Shqipëria pjesë e një aleance strategjike me Serbinë?!

Opinione

Shqipëria pjesë e një aleance strategjike me Serbinë?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 23 dhjetor 2021 Në ora: 22:48
Aleksander Vuçiq dhe Edi Rama

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, sot është në Prishtinë. Ai është pritur me një ceremoni shtetërore dhe me ngrohtësi nga ana e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti. Ndërsa para dhjetë ditësh Kosovën e vizitoi presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Ndërkaq kreu  shtetit të Kroacisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut kanë vizituar Tiranën me ftesë të presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Por ata nuk u pritën nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ishte ky veprim i zotit Rama një çokë e rëndësishme për aleatin e tij të ngushtë, president të Serbisë.

Ballkani Perëndimor ka shtatë presidentë, (Kroaci, BH, Mali i Zi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Serbi), gjashtë prej të cilëve janë shprehur kundër Open Balkan. Ndërsa presidenti i Serbisë është ideatori i këtij projekti anti-shqiptar e anti-ballkanik. Kjo është njëra anë e medaljes.

Por çfarë ndodh në anën tjetër? Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai në ikje i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, deklaruan të martën e shkuar se kanë ftuar Hungarinë, Greqinë dhe Italinë për t'u bërë pjesë e Open Balkan.

Ata të tre mbrojtën edhe njëherë idenë e Ballkanit të Hapur dhe për ta ngjiz atë në perceptimin e publikun nxorën nga sirtari ftesën për këto tri vende, të cilat janë pjesë e Evropës së Hapur! Me siguri që përveç Hungarisë, as Greqia dhe as Italia nuk do të bëhen pjesë e kësaj krijese serbo-ruse.

Por është me interes të qëmtojmë përtej kësaj që përshkruam më lart. Edi Rama në një Twitter të së hënës së shkuar përmendi se "Open Balkan është interes strategjik i Shqipërisë"! A do të thotë kjo se marrëdhëniet me Serbinë janë e do të jenë marrëdhënie strategjike të vendit tonë?!

Mesa shihet, për kryeministrin e vendit, kjo është "alternativa" e vetme! Ndërsa në vendimin për ftesat e prodhuara për tri vendet anëtare të BE-së bie në sy një fakt interesant. Ftohet Hungaria, por jo edhe Kroacia që të bëhet pjesë e kësaj iniciative. Ndërkohë që Kroacia është vend i Ballkanit Perëndimor, është pjesë e tregut ballkanik dhe ka potenciale ekonomike më të mëdha sesa Serbia për t'i ardhur në ndihmë tregut ballkanik.

Nga kjo që ndodhi në samitin e fundit të Xibrakës mund të shkohet lehtë te deduksioni i dukshëm, sipas të cilit Open Balkan ofrohet si një celulë e miqve të Beogradit. Pra, si një klub jo thjesht ekonomik, por para së gjithash politik i Serbisë.

Nëse Hungaria e Orban bëhet pjesë qoftë si vëzhguese e kësaj iniciative, atëherë do të merrte formë krijimi i një aleance kundër Kosovës në radhë të parë, por edhe kundër Bosnjë-Hercegovinës dhe Malit të Zi. Kjo për faktin se qeveria hungareze është lobuese e fuqishme e ndryshimit të kufijve dhe zhbërjes së shteteve ballkanike në favor të krijimit të Serbisë së Madhe. Fatkeqësisht pjesë e kësaj aleance është edhe Edi Rama.

Gjithsesi e keqja nuk ndodhet aq në këto fakte, sa gjendet në mendësinë e lidershipit në ekzekutivin e Shqipërisë për të ndërtuar një strategji kombëtare bazuar në interesat e individit, përkatësisht të kryeministrit të vendit. Strategjia kombëtare në çdo vend të botës është produkt kushtetues dhe i institucioneve me vendimmarrje konsensuale.

Ndërkaq Edi Rama shpall një aleancë strategjike private, të pa konsultuar, jo logjike dhe në dëm të interesave tona kombëtare. Të ndërtosh marrëdhënie strategjike me Serbinë, do të thotë ta shpallësh atë partner strategjik. Kjo krijon lehtësi ligjore dhe praktika anti-kombëtare në menaxhimin e pasurive kombëtare dhe të sektorëve strategjikë të ekonomisë. Ndoshta shkon deri te krijimi i një aleance ushtarake midis dy vendeve, aleancë që drejtohet kundër Kosovës, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës!

Dikush mund ta quajë herezi që të mendohet deri në këtë pikë. Por ato që po ndodhin në marrëdhëniet midis presidentit serb dhe kryeministrit shqiptar po sjellin çdo ditë fakte që të çojnë deri te ky përfundim. Tashmë është e dukshme aleanca Tiranë-Beograd dhe si rezultat i kësaj vendet e rrezikuara, si dhe politikanët atdhetarë shqiptarë po veprojnë praktikisht për t'iu kundërvënë një aleance të tillë.

Në këtë këndvështrim e shoh vizitën e sotme të presidentit kroat, Zoran Milanoviç në Prishtinë. Zonja Osmani ka ndërtuar mesa duket në koordinim me qeverinë e Kosovës, një strategji anti-Open Balkan, i cili garanton dominimin politik e ushtarak të Serbisë në rajonin tonë. Edhe vizita e Stivo Pendarovskit në Kosovë u adresua te kundërshtia e Ballkanit të Hapur.   

Këto zhvillime janë pozitive, sepse iniciativa serbe që zëvendësoi Procesin e Berlinit po bëhet e rrezikshme për interesat e shqiptarëve në Ballkan. Me rëndësi është ajo që po ndodh në Maqedoninë e Veriut, ku opozita dhe presidenti janë kundër këtij projekti. Dhe është e natyrshme që projekti serbo-rus i Ballkanit të Hapur të varroset në Shkup!

Ikja e Zoran Zaev është produkt i këtij kompromisi që ai realizoi në bashkëpunim me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Shqipërisë dhe me diktatin e George Soros. Po kështu Shqipëria po reagon gjithnjë e më shumë kundër aventurës pro-serbe të kryeministrit të saj. Gjithsesi pritet që samiti i ardhshëm që do të mbahet në Shkup të dështojë.

Dështimi është i destinuar për shkak se çmenduria e Ramës në bashkëpunimin e tij me Aleksandër Vuçiq i kundërvihet gjithashtu interesave të Perëndimit, interesa të cilat nuk i përfaqëson një komisioner i rekrutuar i Bashkimit Evropian!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat