Demokracia është e rëndësishme për të pasur botë të lirë

Opinione

Demokracia është e rëndësishme për të pasur botë të lirë

Burim Breznica Nga Burim Breznica Më 12 dhjetor 2021 Në ora: 09:44
Joe Biden

Që nga shekulli i kaluar, demokracia konsiderohet nga një pjesë e madhe e vendeve si sistemi ideal i qeverisjes, një formë legjitime që siguron një strukturë politike dhe sociale, brenda së cilës njerëzit mund të punojnë dhe jetojnë të lumtur, me të drejtat dhe përgjegjësitë që sjell ajo. (Ben Dupre, 50 political ideas, f.24, Quercus, 2010). 

Secili shtet ka pak a shumë prioritetet, resurset, sfidat dhe specifikat e qeverisjes që mund të dallojnë në krahasim me shtetet e tjera por në përgjithësi institucionet, mundësitë dhe sfidat e demokracisë tek vendet demokratike në nivelin makropolitik janë të ngjashme. Dhe mund të thuhet se mundësitë eventuale të bashkëpunimit, sfidat dhe kërcënimet e mundshme që vijnë nga vendet autokratike dhe diktatoriale për vendet demokratike mund të shfaqen poashtu në forma dhe fusha të ngjashme, varet se për cilat shtete apo aktorë bëhet fjalë. Vendet autokratike si psh. Rusia, Kina, Koreja Veriore, Filipinet, Bjellorusia etj. tentojnë të destabilizojnë shtetet demokratike në fushat e sigurisë, teknologjisë informative, pastaj “përvetësimit” të informacioneve nga bizneset dhe teknologjia, përmes propagandës dhe lajmeve të rrejshme psh. gjatë pandemisë etj.

Në një raport të publikuar në fund nëntor 2021, nga organizata demokratike Idea lidhur me gjendjen e demokracisë në botë (”The Global State of Democracy 2021”) thuhet se shume vende dhe njerëz po sundohen dhe të tjerë janë të rrezikuar nga regjimet dhe liderët autokratikë globalisht. Zhvillimet lidhur me lirinë e shprehjes dhe të shtypit kanë qenë brengosëse në vende të ndryshme në botë. 

Sipas raportit të lartpërmendur që ka analizuar zhvillimet demokratike në 165 vende në botë, fatkeqësisht edhe disa vende demokratike në një situatë pandemike, kanë kopjuar metodat e regjimeve autokratike për të heshtur lëvizjet demokratike në ato vende. Poashtu disa shtete kanë miratuar ligje që kanë kufizuar hapësirat e veprimit për mediat dhe shoqërinë civile. Shumë prej atyre ligjeve kanë qenë të nevojshme për shkak të situatës më pandeminë por në disa raste disa ligje nuk kanë pasur lidhje direkte me pandeminë por janë futur në paketë, një metodë kjo që praktikohet në vendet jodemokratike, sipas raportit në fjalë.  

Situata globale me demokracinë është përkeqësuar dhe sot vlerësohet se rreth dy të tretat e popullsisë botërore jetojnë në një vend që mund të quhet autokratik dhe viti 2020 klasifikohet si viti më i keq për demokracinë globale, sipas raportit të cituar. 

Disa nga matjet dhe kriteret e vlerësimit kanë qenë përfaqësimi, mundësia për iniciuar parti të reja politike, pjesëmarrja në zgjedhje, e drejta e vëzhgimit, raportimet e medies, liria e shprehjes, mundësitë e ankimit etj. 

Në Evropë, janë disa shembuj jo të mirë, Hungaria, Polonia dhe Sllovenia përmenden specifikisht që kanë deficite demokratike. Në raport veçohet Serbia, e cila para disa vitesh mund të quhej ”shtet demokratik” por pas matjeve dhe vlerësimeve të fundit, Serbia klasifikohet si një regjim hibrid dhe si e tillë nuk llogaritet si vend demokratik, thekson raporti në fjalë. 

Në disa vende autokratike, liderët opozitarë janë arrestuar dhe helmuar, aeroplanët janë detyruar të ndërrojnë destinacionin e fluturimit (rasti i Bjellorusisë psh. që bëri një aksion të tillë jo legjitim dhe mori kritika të mëdha ndërkombëtare për atë veprim), janë sabotuar rezultatet e zgjedhjeve dhe janë penguar mediat dhe shoqëria civile të kryejnë punën e tyre. 

Këto ishin vetëm disa shembuj konkretë dhe të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për sulmet që iu bëhen vendeve dhe vlerave demokratike nga shtete autokratike apo grupe interesash me agjenda të caktuara. 

Pse është i rëndësishëm Samiti virtual për Demokracinë i organizuar nga Presidenti Biden?

Samiti virtual për Demokracinë, i organizuar nga Presidenti amerikan Biden, ka rëndësi të veçantë për mbrojtjen dhe avancimin e mëtejshëm të demokracive në mbarë botën.  Diku 110 vende të ftuara në atë samit, mes të cilave edhe Kosova diskutuan këto ditë se si të zhvillojnë dhe avancojnë demokracinë në të ardhmen dhe si të ndeshen me sfidat vendore, rajonale dhe ato ndërkombëtare. Rusia si vend autokratik e poashtu edhe Kina nuk ishin të ftuara në samitin virtual të demokracisë. 

Presidenti Biden si nikoqir i takimit deklaroi se: “Demokracia në mbarë botën po përballet me sfida të mëdha. Ka një rrëshqitje globale për institucionet demokratike dhe u bëri thirrje liderëve botërorë të punojnë dhe të demonstrojnë se demokracitë mund t`ia dalin”. 

Presidentja e Kosovës, zonja Osmani-Sadriu me të drejtë deklaroi në fjalimin e saj që ”demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë dhe duhet ta mbrojmë pa u dorëzuar asnjëherë. Ajo u zotua, përveç tjerash, se Kosova do të punojë me të gjitha shtetet për të kundërshtuar ndërhyrjen dhe propagandën ruse dhe për të promovuar paqen në mbarë botën”. 

Shtetet me demokraci të reja kanë nevojë për ndihmën e SHBA-së dhe BE-së në rrugën e tyre dhe në ballafaqimin eventual me Rusinë autokratike apo me regjime hibride të ngjashme. Poashtu vendet e Ballkanit dhe Kosova duhet të mbështeten edhe më shumë kundër një Serbie agresive dhe jodemokratike, siç e pamë edhe nga raporti, një shtet hibrid autokratik që me politikat e saj dhe ato të serbëve të Bosnjës përbëjnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

Prandaj bashkëpunimi mes shteteve demokratike për të siguruar paqe dhe stabilitet, për tu ballafaquar me pandeminë, për të siguruar ambientin, për të penguar kriminalitetin ndërkombëtar, për të parandaluar armët e shkatërrimit në masë etj. do të duhej të bëhej në baza të rregullta dhe të koordinohet edhe më mirë sesa aktualisht.  

Autori ka specializuar në Administratë Publike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, në Universitetin e Stokholmit. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin suedez ku ai është i angazhuar (Departamenti për Marrëdhënie me Jashtë, Administrata Tatimore e Suedisë). 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat