Mosha nuk e përcakton limitin kohor për angazhim dhe kontribut individual

Opinione

Mosha nuk e përcakton limitin kohor për angazhim dhe kontribut individual

Nga: Rexhep Elezaj Më: 4 janar 2022 Në ora: 21:04
Rexhep Elezaj

Është i pashpjegueshëm fakti, se si vetëm udhëheqësit politik dhe shtetëror shqiptar në periudhën e pasluftës, sikur në asnjë shtet tjetër në Evropë, mosha e një profesori, politikani, mjeku, diplomati, inxhinieri, mësuesi, etj., që i kalon të 65-tat, të trajtohet dhe konsiderohet si limit dhe pengesë për punë dhe angazhim të më tutjemë në pozita dhe detyra specifike, përderisa ata vazhdojnë të jenë të aftë për punë fizikisht dhe psiqikisht..!?

Pra, derisa njeriu të ketë shëndet të mirë, të ndjehet vital dhe i aftë për punë mendore dhe fizike edhe pas moshës 65 vjeçare në fusha të ndryshme, siç është arsimi, edukimi, mjekësia, politika, diplomacia, ofrimi i këshillave profesionale në planin e hartimit të projekteve zhvillimore në sektorë të ekonomisë, tregtisë, turizmit, etj., mosha nuk mund të jetë e limituar dhe pengesë për ta dhënë kontributin personal secili individ në shoqërinë dhe rrethin ku jeton !

Pra, është për t’u çuditur deri në absurd se si ky fenomen kaq negativ ka zënë rrënjë në shoqërinë kosovare, siç është përjashtimi dhe injorimi i potencialit intelektual si dhe mos shfrytëzimi i përvojës së madhe që ky grup-moshë bartë me vete pas pensionimit, pra se si vetëm në Kosovë, për ndryshim nga vendet tjera ballkanike, evropiane, SHBA-të, Kanada, etj., të mos “eksploatohet” gjithë ky kapacitet i tyre, gjithë ajo përvojë e madhe që e kanë, duke i angazhuar përkohësisht, qoftë si këshilltarë nëpër komuna, qoftë si ekspertë në ekonomi, në arsim, kulturë, shëndetësi, etj., qoftë si diplomatë dhe ambasadorë me përvojë, qoftë si deputet dhe asistentë universitar, me qëllim që dijen dhe përvojat e tyre të mëdha të barten tek gjeneratat e reja.

Pra, që përvoja dhe aftësitë e tyre profesionale të futën në shërbim për interesa të shtetit të Kosovës, si në planin e brendshëm zhvillimor, ashtu edhe në politikën e jashtme, në ushtri, mbrojtje civile, etj. Meqë, janë disa poste shtetërore dhe në sektorin privat ku mosha nuk është faktor limitues për punë, siç janë posti i presidentit të shtetit, posti i kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, ministrit për punë të jashtme, e këshilltarëve politikë, posti i drejtorëve të kompanive prodhuese dhe menaxheriale, etj., ngase të gjitha këto funksione kërkojnë njerëz me përvojë të gjatë politike, shtetërore, udhëheqëse, menaxhimit, etj.

Mjerisht, dhe për fat të keq të Kosovës, pas mbarimit të luftës çlirimtare ( 06. 1999) e deri më sot, të gjitha qeveritë e saj pa dallim, kuadrove në moshën mbi 65 vjeçare me përvojë të gjatë në shumë profesione iu është vënë embargo e pakuptimtë, me pretekstin banal, se “pleqtë nuk i duhen më askujt”, duke harruar faktin shkencor se mplakja e njeriut është zgjatur për disa vite, siç e dëshmon këtë shtyrja e kohës së pensionimit e aprovuar me ligj para disa viteve në Gjermani dhe disa vende tjera evropiane, nga 65 në 67 vjet.       

Andaj, shtrohet pyetja, pse vetëm në Kosovë si një shtet i ri dhe me fare pak përvojë në shtet-ndërtim, është vepruar dhe ende vazhdohet me kaq budallallëk injorimi dhe mosshfrytëzimi i kapitalit kaq të madh te të “pensionuarve” të cilët bartin me vete dije dhe përvojë të jashtëzakonshme, e cila po sikur të shfrytëzohej do i sillte Kosovës përfitime tepër të mëdha në planin e shtet-ndërtimit të saj.

Kështu veprohet kudo në Evropën perëndimore, sidomos në SHBA, Kanadë dhe shtete tjera të botës, ku mosha nuk është as kusht dhe as e kufizuar me ligj që kuadrot profesionale dhe ekspertë të fushave të shumta pas pensionimit të angazhohen edhe më tutje, sa herë që këtë e kërkon interesi shtetëror, siç e dëshmon këtë zgjedhja e shumë ish presidentëve amerikan në moshën e tyre mbi 65 vjeçare, që nga presidenti Richard Nixon, Ronald Regan e deri tek Donald Trump (72) si dhe presidenti aktual Joe Biden, 78 vjeçar. Pastaj, emërimi i ambasadorëve mbi moshën 70 vjeçare e tutje, siç është tash rasti me z. Kristofer Hill, ambasador i SHBA-ve në Beograd, ai në Bosnje, madje siç ishte edhe emërimi i znj. Madeleine Albright, 85 vjeçare, në postin e këshilltares pranë, “Council on Foreign Relations” (CFR) në Komitetin e Senatit amerikan, etj. etj.!

Njëjtë veprohet me angazhimin e të “pensionuarve” edhe në vendet e zhvilluara të Evropës perëndimore,  sa herë që një angazhim të tillë e kërkon interesi shoqëror, duke punësuar ekspertë të fushave të ndryshme, sepse fijen dhe përvojën e tyre të gjatë nuk duan ta hudhin në koshin e historisë, veçse të njëjtën ta materializojnë gjer në çastin e fundit të jetës së tyre, duke kursyer madje shuma të mëdha financiare të cilat do duhej paguar për ekspert të huazuar nga jashtë në shumë raste, sidomos në industri!

Me një fjalë, në Kosovë si shumë anomali tjera të shumta që ndodhin çdo ditë me mënyrën e keq menaxhimit të resurseve natyrore, vetëm për shkak të ideve xhuxhe dhe ambicieve egoiste-karrieriste të politikanëve tanë në pushtet, ndodhë injorimi dhe mosrespektimi i dijes dhe përvojave të mëdha që kanë figurat e shquara intelektuale dhe profesionale, të cilat shuhen në heshtje bashkë me përvojat e tyre, pa i shfrytëzuar fare, vetëm se dikujt i bëjnë konkurrencë në garën e tyre për pushtet, thua se liria dhe shtetësia e Kosovës kanë filluar dhe do mbarojnë me ta dhe gjeneratat naive e të papërvojë të cilat erdhën në pushtet pas vitit 2000 e tutje..!?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat