Boshti i heshtur antihegjemonist serbomadh: Kosovë-Mali i Zi-Bosnje-Kroaci, është aleancë shpëtimtare për paqen dhe stabilitetin në Ballkan..!

Opinione

Boshti i heshtur antihegjemonist serbomadh: Kosovë-Mali i Zi-Bosnje-Kroaci, është aleancë shpëtimtare për paqen dhe stabilitetin në Ballkan..!

Nga: Rexhep Elezaj Më: 1 tetor 2021 Në ora: 17:57
Autori, Rexhep Elezaj

Krizat, sidomos ato të luftërave, kudo që ato shfaqen në botë, prodhojnë pakte, boshte dhe aleanca të ndryshme, jo vetëm në nivel të fuqive të mëdha botërore, siç ishte Boshti nazi-fashist trepalësh; Romë-Berlin-Tokio (Ribbentrop- Ciano-Kurvsu-1940), Aleanca antifashiste; BRSS-Angli-Francë dhe SHBA, përkatësisht Komonvelthi britanik; Australia, Kanada, Zelanda e Re dhe Afrika e Jugut, etj., madje edhe në nivele rajonale, siç ishte Pakti Ballkanik (Antanta Ballkanike) midis 6 shteteve; Shqipëria, Bullgaria, Greqia, Jugosllavia, Rumunia dhe Turqia, (Mini-shengen i asaj kohe), i themeluar në tetor të vitit 1930 në Athinë. Por siç dihet nga historia Shqipëria doli nga ky Pakt, për shkak të “status-quos” të tokave të pushtuara shqiptare nga Greqia dhe Jugosllavia, pra bëri kundër kësaj që sot po bën Edi Rama, i cili me çdo kusht po punon për formimin e “Ballkanit Hapur”, në fakt të një Antantë e re ballkanike, ku Serbia do e shtrinte serish hegjemoninë e saj deri në Durrës dhe Selanik!

Por t’i kthehemi Boshtit të heshtur kundër hegjemonizmit serb në Ballkan, të cilit për fat të mirë po i prinë sot Kroacia mike përmes zërit të presidentit të saj, z. Zoran Milanoviq, i cili para disa ditësh presidentit serb, Aleksander Vuçiq, lidhur me tensionet e krijuara ditëve të fundit në kufirin Kosovë-Serbi, i është drejtuar ashpër përmes mediave, duke i thënë se “Kosova është e njohur nga shumica e vendeve të BE-së, dhe se kjo është çështje e kryer.“. Kjo deklaratë e tij aludonte qartë në lojën e ndytë të Beogradit zyrtar me kamuflimin e termit “Serbi e Madhe” me shprehjen “Srpsi svet” (bota serbe) se këtë e kanë kuptuar gjithë popujt ballanik, siç e dinë po ashtu se regjimi kriminal i Beogradit me të gjitha mjetet politike, ushtarake dhe diplomatike po punon për ta krijuar Serbinë e madhe.

Këtë, madje e thonë edhe shumë analistë të huaj politik, se si synim kryesorë regjimi fashist serb në krye me A. Vuçiqin, e ka kompensimin e humbjeve ushtarake në teren gjatë viteve të luftës 1991-1999, për krijuar Serbinë e madhe mbi tokat e pushtuara të kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve!

Me këtë rast për hir të së vërtetës, duhet theksuar faktin, se ka qenë Albin Kurti, i pari politikan shqiptar i cili ka folur hapur në një intervistë për media para 2-3 viteve për nevojën e formimit të Boshtit anti-serb, gjegjësisht Paktit kundër hegjemonisë së Serbisë në Ballkan, të cilin do e përbënin 6 vende ballkanike; Kroacia, Bosnja, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova, por asokohe asnjë medie nuk i dha publicitet idesë së tij, e cila, aq sa do ishte historike, po aq do ishte me interes jetik për gjithë popujt jo serb të Ballkanit.

Pra, që popujt jo serb të bashkoheshin në një aleancë të përbashkët për ta mundur të keqen më të madhe në rajon, e që ajo është Serbia fashiste-hegjemoniste, shkaktare e të gjitha luftërave dhe tragjedive të tmerrshme në Ballkan që ua ka sjellë popujve jo serb, që nga luftërat ballkanike (1910) e deri me 10 qershor 1999.

Por, është regjimi kriminal i Beogradit ai i cili këtij Boshti të heshtur po ia ngulë thikat nga të gjitha anët, siç ishte rasti i shugurimit të arhieskopit serb në Cetinje për ta okupuar Malin e Zi para disa javësh, pastaj nisma me hile dhe dinakëri diplomatike serbe në Novi Sad para dy viteve për formimin e “Mini-Shengenit”, alias tash me emrin e ndryshuar në “Open Ballkan” (Ballkan i hapur), etj., duke i futur nën ombrellën e saj kriminale Edi Ramën dhe Z. Zajevin, dhe së fundmi kriza në kufirin Kosovë-Serbi, duke i bllokuar dy pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje, që të gjitha këto veprime destruktive për qëllime hegjemone me qëllim për të pushtuar serish pjesë të Kroacisë, për të marrë dhe bashkëngjitur Serbisë Republika Srpska, pushtimin e Malit të Zi përmes kishës ortodokse serbe, okupimin e veriut të Kosovës si dhe ndarjen e Maqedonisë, një skenar ky për formimin e Serbisë së madhe!

Andaj, formimi dhe bashkëpunimi shqiptaro-kroato-malazez në kuadër të këtij Boshti-Aleance, tash për tash më shumë i heshtur, është domosdoshmëri dhe nevojë imediate për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin perëndimor, duke e izoluar dhe penguar sa më shumë përhapjen e hegjemonisë dhe dominimit të Serbisë fashiste në jug të Evropës, e cila gjithmonë ka qenë rrezik për paqen në Ballkan dhe në gjithë Evropën..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat