Do ketë luftë të egër në PD

Opinione

Do ketë luftë të egër në PD

Nga: Nasho Bakalli Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 23:23
Nasho Bakalli.

Dy sjellje të kundërta shpërfaqen brënda PD, Kuvendi i 11 dhjetorit, dhe, ai i 18 dhjetorit 2021; dy tipe kryetarësh, dhe antarësie; dy interpretime subjektive për demokracinë në Parti; dy lloje protestash - njëra me dhunë dhe tjetra paqësore - zenë vend brenda shtratit të SHQUP-it të sëmurë! Dy qëndrime, që lidhen me statusi “non grata”, lëvizin në fushën e veprimit të partisë më të madhe opozitare! Të parët, po bërtasin me zërin e ngjirur të zotëronjësve të situatës... Të dytët, po mbrohen me tonin e tyre të mekur… Gjëndja është kaotike. Ajo buron nga veçantia enigmatike e misioneve të dy platformave themeluese të dy kuvendeve të PD - të 11 dhjetorit, dhe atij të 18 dhjetorit 2021.

Gjëndja do të vazhdojë të jetë kaotike, edhe në javët e ardhëshme. Sepse, asnjëri nga Kuvendet nuk goditi thelbin koruptiv të epokës në Shqipëri. Sepse, të dy kuvendet ripërkuan në përvijimet kriminale të të shkuarës përbashkët. Sepse, çështjet që ato aspiruan ti sqarojnë “korupsioni…padrejtësia…minimi i demokracisë” gjenden ende tëzhytura në ujërat e ndotura të përpjekjeve të përbashkëta patriotike... Sepse lufta në arenën e PD është luftë midis dy kryetarëve, dhe bandave përkatëse, për pushtet vetiak në PD! Sepse të parët, 11 dhjetori, premtojnë të djegin edhe Shqipërinë - për të siguruar veten e tyre brenda vorbullës në të cilën mbijetojnë. Sakaq, të dytët zhgryhen studiove te kanaleve televizive… që të fitojnë emërin e idealistëve, ndonëse nuk janë aspak të tillë.

pamje e vrerosur ka rënë edhe mbi fytyrat e tretura e të neveritura të kritikëve-sahanlëpirës. Janë në hall. Nuk kanë siguri te vetja, s’dinë nga t’ia mbajnë. Nga sahani rus apo ai amerikanin, apo ti lëpijnë të dy sahanët njëkohësisht? Po edhe pa sahan përpara ata janë të destinuar për shkak të “pavarësisë” së tyre kundrejt korupsionit, padrejtësisë, dhe autarkisë të thonë veçse fjalë pakuptim rreth kësaj kataklizmoje në PD - personifikuar ajo te Departamenti Amerikan i Shtetit - që nuk po i kursen as kritikët-sahanlëpirës, e më gjërë.

Në këtë kaos, edhe puna e antarësisë të PD ka pushuar. Ajo nuk ka më rol, as edhe në “revolucion”. Ajo shuan; nuk është amvisë e punëve të veta partiake opozitare; megjithatë, ajo është përgjegjëse për çfarë u ka shkaktuar liderëve të vet me indiferencën e saj karshi bëmave “demokratike” të dy kryetarëve, tridhjetë vitet e fundit.

Kaluan tre dekada, dhe PD e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës nuk po gjen ende forcë të hedhë hapa të mëdha e të matura në rrugën e bekuar të përparimit politik e shoqëror. Gjërat që ngjanë nga viti 1992 gjer në 1997, nuk u bënë mësim. Ato nuk qenë anomalira shpirtërore të PD të shkaktuara nga shtërngesa objektive, apo, nga papajekuria e udhëheqësisë. Nëse ato mote qenë kohërat e para, pas Përmbysjes, kur të gjithë rrinin të habitur në pritje të “Messias”; kur çdo gjë rreth nesh ishte si një lojë fantazmash që na tregonte gjithnjë e për çdo gjë anën e zezë të sendeve dhe shpirtërave shqiptar; kur, edhe hapi më i vogël kundërshtues shkaktonte bujë që paguhej shtrenjtë; kur, brenda këtyre ujërave të ndotura u tretën edhe idetë e praktikat që siguronin udhëheqje të ndershme e të paanëshme - atëhere - si u bë e mundur që ngjarjet e zeza të viteve 1996, 1997, 1998, të përsëriteshin edhe më “zi” - Gërdeci, 21 Janari…- gjatë periudhës të dytë qeverisëse të PD (2005 - 2013)?! Po shpallja “non grata” në vitin 2021?! Tetë vite, jo pak, të gjata në opozitë. Pozicion ky i krijuar kastile, nga studiuesit seriozë të Demokracisë, që opozita të shohi qetësisht, realisht, vetveten në pasqyrë. Këtë të fundit, krerët e PD nuk e konsideruan asnjëherë pozitivisht. Pra, nuk jemi përpara një rastësie, apo konsipracioni politik. Jemi përpara paaftësisë kronike të liderëve të PD për të ecur paprerë dhe vetëm drejt në rrugën e demokracisë Perëndimore…

Kjo është pamja tragjike e PD. Në fakt, kjo është pamja e liderëve të 11, dhe, të 18 dhjetorit. Kjo është edhe era e marrë e të shkuarës që bashkë me të tjera pamje, të cilat lexuesi i di më mirë se unë, na i topitin ëndërrat për një jetë normale, na lenë të vuvosur.

Andaj, do kemi luftë në PD; luftë mendimesh të egëra. Lufta pret krahëhapur ta përqafojë antarësinë; ti bëjë ata të luftojnë me duart tyre. Eshtë luftë jo vetëm brënda PD, po, edhe brenda sistemit politik qeverisës në Shqipëri; luftë që do marë edhe shumë vite të tjera, gjersa, kombi shqiptar të formojë shtratin e mëvetshëm-unitar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat