Protesta kundër A. Vuçiqit në Tiranë ua zbardhi fytyrën gjithë shqiptarëve!

Opinione

Protesta kundër A. Vuçiqit në Tiranë ua zbardhi fytyrën gjithë shqiptarëve!

Nga: Dr. Nikollë Shabani Më: 21 dhjetor 2021 Në ora: 14:42
Foto me Doktor Berishën nga takimi në Lutjet e Mengjesit, tradicion i Washingtonit-SHBA, të mbajtur në Budva-Mal i Zi.

Prof. Dr. Sali Berisha, vëllezër e motra shqiptare që ishit të pranishëm në protestë, ju përgëzojmë për tubimin, mundin dhe sakrificën tuaj, ju folët me zërin tuaj demokrat, vepruat ashtu siç i ka hije një populli të civilizuar, dëshmuat me zëmrat tuaja se e doni Shqipërinë e lirë dhe demokratike..!

Në emrin tim dhe shokëve në rrethin e Intelektualëve të përzgjedhur në Gjermani (BISHM), e ndjej të nevojshme këmbimin e mendimeve tona lidhur me hallet që i kanë katandisur shqiptarët, sidomos në muajt e fundit.

Protesta në fjalë na e kujtoi kohën kur në Gjermani ne shqiptarët nga të gjitha trojet etnike, protestonim për pavarësimin e Kosovës dhe internacionalizimin e çështjes shqiptare në rrethanat aparthejdit në Kosovë. Kujtoj me saktësi se në qytetin e Ludwigshafenit ku veproja, isha përgjegjës kryesor për të gjitha protestat që bënim në ato vite, dhe është fakt ishim ne disa veprimtarë që organizonim dhe koordinonim protestat kundër regjimit kriminal të Serbisë, derisa patriotët mërgimtarë me pjesëmarrjen e tyre mbushnim sheshet e kryeqyteteve të Evropës me mijëra protestues.

Protesta e mbrëmshme në Tiranë e organizuar nga Dr. Sali Berisha dhe anëtarësia e PD-së kundër vizitës së Aleksandar Vuçiqit në Shqipëri, dëshmoi qartë se shqiptarët nuk e pëlqejnë krushqinë në fjalë, i quajtur Shengeni Ballkanik.

Serbija për t’u marrë me bashkëpunim të hapur me vendet e rajonit ballkanik, duhet së pari ta ndërrojë kursin politik në qëndrimet e veta ndaj shqiptarëve, e cila ende vazhdon me rrenat e saja të vjetra, ku na del madje edhe si viktimë, derisa në gjithë rajonin shkaktoi luftëra të përgjakshme pas 90-tave. Ajo vazhdon të armatoset masovikisht, dhe a thua nga cili popull i ka drejtuar tytat e tanksave ruse..!?

Prandaj, asnjë politikan shqiptar nuk duhet të merr nisma të këtilla, bashkë me përkrahës të krimeve në Kosovë, siç është A. Vuçiqi, i cili ka qenë ministër i regjimit kriminal të S. Millosheviçit gjatë kohës së luftës në Kosovë..!?

Populli serb duhet të lirohet nga prijës si Vuçiq, Nikoliq etj., mandej të ofron vizione për një ardhmeri dhe paq në rajon. Sikur kryministri Rama gjatë qëndrimit të tij në Francë të kishte marrë pjesë me ne mërgimtarët në protesta për pavarësinë e Kosovës, si për shembull, solidarizimin me minatoret, me studentët etj, ose, po të kishte kontribuuar në fondin e 3%-it apo atë “Vendlindja thërret”, me siguri se nuk i kishte shkuar mendja të bëjë nisma të tilla antishqiptare me Vuçiqin!

Por qëndrimet politike shqiptaret duhet t’i marrin pa influencën e qarqeve antishqiptare, kur dihet se kombi shqiptar në Ballkan është faktor kyç në vendimmarrje në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.

Viti që po lëmë pas në aspektin e mbrojtjes së vlerave të arritura në rrafshin kombëtar, na bëri një varg tundjesh si një termet i shkallës së lartë, dhe, rasti i parë ishte dërgimi në gjykatën e Hagës mbrojtësit e popullit nga masakrat e Serbisë, që është një paradoks për çdo parim demokratik.

Rasti i dytë, dhe tejet i dëmshëm për çdo shqiptar të lirë dhe demokrat, ishte shpallja e legjendarit të demokracisë në Shqipëri, Prof. Dr. Sali Berisha, persona “Non-grata” nga shtetet e bashkuara, akt ky që i lëndoi zëmrat e shumë shqiptarëve.

Për tundjen e dytë dua t’iu rrëfej disa gjëra që i përjetojnë shqiptarët në Mërgatë kur mes veze i këmbejnë brengat që kanë për atdheun, dhe këto rrëfime vijnë nga ata mërgimtarë të cilët e shkrinë jetën e tyre dhe të familjarëve si dhe pasurinë për ta ndihmuar luftën çlirimtare në Kosovë, duke ua pakësuar kafshatën e gojës fëmijëve të tyre, që sot kanë vetëm nga një foto në muret e dhomave të tyre me nga një shirit të zi në kënd, nga ata mërgimtarë që nuk e njohën kurrë babanë e tyre, sepse ai ishte vrarë në mbrojtje të atdheut, kur ende ishin në barkun e nënës, nga ata nënat e cilëve ende vajtojnë për fëmijët e tyre pa ua ditur ende varret.

Ata çdo ditë thonë;

- E dua Amerikën më shumë se veten, sepse ajo na shpëtoi nga shfarosja, por me aktin çfarë i bën Dr. Sali Berishës na e kanë hapur një plagë të re në zëmër, dhe as gjumi i natës nuk më nxënë më si duhet !?

- Presidenti Ibrahim Rugova vdiq shpejt, shumë figura të shquara të kombit, ikën po ashtu shpejt, si Pjetër Abnori, Arben Xhaferi, etj., andaj rasti më Sali Berishën nga miqtë tanë amerikanë nuk e kuptojmë pse ndodhi, ne jemi rritur me fjalën “Besë” dhe Amerika na njeh mirë, por ne e njohim fort mirë besën dhe pastërtinë e Dr. Sali Berishës.

- Pasha besën, nëse Amerika kërkon hajna, ata me bollëk mund t’i gjen në Mal të Zi dhe në Serbi, ndaj nuk e kuptojmë se pse i lypin tek ne njerëzit e tillë..!? Hiqni dorë nga këto dyshime, sepse ne shqiptarët kurrë nuk do shkojmë me Rusinë. Pra, Sali Berisha na ka pri në rrugën e demokracisë dhe botës së lirë perëndimore, madje është politikani me i aftë për ta ndjekur djallin e kuq neo-komunist..!

- Kjo punë nuk është lojë, por siç duket edhe Shqipërisë po i vijnë mendtë si Kosovës dikur, prej leckave kaluan në miliona, dhe është fakt se njeriut i prishet mendja edhe parimi kur vjedh kaq me paturpësi..!?

Dr. Sali Berishën për herë të parë e kam takuar në vitin 1992, pas dy ditësh që Kolec Topalli ishte emërua Sekretar i Përgjithshëm në Presidencë. Një ndër intervistat e para me bëri Edi Paloka, në atë kohë ai ishte gazetar në gazetën Rilindja Demokratike. Takimet i bëra në rolin e përfaqësuesit të investitorëve gjerman në lëmin e bujqësisë dhe kulturës, dhe rreth këtij investimi Doktori e caktoj nga Ministria e Bujqësisë, njëkohësisht zv/ kryeministrin e z. Meksi, z. Rexhep Uka, ku vazhduan një seri veprimesh dhe takimesh ndërmjet palës shqiptare dhe asaj gjermane.

Me rrogën time mujore asokohe mund të bleje një shtëpi 3 katshe në Shkodër apo Tiranë, por as që më shkonte mendja të blejë, edhe pse ofertat ishin të shumta. Shpeshherë familjarët më bënin lutje që të angazhohem për marrjen e tokave tona të mbetura nën Shqipërinë komuniste, por as atë gjë nuk e bëra, sepse prioritet kishim kauzën tonë kombëtare. T’i kishe këto mundësi dhe mos të bleje as edhe një banesë në Shkodër, për disa miq të mi ishte kjo diçka absurde, ndërsa të vetmin fitim që e bëja në shtetin amë ishte, të ngarkoja libra dhe t’i sillja në biblioteken time në Ulqin dhe Gjermani, dhe në atë kohe ishte tepër dhimbse të shikoje se si dija dhe zëmra e intelektualëve shqiptarë shitej në rrugë!

E rrëfeva këtë pjesë të jetës time, se si ne shqiptarët e mbetur jashtë shtetit amë, u edukuam dhe vepruam kombëtarisht mbi bazat e atdhetarizmit tonë si komb, ku vend të veçantë zënë pa dyshim, vepra dhe udhëzimet e Prof. Dr. Sali Berisha. Pjesëmarrjet e mija në shumë evenimente të ndryshme kombëtare në Shqipëri ishin të shumta dhe vite me radhë, ku do e veçoja ftesën e miqve të mi për pjesëmarrje në raste të ndryshme, siç ishte vizita e presidentit George W. Bush, e Papa Françeskut, etj., por ishin përherë tejet të veçanta takimet me presidentin, kryeministrin, kryetarin e demokratëve, Prof. Dr. Sali Berishën.

Rasti i tretë tundës, po ashtu në këtë vit, ishte kur me 6 janar mbi Kapitol Hill u vërsul masa e popullit amerikan, dhe ky është një fakt se sot jetojmë në boten e trazuar, por ne shqiptaret jemi popull i edukuar dhe me traditë të lashtë, ndaj ndodhi të tilla i shohim si paradokse e që na brengosin shumë.

Dr. Sali Berisha, ka marrë përsipër për të tretën herë në jetën e tij, misionin e shpëtimit të Shqipërise nën ambrellën PD-së në ruajtje të normave demokratike, dhe për këtë të gjithë patriotët shqiptarë janë të bindur se do ia dalin mbarë, mbasi që kësaj radhe mburoja do shtrihet më rrënjësisht edhe në mbarë trevat shqiptare.

Me protestën e mbrëmshme kundër Vuçiqit dhe veprimeve të papjekura të Qeverisë “Rama”, u mbrojt Shqipëria edhe Kosova, por nuk mungojë as mbrojtja e shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni, Luginë të Preshevës dhe Çamëri.

Me Doktor Berishën së shpejti do takohemi në Tiranë!

Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri 2022, mbarësi dhe suksese të përhershme shqiptarëve kudo që janë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat