Urime 2022!

Opinione

Urime 2022!

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 31 dhjetor 2021 Në ora: 06:27
Mr. sci. Sylejman Salihu

 

 

 

U gjenda edhe unë sot sikur Migjeni në vitin 1937. Ai s’ kishte shkruar urime asnjëherë, por atë vit, siç thoshte vet, u bë edhe ai “korrekt” dhe shkroi një urim, ndonëse e dinte se të shkruash urime është më shumë hipokrizi, sepse as një përqind e atyre urimeve që bëhen, nuk plotësohen asnjëherë. Por meqë ai bëri një urim të tillë, pse të mos e bëj edhe unë!

E çfarë t’ ju uroj njerëzve të mi, miqve të mi, të dashurve të mi, që janë edhe populli im?

Le t’ ju uroj gëzim dhe le t’ ju uroj lumturi! E ku ka më mirë se të jesh i gëzuar dhe të jesh i lumtur? Pra le të jenë të gëzuar dhe kur njeriu është i gëzuar, atëherë doemos që është edhe i lumtur. E njeriu i gëzuar dhe njeriu i lumtur mund të thuhet se është i gëzuar dhe është i lumtur, sepse i ka të gjitha të mirat e kësaj bote, sepse gëzimi dhe lumturia shkojnë bashkë si motër e vëlla nga pasja e të gjitha gjërave që i duhen njeriut në jetë. Le të jenë të gëzuar të gjithë dhe të lumtur të gjithë, që edhe nëse nuk janë as të gëzuar dhe as të lumtur, së paku le të duken të tillë, për një natë, që të krijojnë atë mendimin dhe iluzionin e rrejshëm të lumturisë. Le të thonë se lum ne që jetojmë në këtë kohë dhe në këtë vend, ku paqja, gëzimi dhe lumturia rrjedhin si mjaltë e hoje dhe na ëmbëlsojnë shpirtin, na ëmbëlsojnë zemrat dhe na ëmbëlsojnë jetën. Le të thonë edhe pse e kanë vështirë të thonë, se dikujt zemra i pëlcet në bark! Le të thonë se janë të lumtur se i kanë të gjitha.

Se kanë të hanë, se kanë të pinë, se kanë të vishen, se kanë të mbathen. Ata, që nuk i kanë këto, le të duken rrejshëm sikundër i kanë. Le të qeshin fytyrat e tyre "të gëzuara", së paku për hatrin e fëmijëve, që i kanë, që edhe buza u qesh, edhe syri u qesh, edhe zemra u qesh. Fundja nëse ata nuk i kanë këto, dikush bile i ka dhe edhe ata le të gëzohen dhe le të duken të lumtur për ironi, të atyre, se "nuk është e thënë" se duhet të jenë të gjithë të barabartë, apo se i varfëri shpreson që nesër bile mund t' i ketë, prandaj e lusin Zotin që Viti i Ri do t' ua sjellë ashtu mjaftueshëm, ashtu dorëlëshueshëm. Nëse dikush në sofrën e tij nuk ka ku t’ u bëj vend të gjitha të mirave që hahen dhe pihen, pse të mos gëzohen dhe të duken të lumtur edhe ata që nuk i kanë ato kurrkund, as përafërsisht si ata, sepse, sa ironike, thonë, edhe gishtat e dorës, nuk janë barabar. Për shembull, në qoftë se për çlirimin e Kosovës ata që kanë luftuar me pushkë në krah nëpër llogore dhe pastaj edhe Kosova është çliruar me premtimin e komandantëve , siç thoshte njëherë një ushtarë duke qarë, kur do të jemi të lirë “do të hamë me lugë të dukatit” e dikujt sot i mungon edhe luga e drurit, se lëre më ajo e dukatit, që as nuk i duhet. Por ata që nuk e kanë as lugën e drurit, le të gëzohen ironikisht për hatrin e komandanteve të tyre që kanë dhe le të qeshin hahaha e hihihi ,se kur shefi dhe mbreti i kanë ato, pse të mos gëzohet edhe mileti.

Prandaj le të duken të gëzuar dhe të lumtur varfanjakët e të gjitha ngjyrave dhe për këtë fytyrat e tyre le t’ u rrezojnë, le t’ u shkëlqejnë dhe zemrat e tyre le t’ u këndojnë dhe le t’ u këndojnë përgjithmonë, nëse ato mund t' u këndojnë. Le të duken të tillë edhe pse kasollja e tyre është e mbushur me myk, me lagështi, nga themeli deri në çati dhe le të duken të tillë, sado edhe vet ajo kasollë nuk është e tyre dhe nesër apo pasnesër mund të nxirren sikter jashtë në borë a në shi me grua e me fëmijë, ngase padroni kur të urdhëron atëherë zbatimi bëhet pa e bërë fjalën dy. E të tillë ka shumë! Të tillë ka shumë mjerueshëm, vajtueshëm. Le të shikojmë në televizor dhe le të lexojmë në gazetë apo nëpër portale dhe le të dalim edhe le t’ i shohim vet e t’ i shohim se si dergjen nëpër shtretërit e mjerimit, nga kolla e keqe, nga tuberkulozi, nga veshkat, nga mëlçia, nga zjarrmia, nga kanceri që ua shkurton jetën përditë.

Le të duken të gëzuar dhe të lumtur, dhe kur njeriu është i gëzuar dhe i lumtur le t’ ia nis dhe le të qesh pafundësisht :hahahahaha! e hihihihihi!,sepse pafundësisht e ka gëzimin dhe lumturinë e shpifur, domethënë ironike, teatrore apo teatrale, iluzore apo sakrale njësoj është. Pra kjo i bie, që le të aktrojnë, se kinse i kanë të gjitha të mirat dhe kinse janë të gëzuar dhe të lumtur sado në të vërtetë ata nuk janë personazhe të asaj bote apo të asaj lumturie tokësore, që mund të thuhet imagjinare qiellore apo hyjnore siç janë eprorët, patronët e komandantët e tyre.

Sepse shumë nga ata luftëtarë, që dikur ia kanë shkrepur plumbin armikut në lule të ballit, sot, o Zot sa trishtim, dëgjojmë se ata me dhjetëra prej tyre, ia kanë shkrepur vetes, sepse i kanë parë të shpërputhura dhe i kanë parë shumë larg a larg idealitetin e ëndërruar atëherë me realitetin e jetuar sot.

Pastaj le t'u uroj, shumë le t' u uroj atyre, që janë shkërmoqur për këtë vend me kazmë dhe me pendë në dorë dhe sot janë kërrusur e në ballë i kanë një milion rrudha, shenjë e një jete të stërmundimshme që punuan për një brez që vinte në shtegtim të kërkimit të lirisë. Janë pensionistët fytyrëngrysur, shpresëthyer, shëndetligë, që vuajnë nga reumatizma dhe ecin lakadredhas duke mos mbajtur ekuilibrin e tyre trupor se forca e shëndeti i ka braktisur. Janë pa sigurim shëndetësor, pa siguri jetësore, mu në moshën ku pikërisht ky sigurim shëndetësor nënkupton jetë për ta dhe pensioni që marrin nuk ua përballon as ilaçet me të cilat ata e mbushin qeskën e najlonit kur dalin nga barnatorja dhe shkojnë fitil në shtëpi, pa asnjë cent në xhep.

Unë nuk dua ta zgjas me urimin tim edhe për shumë e shumë kategori të tjera, por a nuk mjafton, që të tjerët janë pjellë e atyre, që s’ kanë kurrgjë, por që po themi le të duken se kanë çdo gjë dhe që çdo ditë presin dhe ëndërrojnë se si të ikin nga ky vend ku janë lindur, ku janë rritur, ku janë pjekur dhe ku janë djegur, sepse thonë nuk ka ardhmëri. E ku nuk ka ardhmëri nuk ka as punë, as liri, as dashuri.

Urime, prandaj miqtë e mi, njerëzit e mi, të dashurit e mi, luftëtarët e mi, pensionistët e mi, populli im :urime! dhe dukuni së paku një herë në vjet se jeni të lumtur, se jeni të gëzuar, se jeni të kuruar, se jeni të shëruar, dhe qeshni e qeshni e qeshni, (nëse mund të qeshni ironikisht)edhe nëse ju pëlcet mullani në bark siç thoshte babai im dikur!

Gëzuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat