Pronto sindikatat

Opinione

Pronto sindikatat

Nga: Dren Dushi Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 18:05
Dren Dushi

Pasi ishin vendosur bordet, drejtorët, menaxherët dhe punësuar klientela, krijuam kështu një Administratë përgjithësisht uniforme, siç ishin dikur në komunizëm. Dhe një ambient pune ku dominonin fjalë; “kushë, teze, dajë, mik”, anipse me performanca kryesisht të ditura dhe të shprehura në raportet ndërkombëtare, vend-punishtja e revolucionarëve të tranzicionit duhej krijuar edhe Sindikatat e “pa-varura”.

Kush do krijonte Sindikata në këto kushte, kush mund t’i bënte bllokada Ministrave që shtienin me armë nëpër oda? Kush guxonte t’i kthente fjalë bordeve të komandantëve e gjeneralëve? Për më tepër, kush guxonte të çohej kundër një bordi, në cilësinë e punëtorit, bord i cili e kishte punësuar duke eliminuar konkurrencën në forma siç bëjnë shërbimet sekrete? Askush.

Por gjërat kanë ndryshuar, bordet që mbushën korridoret e institucioneve me tavolina për të “rehatuar” votuesit e tyre, gjysma janë shkarkuar, dhe gjysma tjetër po pret shkarkimin. Pronto drejtorët, menaxherët, ekspertët e lloj lloj titujsh të shpikur që blenë diplomat në diplomore private, u ndien të kërcënuar dhe si fronti i tyre i fundit dëshpërues u bënë Sindikatat. Për ironi, në Sindikata kryesisht ishin instaluar kuadro të pa përfillura të pronto-kuadrove, dhe tash, shefat dhe “të mëdhenjtë” e tyre, u desh të kthehen te Sindikatat, te të pa përfillurit, te ata të cilëve ju thonin dikur “heshtni se ju e dini si keni ardhur”, që tash e tutje të mos heshtin.

Kosova ka një papunësi të madhe, dhe një sektor privat neo-feudal, i cili përveç që i paguan më pak punëtorët në raport me sektorin publik, ju jep edhe shumë më tepër orë pune. Privilegji të punosh në sektorin publik në Kosovë është i madh, ke mundësi kredie, ke mundësi pushimesh të shpeshta, dhe të bie fare pak të punosh, rrjedhimisht, ky sektor qe rezervuar përgjithësisht për bijë e bija krerësh partish, Ministrash, deputetësh, biznesmenësh që financojnë partitë politike dhe ndonjë fatlumi të rrallë.

Por me gjithë benifitet që ka sektori publik në Kosovë në raport me neo-skllavërinë e sektorit privat, ata duan më tepër, ata duan shumë më tepër madje. Thënë thjeshtë, në Kosovë sektori privat është në gjendje të mjerë për shkak të sektorit publik. Kur shumë punëtorë të sektorit privat paguajnë taksat, me këto taksa paguhen shumë parazitë të sektorit publik. Sigurisht, që në sektorin publik ka profesionistë dhe punëtorë të zellshëm, sikur që në sektorin privat ka biznese që kanë konsiderata për punëtorët, por këto nuk janë bazë nga ku të nxiren konstatimet e përgjithshme për realitetin e Kosovës.

Tash që Pronto Sindikatat janë “iluminuar” për të kërkuar të drejtat e punëtorëve* (përgjithësisht klientelës), ato dolën sot me një kërcënim për greva të përgjithshme. Pra, ata duan të kenë pagat më të larta në raport me sektorin privat, duan të kenë shumë më tepër pushim, të kenë kontrata të përhershme, dhe të mbajnë grevë nëse kërkesat e tyre për përmuajshme nuk plotësohen si me shkop magjik.

Sidoqoftë, po e marrim si të ligjshme kërkesën e Pronto Sindikatave, pyetja e thjeshtë shtrohet, ku t’i marrim paratë?

Sepse, për të bërë një rritje në një sektor, duhet të bëhet një ulje në ndonjë sektor tjetër, dhe pyetja tjetër është, ku të bëhet kjo ulje?

Në kërkesat e Proto Sindikatave në Kosovë, kjo ulje do duhej t’i bëhej sektorit privat. Pra, sektori privat në Kosovë është totalisht i mjerë, i pa vetëdijshëm, dhe ka arsye për këtë gjë. Një biznesmen i Kosovës, i mirë apo keq, fare lehtë zëvendëson punëtorët, por nuk është e njejta me sektorin publik, ku punëtorët ndonëse mund të jenë fare të pa përgjegjshëm dhe të mos punojnë asgjë, është shumë e vështirë të largohen. Rrjedhimisht, të pa fatët që duhet të punojnë për biznesmenë që në puna shkojnë me vetura 100 mijë euro, e që punëtorët i paguajn vetëm sa për tu ushqyer, nuk kanë nga të ankohen, e vetmja adresë ankese për ta janë terminet për tu arratisur nga Kosova nëpër Ambasada.

Por kjo nuk po i mjafton sektorit publik në përgjithësi, dhe sindikatave tashmë të iluminuara në veçanti, ata nuk duan të çajnë kokën për askë, ata duan më shumë. Dhe, një zgjidhje ironike është kjo. Le t’i taksojmë 30% bizneset, le të ulim pagat në sektorin privat, le të ndërtojmë kazerma punishtesh meqë me këto kondita nuk do jetë e mundur jeta në shtëpi private, dhe duhet krijuar ca lloj getosh për punëtorët e sektorit privat, dhe ta kënaqim sektorin publik, sindikatat dhe klientelën e njëzet viteve të fundit.

Një tjetër mundësi është që Qeveria t’i përgjigjet pronto-grevave me këtë argument, dhe nëse ata nuk janë të kënaqur me kushtet e punës, le të bëjnë një shkëmbim me sektorin privat. Besoj që sektori privat, do ishte shumë më efiqent në punë, dhe shumë më të kënaqur. Sigurisht, edhe kjo e fundit me ironi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat