Senzacion: U zbulua vaksina e përjetësisë!

Opinione

Senzacion: U zbulua vaksina e përjetësisë!

Nga: Sherif Ramabaja Më: 13 nëntor 2021 Në ora: 17:15
Sherif Ramabaja

Senzacion botëror. Një grup i shkencëtarëve eminent botërorë e publikuan zbulimin e vaksinës shumë të pritur dhe të kërkuar, për përjetësinë e njeriut.

Me këtë zbulim senzacional u arrit që ëndërra e njerëzimit të bëhet realitet. Austronauti Amstrong, kur e hodhi hapin e parë në hënë, pat deklaruar: ky është një hap i vogël për njeriun, po një hap i madh për njerëzimin.

Prandaj zbulimi i vaksinës së përjetësisë, është ndoshta hapi më i madh për njerëzimin deri më sot.

Shkencëtari Stephen Hawking ka deklaruar se njerëzimi në këto 200 – 300 vite duhet të përgaditet të zbuloi dhe udhëtoi në planete të tjera, sepse resurset e tokës janë në përfundim e sipër.

Ne shpresojmë që shkencëtarët po punojnë edhe në atë drejtim dhe një ditë do të na mundësojnë, që të transferohemi dhe sistemohemi edhe nëpër planete të tjera, të banuara.

Tash për tash gëzimi është se askush në tokë, tash e tutje nuk do të vdes. Me marrjen e vaksinës së përjetësisë, do të programohet që secili të vendos vetë cilën moshë e preferon.

OKB në mledhjen e Këshillit të Sigurimit, organizuar për këtë evenement ka shpallur që së pari të vaksinohen Lukashenko dhe Putin, si figura eminente botërore.

Arsyetimi për Lukashenkon ishte se ai si burrështetas i shquar, ka organizuar linja të posaqme nga Lindja e Mesme, për t´i bartur njerëzit e rrezikuar nga këto vende dhe po i sjell në kryeqytetin Minsk. Nga aty me autobus në mënyrë të organizuar po i bart deri në kufirin e Polonisë, që pastaj të nisen drejt EU.

Për ata që shprehin dëshirën, para se të udhëtojnë drejt EU, t´i kalojnë pushimet në Bjellorusi, Lukashenko u ka siguruar hotelet me çmime solide.

Duke u solidarizuar me refugjatët në kufirin me Poloninë, Lukashenko po i kërcënohet jo pa të drejtë EU.

Në rast se nuk i lejoni të futen në EU, do ua ndërprerjejmë furnizimet me gas, deklaroi me vrull ai.

Këshilli i OKB po ashtu vendosi që Putini të vaksinohet si personi i dytë me vaksinën e përjetësisë. Arsyetimi u dha me faktin se Putini u vu në anën e refugjatëve duke kërkuar që EU t´i zbatoi rregullat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kur është në pyetje mbrojtja e refugjatëve të stacionuar në kufirin me Poloninë.

Putini tha se për një stacionim të tyre nuk është fajtor Lukashenko por perëndimi me sulmet, pushtimet dhe agresionin që ka bërë në Irak, Afganistan etj. duke ua shkatërruar bazën jetësore këtyre njerëzve.

Tash ata njerëz po kërkojnë shpëtim, duke ikur nga rrethanat dhe gjendja e mjeruar që ua ka shkaktuar vetë perëndimi.

Putini me qëllim të mbrojtjes së refugjatëve në ajër ka ngritur bombarduesit, ka lëshuar parashutistë, dy prej të cilëve kanë humbur jetën në shenjë të mbrojtjes dhe solidarizimit me refugjatët.

Lukashenko i entuziazmuar nga ky aksion, perëndimit ia ka bërë me dije që ta kenë parasysh, sepse Rusia është fuqi atomike.

Tash për tash në Këshillin e Sigurimit është duke u diskutuar po ashtu se kush do të jetë në radhë të vaksinohet pas Lukashenkos dhe Putinit.

Një i deleguar si duket nga Rusia u paraqit me propozimin që Vuçiq, Dodik dhe Rama të ishin kandidatët e ardhshëm.

Arsyetimi ishte i shkurtër sepse nuk dihej a do të pranohej një propozim i tillë, por prap se prap disa fjalë u than për secilin veç e veç.

Për Vuçiq u tha se është pasardhës i Miloseviqit dhe ky për kundër Miloseviqit i cili vetëm me luftë synonte t´i zgjidhte problemet, Vuçiq  po punon që botën serbe ta bashkoj me mjete paqësore, duke i “bindur” fqinjët.

Kësaj rruge është duke vazhduar Dodik në Bosne. Ai ka hasur në rezistencë nga kroatët dhe boshnjakët, po ata duhet vetë të binden që mos të vinte deri te shpërthimi i konfliktit, sepse duhet ta kenë të qartë se çka i pret.

Në rast të shpërthimit të një konflikti, Dodik shpreson në ndihmën vëllazërore të Serbisë dhe Rusisë.

Në të njejtën situatë janë edhe serbët e Veriut të Kosovës. Vuçiq ka bërë gjithçka për t´i bindur shqiptarët për botën serbe, po ata të shurdhër nuk livizin nga vendi.

Vuçiq këto plane i kishte të gatshme me Thaçin, po perëndimi antidemokratik e burgosi Thaçin, kur pritej që marrëveshja të bëhej realitet.

Tash Kurti as nuk lidhet dhe as nuk zgjidhet. Si kompromis dhe zgjidhje është menduar Rama.

Vuçiq Ramën e ka joshur me Open Ballkan. Po ashtu Ramës i është premtuar hapje të kufijve, tregëti e lirë, invazion të turistëve serb dhe rus, blerje të pronave dhe investime drejt rrjedhës së Adriatikut duke kërkuar një dalje shumë të vogël në Det etj.

Rama si shqiptari i vetëm i cili ka mirëkuptim për botën serbe, i është premtuar pushteti i përjetshëm, nëse e bind Kosovën që t´i bashkohet Open Ballkanit.

Pra këto ishin pikat e shkurta që u paraqitën në arsyetimin e përfaqësuesit të Rusië për vaksinën e përjetësisë për Vuçiq, Dodik dhe Ramën.

Sidomos Shqiptarët do ishin krenar, sepse kryeministri Rama po hyn në histori. Ai do ishte shqiptari i parë në botë, që do të vaksinohej me vaksinën e përjetësisë, për shërbimet ndaj paqes dhe atdheut./ Shkrim satirik i botuar në Mars - Rover

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat