Letër e hapur Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Opinione

Letër e hapur Gjykatës Kushtetuese të Kosovës

Nga: Faik Miftari Më: 4 janar 2022 Në ora: 15:08
Faik Miftari

Para disa ditësh, gjegjësisht me datë 28 dhjetor 2021, Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli aktvendimin me Nr. ref.:RK 1928/21për papranueshmërinë e rastit nr. KI 186/21të kërkesës së parashtruar nga Faik Miftari për vlerësim te kushtetutshmërisë së vendimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve te Qeverisë së Kosovës nr. 58/2021 të 29 shtatorit 2021 për kriteret dhe kushtet për marrjen e ndihmës - mbështetjes për familjet qe kane humbur një anëtar të familjes nga COVID-19.

Që në fillim dua të theksojë se nuk jam një qytetar i Republikës së Kosovës me njohuri”laike” në këtë fushë, por jam me profesion jurist i cili ushtron veprimtarinë e avokatit në zyre të avokatisë. Para se të paraqisja kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë kam llogarit edhe mundësinë se kërkesa mund të refuzohet si e papranueshme nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Edhe pse kam pas kujdes maksimal në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese e Kosovës prapëseprapë me aktvendimin e shpallur ka hedhur kërkesën time si të papranueshme, duke e arsyetuar sipas paragrafit 34 të aktvendimit të saj, :“(I) nuk është parashtruar nga pala e autorizuar, siç parashihet ne paragrafët 1 dhe 7, te nenit 113 te Kushtetutës, nenit 47 te Ligjit dhe rregullit 39 (1) (a) te Rregullores së punës, dhe (II)nuk janë shterur mjetet juridike te përcaktuara ne paragrafin 7, te nenit 113 te Kushtetutës, paragrafin 2, të nenit 47 të Ligjit dhe pikën (b) të paragrafit (1) te rregullit 39 te Rregullores se punës, dhe si e tille, kërkesa duhet te deklarohet e papranueshme ne tërësinë e saj si qartazi e pabazuar.”

Ky arsyetim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i mangët, jo i plotë dhe i papranueshëm pasi që faktet e paraqitura i ka vërtetuar gabimisht dhe në mënyrë jo të plotë. Arsyetimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës se nuk jam “palë e autorizuar”dhe se”nuk i kam shterur të gjitha mjetet juridike”do të kishte bazë, po të mos ishte neni 53 pjesë përbërëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Arsyetimi për mos shterjen e mjeteve juridike i kam pas parasysh paraprakisht dhe këtë e kam cekur edhe në kërkesën e parashtruar:“Pasi që vendimi i ministrit të financave është një akt juridik i përgjithshëm të cilin nuk mund ta atakoj në gjyqësor nëpërmes mjeteve te rregullta juridike, kërkoj nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e këtij vendimi me të cilin shkelen liritë dhe drejtat njerëzore, pa i shterur mjetet juridike në procedurë gjyqësore".

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës në kuptim të nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës, ka pas juridiksion për të shqyrtuar këtë kërkesë që pretendon shkeljen e lirive dhe drejtave themelore të njeriut të garantuara me nenet 23, 24 dhe 26 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës me vendimin e ministrit të financave z. Hekuran Murati, ajo fare nuk e ka marrë parasysh kërkesën e bazuar konform nenit 53 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili thekson:“Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të garantuara me këtë Kushtetutë, interpretohen në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”

Këtë që po e them, e kam cekur edhe në kërkesën e parashtruar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës:” Konform kësaj dua të shtoj edhe interpretimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut(GJEDNJ-së) që për shqyrtimin e kësaj kërkese, të ketë fleksibilitet dhe të mos bazohet në formalitetet paraprake pasi që nuk kam pas mjetet tjera juridike të mundshme të atakojë këtë vendim të ministrit të financave nëpërmes mjeteve të rregullta juridike.Sipas interpretimit të GjEDNJ-së, si parashtrues i kësaj kërkese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi të ministrit të financave z. Hekuran Murati, mund të jem viktimë serioze e shkeljes së lirive dhe drejtave të njeriut nga autoriteti publik i Kosovës, gjegjësisht të ministrisë së financave, punës dhe transfereve të Qeverisë së Republikës së Kosovës.”

Gjykata Kushtetuese e Kosovës përveç tjerash ,kërkesën ka pas dashur të interpretojë edhe konform nenit 53 të Kushtetutës së Kosovës,pasi që vendimet gjyqësore të GJEDNJ-së kanë prioritet ndaj ligjeve dhe akteve tjera nënligjore të institucioneve publike të Republikës së Kosovës.

Edhe pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka theksuar formalisht në paragrafin 33 “praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së”,ajo nuk e ka interpretuar në arsyetimin e saj, se është në harmoni me ndonjë vendim të praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, porse në arsyetimin e saj e ka cek rastet e interpretuara në harmoni me kërkesat tjera vendore në Republikën e Kosovës, vendimet e shpallura të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, KI 17/19, KI 21/19,KI 92/12, KI 62/12, KI 40/11.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendimin e saj ka qenë e obliguar të arsyetojë përveç tjerash edhe në harmoni me vendimet gjyqësore të shpallura të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas së cilës mund të jem “palë e autorizuar “dhe “pa i shtjerr të gjitha mjetet juridike”.

Me sa vijon do të cek disa vendimet shpallura gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe dy vendime të shpallura të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, në bazë të cilave kam pas të drejtë të parashtrojë kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve te Qeverisë së Kosovës nr. 58/2021 të 29 shtatorit 2021 për kriteret dhe kushtet për marrjen e ndihmës - mbështetjes për familjet qe kane humbur një anëtar të familjes nga COVID-19,:

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka mundur të aplikojë parimin që parashtruesi nuk ka pasur qasje në mjet juridik të mundshëm dhe efektiv, dhe të pranojë kërkesën pa i shterur mjetet juridike(Shih. rasti Barnstedt, Elke Lusise, 2009, Venise Commission, CDL-JU(2009)055).

Qasja fleksibile ndaj shterjes së mjeteve juridike është shfrytëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me ç’rast e ka vlerësuar kushtetutshmërinë e parashtruesve pa i shterur mjetet juridike. (Shih: Tom Krasniqi, rasti KI 11/09, 16 tetor 2009, Valon Bislimi, rasti KI 06/10, 30 tetor, 2010).

Individi në rast se nuk preket në mënyrë direkte, mund të preket në mënyrë indirekte nga një vendim i institucionit publik të Kosovës, sikurse është rasti konkret i kërkesës së parashtruar, ku parashtruesi mund të jetë viktimë e arsyeshme e vendimit të ministrisë së financave, që për Gjykatën Kushtetuese ka qenë e mjaftueshme për të shfrytëzuar të drejtën e saj për të vlerësuar kërkesën në mënyrë jo të ngurtë, e jo të veprojë në mënyrë të ngurtë dhe ta hedh kërkesën si të papranueshme. (a.Shih.Karner, Austria, rasti no. 40016/98, Judgement Chamber, ECtHR, 24 July 2003, b.Mc Cann, The United Kingdom, rasti no. 18984/91, Judgement Grand Chamber, ECtHR, 27 September 1995, c. Vijayaanathan&Pusparajah, France, rasti no. 17550/90, 17825/91, Judgement, Chamber,ECtHR, 27 August 1992).

Në përmbyllje të kësaj letre të hapur Gjykatës Kushtetuese të Kosovës do të theksoja se p.sh. kryetari i komunës, ministri, kryeministri apo presidenti mund të bie një vendim antiligjor dhe antikushtetues, pasi që mund të mos njohin normativën ligjore, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës të bie një aktvendim në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, saktësisht në kundërshtim me nenin 53 të saj, është e pafalshme dhe e papranueshme si autoritet përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërinë e ligjeve dhe vendimeve me Kushtetutën.

P.S. Në këtë letër të hapur kam cituar referenca nga Komentar, Botimi I, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, nga autor Enver Hasani, Ivan Čukalović, fq.592-594).

4 janar 2022 Av. Faik MIFTARI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat