19 vjet pa luftëtarin e lirisë, Kolonel Tahir Zemaj

Opinione

19 vjet pa luftëtarin e lirisë, Kolonel Tahir Zemaj

Nga: M.A. Sami Blakaj Më: 4 janar 2022 Në ora: 16:33
Tahir Zemaj, M.A. Sami Blakaj

Janari i këtij viti shënon nëntëmbëdhjetë vjetorin e vrasjes së luftëtarit besnik të Atdheut, strategut ushtarak dhe njeriut të pakursyer për arritjen e lirisë dhe demokracisë në Kosovë, Kolonel Tahir Zemaj.

Vrasja e kolonel Tahir Zemajt ishte vetëm njëra nga vrasjet e pas luftës në Kosovë të organizuara dhe të skenuara nga ata që mendonin dhe vepronin ndryshe nga kolonel Tahir Zemaj dhe bashkëluftëtarët e tij, nga ata që asnjëherë nuk ia deshën të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Tinëzaret dhe dashakeqësit e Kosovës nuk kursyen asgjë nga skenari i tyre për vrasjen e Tahir Zemajt, madje ata nuk kursyen as jetën e djalit dhe kushëririt të tij, të cilët në ditën kritike ndodheshin së bashku me kolenelin Zemaj.

Tahir Zemaj, ndonëse ishte i djathtë dhe ishte gjithnjë në krah të presidentit historik Ibrahim Rugova, megjithatë ai në misionin e tij prej ushtaraku ishte i pa anshëm dhe jo politik.

Kolonel Zemaj me gjithë forcën e tij intelektuale dhe ushtarake u angazhua maksimalisht për internacionalizimin dhe zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare me mjete demokratike, por krahas tyre përgatiti ushtrin e fortë e cila do ti rezistonte armikut.

Përgatitjet e tij ushtarake në mbrojtje dhe shërbim të Kosovës ishin shumë vjeçare dhe ai së bashku me ushtarakët e tjerë të kalitur mirë si Agim Ramadani, Sali Çekaj e shumë ushtarak të tjerë, krijuan dhe udhëhoqen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK), e cila atëbotë vepronte nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe ministrit të atëhershëm, Ahmet Krasniqi.

Tahir Zemaj, epror dhe ushtarak me përvojë gjatë luftës në Kosovë ishte i përqëndruar më shumë në zonën e Dukagjinit, zonë kjo në të cilën u zhvilluan luftime të ashpra përballë makinerisë serbe.

Betejat tashmë të njohura jo vetëm për zonën e Dukagjinit, por për gjithë Kosovën, ishin beteja e Logjës dhe ajo e Llukës, e që ishin nën udhëheqjen e tij. Pikërisht lufta dhe betejat e fituara prej një ushtaraku dhe strategu të luftës siç ishte kolonel Tahir Zemaj, ishin arsyet që shtyn armikun të mos ndalej drejt përpjekjeve të tij për ta bërë atë që nuk kishin mundur ta bëjnë gjatë luftës, për të vrarë atë që në luftë ishte i pa kapshëm dhe i pa prekshëm për armikun, për të vrarë atë që ishte simbol i mbrojtjës dhe shpresës për popullin dhe bashkëluftëtarët e tij.

Tahir Zemaj nuk vdiq në luftë edhe pse shkoi për të vdekur, por ai u vra tinëzisht nga kriminelët e trathtarët, ai u vra nga ata të cilët flisnin shqip, por që në fakt nuk kishin gjak shqiptari.

Vrasja e kolonel Zemajt tashmë po rrumbullakson nëntëmbëdhjetë vjetorin dhe në këtë përvjetor me të drejtë duhët thënë se ai ishte dhe mbeti hero për kombin shqiptar.

Megjithatë është për të ardhur keq që edhe sot në 19 vjetorin e vrasjes së trefisht, kolonel Tahir Zemajt më të birin dhe kushëririn e tij, kriminelët akoma veprojn të lirë.

Është koha e fundit që institucionet e ndjekjes dhe ato të drejtësisë të veprojnë në Kosovë dhe kësisoj të udhëhiqen nga parimi human „çdo drejtësi e vonuar, është pa drejtësi“. Këto institucione duhet të reagojn sa më shpejt në gjykimin e drejtësisë, sepse në të kundërten asnjëherë nuk do të ketë qetësi dhe aq më pak drejtësi në Kosovë.

Fundja, ky është obligim ligjor, politik e moral që Kosova domosdoshmërisht duhet ta kryej para qytetarëve të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat