Vështrim sociopolitik për partitë politike në Kosovë - parti “organizata interesi”

Opinione

Vështrim sociopolitik për partitë politike në Kosovë - parti “organizata interesi”

Nga: Ruzhdi Peçani Më: 1 shtator 2021 Në ora: 22:29
Ruzhdi Peçani

Partitë politike kanë lindur, afërsisht para dy shekujsh, si rastësi zbulimi në Britani të Madhe, “djepin e demokracisë”, duke u zgjeruar si pikë vaji në ujë, në shumicën e shteteve në të gjitha kontinentet. Përjashtim, në fillim të mileniumit të tretë, bëjnë vetëm disa shtete të vogla në rajonin e gjirit Persik. Pushteti dhe opozita veprojnë në formë partish dhe nuk është e tepërt të thuhet se partitë janë “arteria e pulsit” të demokracisë.

Dhe nuk është e rastit që partitë të jenë elementi aktiv, “protagonist kryesor” i zhvillimit demokratik, ”forca shtytëse” e politikës moderne, nga metafora “bukë e përditshme e demokracisë liberale” (Neumann, 1963, 15).

Një përqindje e madhe e qytetarëve lidhen emotivisht për partitë, “identifikimi partiak”, lojaliteti partiak që si rast ndryshon nga institucionet tjera demokratike, mund të thuhet edhe se kanë prioritet karshi këtyre institucioneve. Përderisa në rajon partitë politike mbajnë pak shtytje ti motivojnë qytetarët e zakonshëm, të kyçen në politikë dhe tek një numër i vogël të cilët shpresojnë në karrierën politike.

Shikuar nga aspekti sociopolitik, si shoqëri e dal nga lufta dhe në tranzicion, në Kosovë kjo ndryshon. Kjo, se partitë politike shihen si “organizata interesi” ku mund të përfitohet dhe kjo tregohet me këtë se institucionet demokratike të shtetit qëndrojnë si punëdhënësit më të mëdhenj.

Le të kuptohet ,se partitë politike qëllim kanë marrjen e pushtetit për dobi të udhëheqjes dhe nga kjo anëtarësia përfiton interesin material dhe spiritual. Kjo tërheq vëmendjen për faktin se partitë politike janë ”organizata interesi” në të cilën udhëheqësit dhe anëtarësia nuk angazhohen vetëm nga shtytja filantropike, por edhe qëllimit të përfitimit personal.

Një pjesë jo e vogël shndërrohet në klientelë të partisë. Dhe nuk mund të tejkalohet pyetja në këtë sferë, patjetër, se a janë partitë të paragjykuara për dobi dhe interes të grupeve shoqërore, klasave dhe shtresave.

Liderët partiakë “të patundur”

Po tani të flitet për udhëheqjet partiake, duke u fokusuar tek udhëheqësit – liderët partiak, “parisë” së partisë. Do bëjë përpjekje të shpjegoj fenomenin e liderëve “të pa tundur”, të cilët arrinin të qëndronin gjatë në kreun e partisë. Dhe nuk qëndronin vetëm këta liderë, po edhe me bashkëpunëtorët më të ngushtë si dhe pjesëtarë të “rrjetit joformal”, pra shokët, miqtë dhe familjarët. Kjo që tregon kockëzimin e organizatës së partisë. Kjo ishte e dukshme tek partitë që tani janë opozitë parlamentare, pra PDK ,LDK dhe AAK.

Të kthehemi dhe shohim se si u krijuan partitë politike në Kosovë, si të kushtëzuara nga aspekti social-historik, nuk mund të hiqet nga mendja se partitë politike, heq LDK, u krijuan si rezultat i veprimit dhe kreativitetit të personave të caktuar. Vendimi i tyre për këtë mbështetet në këto tre shkaqe:

E para nevoja për një aksion kolektiv për avancimin e interesit të caktuar, i dyti që të aktualizoheshin dilemat rreth çështjeve kyçe me të cilat përballej vendi dhe i treti ishte përkushtimi që përmes partisë të kënaqen ambiciet personale të krijuesve të tyre.

Për Lidhjen Demokratike të Kosovës mund të thuhet se karakteristika e organizimit si parti qëndron në historikun e saj. LDK në parti do të transformohej pas vitit 1999, pra kujtojmë se si LDK, si një lëvizje ishte themeluar më 23 dhjetor 1989, kjo do konsolidohet në parti politike jashtë ndikimeve apo shkaqeve që u përmenden.

Partia Demokratike e Kosovës po dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga shtytja e të tre shkaqeve. Kështu për njëzet vite kryesisht lëviznin në dy binarë, shkakut të dytë dhe të tretë dhe NISMA që doli si fraksion nga dihotomia e PDK kishte këtë trase. Partitë që kishin, me rastin e krijimit të tyre, lider karizmatik po tregohet se nuk mund të qëndrojnë gjatë, po edhe mund të qëndrojnë në kohë të shkurtër, kjo u tregua me partinë PDK, AAK dhe NISMA, ngase është i pashmangshëm procesi “rutinizimit të karizmës” të cilit i shpëtojnë apo mbijetojnë shumë pak parti politike.

Fraksionet nganjëherë ndodhin edhe si prolog, po shpeshherë edhe si epilog i konfliktit brenda partiak që janë “zë i keç”. Një dihotomi së pari përjetoi LDK nga e cila doli LDD dhe në 2020 si recidiv ,sërish dihotomi dhe lind “Lista Guxo”. Kësaj nuk i kishte shpëtuar as PDK dhe kjo pëson turbulencë, nga e cila kishte dal NISMA, pra jo fraksion, por si parti politike.

Në parim, partitë politike paraqesin një masë njerëzish që me veprim të përbashkët synojnë të avancojnë interesat nacionale sipas principeve që ata kanë pajtueshmëri.

Makina politike si ndërmarrje afariste – të fitojë vota dhe të fitojë zgjedhjet

Downs kishte shtruar tezën, sipas të cilës partitë formulojnë politikat për të fituar zgjedhjet – jo se do të bënin politikat para se të fitonin zgjedhjet. Kështu shkruan: “Makina politike bëhet ndërmarrje afariste në sfera të veçanta të veprimeve – të fitojë vota dhe të fitojë zgjedhjet …”

Makina përkundër kësaj është apolitike: ajo është e interesuar vetëm të marri profitin dhe ndarjen e të hyrave, kryesisht parasë – atyre që e vënë në lëvizje dhe punojnë për të. Principet politike për ta janë të huaja dhe paraqesin kërcënim dhe rrezik.” Kjo është tezë e përvetësuar nga partitë politike në Kosovë, që edhe me përpikmëri ishin të ngjizura dhe e përfillnin.

kishin vepruar PDK, LDK, AAK dhe NISMA në koalicionet që krijonin në dhjetë vjetshin që shkoi. Partitë parlamentare mund të bëhen edhe shumë heterogjene të shtyra nga faktorët e jashtëm që i përkasin balancit të opinionit publik. Dhe kështu vepronin këto parti, dy apo që të gjitha tok bëheshin që ta rrisnin fuqinë kolektive në parlament, po dhe për çmimin e rritjes së heterogjenizimit. Por, si shembull, përzierja e mollëve dhe portokajve qëndron, nëse partia mund ta shes veten si parti pemë, por kjo me kusht që votuesit vazhdojnë të duan këtë përzierje të mollëve dhe portokajve. Por, votuesit në Kosovë shijet i kishin të ndara, i donin veç e veç.

Të përkujtojmë: pushteti vjen nga sovrani. Pra ,nga populli fillon dhe vjen sovraniteti. Kështu në epokën në të cilën sovraniteti demokratik pranohet qartë, si parësore qëndron modeli institucional i shprehjes së parimeve demokratike. Në pluralizëm ky është modaliteti i të shprehurit të sovranitetit të popullit. Këtë ,partitë politike duhet ta kenë kuptuar më 14 shkurt 2021,ku dhe u vendos për ndryshimin.

Përcaktimet programore

Von Beyme kishte vlerësuar drejtë, se në Evropën Perëndimore, vetëm partitë që themel kishin ideologjinë dhe jo në sistemin e varshmërisë (patronage) apo në karizmën personale të liderit, kanë arritur të fitojnë taban të fortë dhe të qëndrueshëm tek trupi votues. Nga kjo nxirret premise, për të tre partitë PDK,LDK dhe AAK, nga zgjedhjet e fundit nacionale ku pësuan rënie drastike.

Për një parti të majtë qëndron grupimi i vlerave dhe qëndrimeve që janë: liria, barazia, bashkimi, drejtësia, zhvillimi, reforma dhe internacionalizimi. Gjersa për atë të djathtën: autoriteti, hierarkia, zhvillimi, obligimi, tradita, reaksioni dhe nacionalizmi. Megjithatë partitë e majta në qendër programi kanë, sipas Von Beyme (2005, 75), forcimin e sektorit shtetëror, gjersa pika programore tipike e së djathtës qëndron ligjshmëria (law and order).

Ishin këto parti, PDK dhe AAK, që sikur kishin dyzime në përcaktimet programore, nuk dinin apo nuk donin dhe jo shumë vonë do thonë se janë të djathtë. Ato që ishin pa dyzime - LDK e përcaktuar si e djathë dhe LVV si parti me përcaktim të majtë. Kështu nga to kemi tre parti të deklaruara sit ë djathtë - proevropiane dhe një të majtë pro – evropiane. Pro amerikane po të gjitha, pa asnjë hezitim. Po, a do veprojnë PDK,LDK dhe AAK sipas përcaktimit programor? Mund të thuhet se jo, kishin shmangie, kjo është treguar edhe në qeverisjet me koalicion si PDK – LDK, PLAN dhe PAN!

tre parti bënë shmangie tek parimi, si të djathtë, dhe atë tek zhvillimi dhe nacionalizmi. Jo se kishim një zhvillim në dy deceniet që lamë me qeverisjet që bënë. Aspak nacionalizëm, kjo u tregua në dialogun me Serbinë, kur dialogu rrëshqiti nga ai teknik në puro politik, duke lejuar tema për çështjet e brendshme të Kosovës. Aspak nacionalizëm, por e kundërta duke dëmtuar vendin me marrëveshjet e 2013 dhe ajo 2015 dhe demarkacionin me Malin e Zi, duke dhuruar 8200 ha, dhe planet për korrigjimin e kufirit – shkëmbim territoresh. Nacionalizëm pozitiv ishte e gjithë kjo? Dhe përkundër të gjithave jo se asnjëherë nuk u distancuan nga to – po edhe thurnin elozhe për liderët.

Po, ja që ndodhë kjo që parimi i nacionalizmit do e merr e majta LVV, partia në pushtet, duke e treguar këtë kryeministri Albin Kurti në dialogun me Serbinë, si i pa kompromis në mbrojtjen e çështjes nacionale dhe shtetësisë, tok me Presidenten e vendit znj.Vjosa Osmani – Sadriu.

Parti relevante apo relative

Dhe te ne, si në shumë vende veprojnë numër i konsideruar partish, nga të cilat edhe minore, sikur do arrim në një “ekstrem shumë partiak”. Kur hulumtues hasin me të dhëna të ekzistimit të dhjetëra e qindra partish, patjetër se si domosdoshmëri është që nga kjo “magmë partish” të nxirren ato parti që janë relevante që dukshëm ndikojnë në jetën politike.Të tjerat mbeten relative.

Kooperativiteti i opozitës me pushtetin

Për çfarë bashkëpunimi apo kooperativiteti mund të thuhet, mes opozitës dhe pushtetit, kishim pak raste po moment në votimin e disa ligjeve me peshë ndërkombëtare dhe asgjë tjetër. Dhe themi se nuk kemi demokraci stabile. Qeveria e Kosovës vepron të maksimalizojë të mirat e saj, po dhe duke ofruar bashkëpunimin, në të kundërt opozita nuk përgjigjet me një kundërshti paksa të butë, po e bënë në mënyrën më të vrazhdët me sulmet më destruktive nga foltorja në parlament. Opozita ka humbur mprehtësinë dhe sensin e të bërit opozitarizëm.

Le për të kuptuar se kundërshtitë gjithnjë ekzistojnë mes partive, por nuk duhet shkuar nga ekstremi në ekstrem. Dhe çfarë ndodhi, të martën, ftesës së Kryeministrit të shtetit, ku temë boshte ishte plani i mobilimit ndaj pandemisë, nuk i përgjigjen disa nga kryetarët e Komunave?

Ata nuk iu përgjigjen, sipas tyre, kryetarit të LVV. Nuk e shohin Albin Kurti si Kryeministër vendi!

Kjo fletë për mungesën e kulturës politike, papërgjegjësisë institucionale dhe kushtetuese pse jo edhe mungesës së patriotizmit institucional dhe kushtetues.

Dhe e gjitha kjo gjenezën e ka tek padurimi, që u ka kaluar në urrejtje patologjike me sindromin e inateve, xhelozisë, egocentrizmit dhe frikës se në kohë të gjatë nuk mund të kthehen në pushtet.

Bashkëpunimi mund të ndodhte dhe në disa forma: kjo si od ad hoc përgjigje kur opozita ka dallime në programin politik po vepron që për realizimin e disa caqeve po të ekzistoj consensus omnium – si për ambientin mjedisor, apo kur puthiten interesat, si një ligj që favorizon interesat e deputetëve, pavarësisht se cilit subjekt i përkasin.

Tek këto interesa hyjnë ,si shembull: rritja e pagave të deputetëve, për imunitetin më të gjerë të deputetit, për t´u ikur sanksioneve, zvogëlimin e stazhit të punës për deputet, pensionet e deputetëve, shfrytëzimin e transportit urban, mëditjet jashtë vendit dhe etj. Kështu në këtë aspekt partitë ngjajnë në prodhuesit e cigareve, të cilët tmerrësisht luftojnë për tregun e vetë, por tregojnë gatishmëri për krijimin e “frontit të përbashkët” kundër pirjes së duhanit. Kështu i kemi të zgjedhurit e popullit.

Në këtë analizë sociopolitike përmbahet ID e partive politike në Kosovë. Këta që nuk arritën të reformohehin, jo se nuk dinin por se nuk duan. Se reformat kanë filluar ishte kamuflim, ngase reforma nuk nënkupton vetëm me ndryshim emrash, por në mendësinë dhe gjykimin politik. Po nuk duan ,do mbesin si “organizata interesi”- mbase u pëlqen. Dhe këto parti opozitare, tani si të tilla, do dalin dhe kërkojnë votën, më 17 tetor nga sovrani për zgjedhjet lokale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat