ata që e kanë kryer ndonjë fakultet në vende periferike ose gjysmë periferike me nota gjashta dhe kanë studiua mesatarisht 7-10 vjet ose diplomat i kanë blerë apo falsifikua, apo e kanë kryer ndonjë fakultet të rangut të ulët. Natyrisht se në vendet e Evropës Perëndimore dhe në Amerikë, “studiuesit” e tillë nuk mund të inkuadrohen kurrkund, sepse nuk konsiderohen si intelektualë. Ndërsa, tek ne, kryesish ata të parët punësohen, madje dhe fitojnë funksione me rëndësi në organet shtetërore. Dukuritë e tilla mos të paraqitshin brengosje dhe fatkeqësi, do të ishin komike.

Është një numër i madh i mënyrave me të cilat pushtetarët i kanë mbajtur në errësirë bashkëpunëtorët, si dhe nëpërmjet të metodave të dhunës e të shtypjes janë lirua nga kritikët dhe personalitetet të cilët janë dëshmuar me autonominë morale dhe me ide të lirisë. “Tirani i do njerëzit e këqij”, shkruan Aristoteli, sepse ai kënaqet në lajkatim, ndërsa njeriu i shpirtit të lirë nuk dinë me bë miklime apo lajka. Njerëzit bujar e shpirtmadh dinë me dasht, por jo dhe me bë lajka. Kurse njerëzit e këqij munden me u përdorë dhe për punë të pandershme.

Njerëzit në mjediset e ndryshme gjeografike e shoqërore i përbuzin denonciatorët, spiunët dhe agjentë e tiranit. Ata hapin një përçarje të dirigjuar midis njerëzve, të cilët shpesh vet ata krijojnë shpifje dhe bëjnë influencë ashtu që njerëzit e ndershëm izolohen ose tërhiqen në pasivitet, ndërsa te të gjithë krijohen dyshime dhe mosbesime. Pothuaj se në çdo mjedis dihet se kush janë ata njerëz, prej tyre njerëzit e ndershëm largohen e ruhen, si dhe e ndërrojnë temën e bisedës kur ata afrohen. Në filozofin politike ata quhen” madh prej materialit të dobët”, ndërsa tek populli thuhet se ata” nuk janë as ujë as venë”.

Në administratat moderne i largojnë të ashtuquajturit ”yes sayeres”, ata të cilët në vazhdimësi i duatrokisin “shefit” dhe ashtu e shpien në gabime. Varianti turk “Yes Sayres” kanë qenë: “evet-efendije”- nëpunësit e administratës në Oborr të Sulltanit, detyra e tyre e vetme ka qenë që Sulltanit me ia vërtetua se është në të drejtë. Dhe ajo është një nga arsyet e shkatërrimit të Imperisë osmane. Sotë, përkundrazi, të ashtuquajturit Whiste Bhiste Browers, dmth. njerëzit të cilët në bazë të dijes dhe të standardeve morale flasin me kohë për çka gabohet. Gjithashtu, prej organeve shtetërore të bashkësive politike bashkëkohore i largojnë dhe ata të cilët kanë njohuri sterile dhe moral diskutabil.

Përfundim: nga ajo sesi udhëhiqet politika kuadrovike, në një masë të madhe varet zhvillimi material e shoqëror, cilësia e jetës dhe prosperiteti i një shoqërie. Lufta për një jetë më të mirë dhe progres nuk mund të fitohet me deklarata, fraza, rezoluta, kopili dhe dinakëri reciproke, respektivisht me mediokerë dhe poltrona, por me njerëz të ri dhe profesional, me ide të reja e kreative dhe me rezultate të reja.

Prandaj, fotelet për pa kapacitete të duhura profesionale, demokratike dhe morale duhet të paraqesin kohën e kaluar dhe për atë duhet të jenë të vetëdijshëm të gjithë, a në veçanti ata të cilët kanë një influencë më të madhe në sëndertimin e politikës kuadrovike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat