Kush po e shantazhon shtetin e Kosovës në Vatikan?!

Opinione

Kush po e shantazhon shtetin e Kosovës në Vatikan?!

Nga: Ismail Muqiqi Më: 12 dhjetor 2021 Në ora: 13:51
Ismail Muqiqi

Edhe 13 vite pas shpalljes së pavarësisë, Vatikani ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës. Selia e shenjtë e Katolicizmit në botë ka qenë dhe është institucioni më me ndikim në ruajtjen e paqes në botë dhe kultivimin e të Drejtave Humane të Njerëzimit. Kosova në saje të punës së palodhshme të ish-Presidentit Ibrahim Rugova vite me radhë qysh para luftës kishte krijuar raporte miqësore me Selinë e Shenjtë përkatësisht me Gjon Palin e dytë në Vatikan.

Por shtrohet pyetja? Vallë pse Vatikani ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës?!. Për të kërkuar përgjigjen në këtë pyetje më thotë mendja se përveç rrethanave tjera ekzistuese të proceseve më të ndryshme në botë, diplomacia kosovare dhe institucionet tjera të shtetit nuk kanë punuar sa duhet në përafrimin e raporteve diplomatike dhe miqësore të Kosovës me Vatikanin. Këtë më së miri e ka shfrytëzuar Serbia me propagandën e saj me plotë gënjeshtra dhe të pavërteta.


Kështu, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë [Sellakovic] më 19 tetor të këtij viti kishte vizituar Selinë e Shenjtë dhe misioni i tij ishte politikë: Parandalimi i njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Selisë së Vatikanit. Të njëjtin qëllim dhe mision e kishte edhe Aleksandër Vuçiqi i cili para pak javësh ishte në vizitë tek Papa Françesko. Ky pas kthimit në Beograd ju tha gazetarëve se e mori konfirmimin nga Papa nga Selia e Shenjtë se nuk do ta njohin Republikën e Kosovës. Shtrohet pyetja?.. Si mund të kuptohet kjo ndodhi, kur shteti serb i shkaktoi tri luftëra në ish-Jugosllavi duke bërë krime dhe gjenocid e në anën tjetër i hapen dyert Serbisë në Selinë e Shenjtë.

Paradoksi edhe më i madh ndodhi me 27 nëntor të këtij viti kur Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë u taku me Papa Françeskon. Pas takimit doli komunikata publike nga agjencia zyrtare e Vatikanit në të cilën u vërtetua se Edi Rama jo që kërkoi njohje për Kosovën nga Vatikani, por ai as që e zuri në gojë Kosovën. Më thotë mendja se pozicioni i Selisë së Shenjtë në Vatikan është mjaft shqetësues kur dihet se 19 shtete anëtare të NATO-s që ndërhynë në çlirimin e Kosovë nga Serbia në vitin 1999 ishin shtete kristiane.

Është i pakuptimtë edhe aktiviteti dhe angazhimi i institucioneve fetare të Kishës Katolike dhe kreut të saj dhe bashkësisë islame si dy institucione fetare të një gjaku të cilat fatin dhe ardhmërinë e kanë të përbashkët. Në cilësinë e gazetarit shumëvjeçar njoh shumë personalitete shqiptare të cilët kanë pasur raporte jashtëzakonisht miqësore me Selinë e Shenjtë. Andaj është koha që përveç institucioneve të Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Punëve të Jashtme, aktivitetit diplomatikë dhe miqësorë t’i bashkohen edhe krerët fetar në mënyrë që sa më parë Vatikani ta njoh shtetin e Kosovës. Në këtë drejtim rol të pazëvendësueshëm ka Kisha Katolike në Kosovë. Sikur kjo të ndodh për Kosovën është me rëndësi që të bëhet anëtare e NATO-s edhe nëse kurrë nuk e njeh Serbia. Derisa Kisha Ortodokse serbe ju paraprin proceseve politike dhe fetare për interesat e shtetit serb, institucionet tona fetare po bëjnë sehire duke u mbyllur në vetvete.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat