Kriza energjetike dhe dështimet strategjike në ekonominë e Kosovës

Opinione

Kriza energjetike dhe dështimet strategjike në ekonominë e Kosovës

Nga: Ismail Muçiqi Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 17:52
Ismail Muçiqi

Kaluan 22 vite kur Kosova u çlirua nga okupimi serb, por mjerisht politika strategjike e zhvillimit të ekonomisë asnjëherë nuk ishte prioritet i Qeverive që udhëhiqen me vendin. Tani për shkak të këtyre dështimeve Kosova po përballet me mungesë të energjisë elektrike dhe të reduktimeve të gjata, të cilat po e shqetësojnë opinionin e gjerë dhe po i sjellin dëm ekonomisë dhe resurseve tjera ekzistuese.

Është i pakuptimtë dhe paradoksal se si një vend me resurse të pa fund të linjitit të përballet vazhdimisht me krizën energjetike. Kjo po i ndodh Kosovës për shkak të papërgjegjësisë totale dhe të dështimeve të njëpasnjëshme të Qeverive në pushtet, të cilat për 20 vite nuk arritën të ndërtojnë një termocentral të një kapaciteti deri në 500 megavat, i cili do të mjaftonte për nevojat e Republikës së Kosovës.

U fol disa herë dhe u premtua me vite të tëra se do të ndërtohen kapacitetet e reja energjetike duke i shfrytëzuar resurset e linjitit, rezervat e të cilit janë të pa llogaritshme. Kjo nuk u bë asnjëherë për shkak të polarizimit të partive politike, të një pjese të shoqërisë civile dhe të disa mjeteve të informimit, të cilat ishin në shërbim të interesave të grupeve të ngushta të mafisë politike dhe asaj ekonomike. Duhet theksuar se vite me radhë u zhvilluan debate më të ndryshme të grupeve të interesit si nga brenda dhe jashtë Kosovës, të cilat asnjëherë nuk arritën t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të gjejnë rrugë për zgjerimin e kapaciteteve energjetike.

Qëndrimet populliste me plotë demagogji politike kundër ndërtimit të termocentralit të ri kinse për ruajtjen e ambientit e sollën Kosovën në terr në mesin e muajit dhjetor të vitit 2021. Më shumë se një gjysmë shekulli qytetarët e Kosovës dhe ekonomia u furnizuan me energji elektrike nga termocentralet e Kosovës [A], të cilat me decenie prodhuan energji elektrike duke e shfrytëzuar linjitin e Kosovës afër Obiliqit. Me mijëra e mijëra tonelata thëngjill u nxorën dhe u absorbuan në termocentralin e Kosovës A pa ndonjë standard apo mbikëqyrje të ndotjes të ambientit, të cilën qytetarët e Kosovës e përballuan edhe atëherë kur teknika dhe teknologjia e filtrave për mbrojtjen e ambientit nuk ekzistonte. Shtrohet pyetja? Si mund të zhvillohet ekonomia e një shteti në shekullin e 21 pa resurse energjetike.

Sot kriza energjetike u shndërrua në krizë globale, e cila e ka kapluar gjithë botën. Çmimet janë shtuar në mënyrë të paimagjinueshme, dhe ato po e godasin jo vetëm ekonominë e shtetit, jo vetëm buxhetin e Qeverisë, por kriza po e godet çdo qytetar dhe familje në Kosovë. Kosova po përballet me shumë sfida dhe probleme, të cilat janë krijuar dhe përcjell vite me radhë nga një Qeveri në tjetrën dhe tani kriza po troket në dyert e kabinetit të Qeverisë aktuale.

Askujt më në institucionet e Kosovës nuk i lejohet popullizmi dhe retorika pseudo patriotike, të cilat me vite sollën përçarje dhe dëme të pariparueshme në të gjitha sferat ekonomike dhe shoqërore. Çdo kush duhet ta kryejë punën dhe misionin dhe të japë përgjegjësi para qytetareve dhe para ligji. Qeveria cilado qoftë në pushtet, është ajo që mban përgjegjësinë për funksionimin të rendit dhe ligjit dhe normave tjera të cilat parashihen me Kushtetutë. Grupet e interesit çfarëdo ato qofshin mund të japin mendimin e tyre, por assesi ato nuk mund t’i bllokojnë politikat zhvillimore të Qeverisë, e cila e ka mandatin legjitim të votës së lirë nga qytetarët. Prandaj, edhe pse shumë vonë qeveria aktuale patjetër se duhet ta analizojë dhe ta korrigjojë strategjinë e zhvillimit afat mesëm të Republikës së Kosovës në mënyrë që sa më parë ta bëjë elaboratin për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike sa ende nuk është bërë vonë. Përndryshe qytetaret me vite janë traumatizuar nga reduktimet e energjisë elektrike, të cilat më nuk mund t’i arsyetojë më asnjë Qeveri apo institucion shtetëror.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat