Premtimet e Arben Vitisë

Opinione

Premtimet e Arben Vitisë

Nga: Kimete Berisha Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 00:23
Kimete Berisha

- Kurrë nuk do ta dua flamurin e Kosovës.

Ju jeni të njohtuar (në kohë reale) se unë jam shumë i rreptë në dashuri.

Urrejtja ime ndaj flamurit të Kosovës nuk është vetëm fjalë, por për urrejtjen në fjalë, flasin veprat e mia.

Ju nuk po e shihni sonte në takimin tim përmbyllës të fushatës, as nuk do ta shihni kurrë afër meje atë leckë.

Kurrë sytë mos ia pafsha.

Unë jam shqiptar, jam patriot, prandaj fushata ime përmbyllet kuq e zi.

Shkojmë tutje me premtimet:

- Në çdo çerdhe do të ketë fëmijë.

- Çdo autobus do të shërbejë për udhëtarë.

- Kryeqyteti nuk do të ketë më vetmitarë.

- Në parqe nuk do të ketë vetëm 3-ulëse por edhe 1-ulëse për ata që e kanë mërzi afërsinë.

- Secili qytetar do të ecë në trotuar.

- Çdo grua do ta ketë një burrë.

- 'Nuk do të mbetet garazhë pa veturë. As tenxhere pa pulë'.

- Çdo person që pi duhan rrugës (e të atillë ka shumë) do të ketë çasje në një shpuzore publike.

- Nuk kam premtuar WC publike, se edhe jam estet, edhe mendoj se nevojat fiziologjike janë private. Askush nuk duhet të dal nga shtëpia pa i kryer nevojat fiziologjike.

- Çdo i moshuar do ta ketë një krroqe prej drurit të arrës. Bastunët do të përcillen nga gjenerata në gjeneratë.

- Raketa e qeverisë Kurti do të lansohet nga kulmi i komunës, bashkë me Jahja Kolën, i cili u ofrua vullnetarisht që të flijohet për gjithësi.

- Do të krijojmë një komision ekspertësh për kërkimin e lisave të dashurisë që i ka premtuar Shpend Ahmeti.

Deri tani nuk e kemi asnjë dëshmitar të ketë hetuar ndonjë lis.

Ose ka pasur krizë erotike Prishtina, ose lisat i ka vjedhur dikush!

Nuk është e mundur që i ka lëshuar toka.

Edhe në i përbiftë toka - lisat, dashuria do të kishte mbetur si skelet i kujtimit....!

- Çdo grua të moshuar do ta quajmë 'teze'.

- Çdo plak do ta quajmë 'bac'.

- Vesherajin e Shpend Ahmetit do ta shpallim 'zonë në mbrojtje të veçantë'.

- Do të investojmë në kungjat e Shpend Ahmetit, por gjithnjë duke e ruajtur origjinalitetin e tyre.

- Nuk do të kërkojmë auditim të financave të komunës.

- Në sportelet e komunës vazhdimisht do të lëshohet një muzikë e lehtë anti-stres dhe relaksuese që do t'u shërbejë për meditim dhe komcentrim qytetarëve që presin në pritore.

- Kemi m'u knaq.

P.S. Përparim Rama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat