Agjitimi i sforcuar i Memlit dhe T7-ës

Opinione

Agjitimi i sforcuar i Memlit dhe T7-ës

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 5 tetor 2021 Në ora: 13:45
Idriz Zeqiraj

Panegjerizmi i kryetarit Memli Krasniqit, për kandidatët komunalë, të partisë-bandë PDK-së, tejkalonte çdo sens të masës, në Pressing-un e T7-ës. Ata, si kandidatë për kryetar, sidomos në komunat e mëdha, ishin gjenialë, me aftësi drejtuese e profesionale, të shenjtë në privatësinë e tyre, të gjithëdijshëm dhe të patejkalueshëm intelektualisht, në komunat kandiduese dhe mëtej në Kosovë e Shqiptari!

Po përmendim vetëm njërin syrësh, Bedri Hamzën e Drenicës, kandidat për Mitrovicën. Njeriu në pushtet, pothuaj, për dy ekada radhazi, përgjatë kohës të rrënimit të ekonomisë dhe makro-abuzimit shpërdorues financiar të Kosovës, si vegël e bindur e shefit të tij, Hashim Thaçit, ministri Bedri Hamza, ishte dorëlëshuar dhe plotësonte tekat hashimiste.

Rivali kryesor, kryetari aktual, kandidati i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri, paraqitej si "profan, i padijtur, pothuajse, injorant e skandaloz në drejtim të komunës!" "Harrohej" kur Bedri Hamza "heshte si peshku", kur shefi i tij, Hashim Thaçi mbështeste boshatisjen e dhunshme të Veriut të Mitrovicës, nga shqiptarët vendorë, madje, premtonte e mashtronte rikthimin, në vatrat e tyre, për ikanakët e tmerruar, nga sulmi i organizuar të bandave serbe.

Ishte, pikërisht, Agim Bahtiri, në cilësinë e kryetarit të Mitrovicës, ai, i cili denoncoi ofertën e Hashimit, për ta aprovuar shkëmbimin e territoreve, në rastin konkret, të Veriut të Mitrovicës. Dëshmi e kësaj tradhtie, është edhe organizimi i një takimi domëthënës në Mitrovicë, me pjesëmarrjen e kreut të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me kuadro dhe qytetarë të manipuluar, për ta përgaditur opinionin, kryesisht, për ndarjen e Mitrovicës. 

Kjo mbledhje transmetohej nga televizioni publik i Kosovës. Referuesi kryesor ishte ish-burgaxhiu politik, Raif Çela, i cili shkeli mbi vuajtjet e tij të burgut, duke justifikuar "ikjen e Veriut të Mitrovicës", madje, krejt lehtësisht,  si diçka që "nuk ia vlen të meremi me atë pjesë të Kosovës, tashmë, të humbur!" 

Dhe, ish-ministri i Financave, Bedri Hamza, të gjithë këtë maskaradë e plojë të dhimbshme, e përcillte gjakftohtë, duke mos reaguar për pazaret e pista të shefave të tij, Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Ndërkohë që, krejt ndryshe vepronte qytetari parë i Mitrovicës, Agim Bahtiri, bëri çmos që plani ogurzi i krerëve të PDK-së të mos realizohet, të dështojë, të paktën, për kohën që ishte aktualizuar në surdinë, në gjysmë-fshehtësi.

Bën përshtypje pajtimi i qindpërqindshëm i moderatorit T7 me analistët, kryesisht, militantë agjitativë të PDK-së, me shkathtësinë agjitative të kryetar Memli Krasniqit. Dhe, duke bredhur në mbremjet televizive, Memli agjiton, mjaftueshëm, për kandidatët "yje" të PDK-së, duke lënë, tërësisht, në harresë krimet monstrume të bandave të kësaj partie, kryesisht, kundër ushtarakëve të FARK-ut luftëbërës të Ibrahim Rugovës, të veprimtarëve të LDK-së dhe të kuadrove të hershme të LPK-së, për ta pamundësuar çfarëdo rivaliteti, në raport me krerët e PDK-së, tashmë, të faktuar edhe si sabotues të luftës për çlirim.

Memli Krasniqi, si pinjoll i një familje akademike dhe artistike, pritej t`i bashkohej nismes për ndryshim partiak dhe drejtues të Kosovës, siç kërkonin nismëtarët për reforma e ndryshim, Lirak Çela e Xhevahire Izmaku, me shokë. Përpjekja e Memlit, për ta pastruar PDK-në nga inkriminimi vrastar e korruptiv, dështoi. Lënia jashtë Kryesisë Qendrore të partisë, të disa komandantëve dhe vjeturakëve SHIK-as, është vetëm një retushim mashtrues. Krimet makabre inkriminuese dhe makro-hajnore të kësaj partie, do ta ndëshkonin, deri në paligjshmëri të saj, në çdo shtet ligjor të botës demokratike.

Kryesia aktuale e PDK-së, vazhdon ta mbrojë krimin e kriminelët, të cilët i bënë shumë të liga Kosovës, duke filluar nga pazaret e pista: pajtimin me përzënien masive, nga vatrat stërgjyshore, të shqiptarëve nga Veriu i Mitrovicës dhe gënjeshtra e Hashimit, për kthimin e sërishëm; aprovimin dhe nënshkrimin e Demarkacionit, duke i falur tokat shqiptare, fqinjit malazez, për arsye që, dikur, "do t`i dalë tymi"! 

Faljen e hapësirave tokësore shtetërore Manastirit të Deçanit, duke i aprovuar Parlamenti dhe Kushtetuesja, me nënshkrimin e sulltanit Hashim, për çka sot, paradoksalisht, ndërkombëtarët kërkojnë dhënien e tapisë Manastirit. Për ta ligjësuar dhunshëm këtë krim monstrum, KFOR-i ka ndërprerë punimet e rrugës shumë funksionale, për tri shtetet: Kosovë, Mal të Zi, Shqipëri; nënshkrimi dhe aprovimi nga Parlamenti dhe Gjykata Kushtetuese të "Zajednicës", përkatësisht, të Asociacionit, Bashkimit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Lista e lëshimeve politike të krerëve të PDK-së, në favor të Serbisë është e gjatë. Por, kulmon lobimi, madje, deri ke pagesa për ndarjen e Kosovës! Pa asnjë mëdyshje, Hashimi, me shokë, është penalizuar, duke  konsumuar elementin ligjor e kushtetues të tradhtisë kombtare.

Rrjedhimisht, guximi panegjerik, përlavdërues i Memlit, për kandidatët e tij për kryetarllëk të komunave, është një përçudnim unik, sepse intelektualët e mirëfilltë, qofshin ata me aftësi profesionale, apo parimësi morale, kurrë nuk do të pranonin ta përfaqësonin një parti të krimit, duke u bërë vetvetiu pjesë e krimit.

Dhe, që këtu, "bie në ujë" i gjithë agjitimi i sforcuar i kryetar Memlit dhe i dostave të tij në T7, për kandidatët e përzgjedhur nga ai, për kryetarë komunash!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat