Të vendoset simetria, pastaj të flitet për Ballkan të Hapur

Opinione

Të vendoset simetria, pastaj të flitet për Ballkan të Hapur

Nga: Ramiz Selimi Më: 5 janar 2022 Në ora: 13:31
Ramiz Selimi

Vitin që shkoi njëra nga temat kryesore politike në Ballkanin Perëndimor ishte padyshim “Ballkani i Hapur”. Ishte dhe mbetet një temë interesante, pasi në njërën anë ishte tërheqëse, por në anën tjetër kishte shumë dyshime dhe dilema. Madje kjo iniciativë kishte ndarë shtetet në dy taborë të barabartë, tre me tre.

Askush në rajon nuk mund të jetë kundër lëvizjes së lirë, madje as Kosova që akoma nuk njihet nga fqinji verior . Megjithatë në njërën anë tani për tani kemi një asimetri të fuqishme politike mes Serbisë dhe Kosovës, Serbisë dhe Bosnjës, por kemi edhe një asimetri të plotë ekonomike mes Serbisë dhe vendeve të rajonit, prandaj së pari duhet të vendoset një simetri “ekuilibër disbalancash” mes vendeve të rajonit para se të filloj kjo nismë. Janë shkruar me qindra komente dhe opinione (për) dhe (kundër) kësaj iniciative, me të drejtë ose pa të drejtë, prandaj nuk dua të përqendrohem se kush ishte rreshtuar në anën e duhur, por do të përpiqem të them ato sesi e shohin në Evropë këtë nismë?

Përpos granteve të Ippa-s dhe investimeve të BE-s, që duhet t’i pranojmë pa hezitim, deklaratat politike, sikur të Varhajlit për Ballkanin e Hapur, kur është në pyetje interesi i Kosovës duhet t’i selektojmë, madje në disa raste nuk duhet të merren shumë seriozisht nga shteti ynë, sepse nga 28 shtete që ka Bashkimi Evropian do ti kemi gjithmonë 28 mendime të ndryshme. Ne duhet të fokusohemi në deklaratat e shteteve mike, p.sh. një deklaratë e një politikani (të themi) në Gjermani, ose e një Eurodeputeti nga ky shtet do të ketë përmbajtje 100% të ndryshme nga e një politikani (të themi) në Rumani. Politika e Orbanit në Hungari, ose ajo Sllovake,.... janë në kundërshtim të plotë me vetë interesat e Bashkimit Evropian, kështu që emisarët e tyre politik, jo vetëm që duhet pasur kujdes, por çdo deklaratë e tyre duhet të analizohet në detaje. Në Evropë shumica e politikanëve janë për hapjen e kufijve, por me një barazi të plotë të shteteve pjesëmarrëse. Ata janë skeptik se kjo nismë mund të funksionoj edhe për Kosovën pa një marrëveshje paraprake me Serbinë, prandaj procesin e Berlinit dhe integrimin në BE e shohin si zgjidhje dhe jo këtë nismë. Gjithashtu ka një vështrim të ndryshëm për sa i përket Shqipërisë të qenit pjesë e kësaj iniciative. Disa nismën e shohin edhe si formë e presionit karshi BE-s, për shkak të vonesave në integrimet evropiane.

Nga këndvështrimi i interesit të Republikës së Shqipërisë, mendohet që ajo ka të drejtë të rreshtohet në anën që dëshiron. Me hapjen e kufijve si dobi kryesore spekulohet se do të ishte rritja e turizmit në vend dhe ky është qëllimi primar i Edi Ramës, pse ai këmbëngulë në këtë iniciativë, sepse mundësia e përfitimeve në sektor tjerë është zero, pasi fuqia ekonomike e Republikës së Shqipërisë është akoma inferiore karshi Serbisë. Edhe këtu Shqipërisë i duhet të vendosë një simetri me Serbinë (propozuesin e iniciativës), në mbrojtjen e prodhuesve shqiptarë, pasi hendeku ekonomik në mes Republikës së Shqipërisë dhe Serbisë nga një numër i madh treguesish shihet si tepër i lartë, p.sh.(forca e eksportit, rëndësia e nivelit të industrisë, zhvillimi i kostove të punës për njësi,.... etj.) mbart rreziqe për të ardhmen e Shqipërisë.

Ballkani i Hapur mund të bëhet “Harakiri” për Republikën e Kosovës.

Aleksandër Vuçiq në kokën e tij ka një perceptim me ndjenja mashtrimi, pasi mendon se jo vetëm marrëdhëniet politike por edhe ato ekonomike me shtetet e rajonit mund të vazhdoj t’i trajtoj edhe me tutje sipas dëshire, duke i parë ato si vende të brishta dhe të pafuqishme ti kundërvihen interesave të saj.

Në anën tjetër edhe Kosova ka plotësisht të drejt në qëndrimin e saj, sepse tërthorazi në pjesën teknike pjesëmarrja e saj në Ballkanin e Hapur mund të ishte një “Harakiri”i vërtet për qytetarët e saj. Serbia nuk respekton dhe nuk zbaton asnjë marrëveshje me Kosovën edhe atëherë kur garantuese janë shtetet e fuqishme, e lerë më një marrëveshje kur në mes është vetëm Edi Rama.

Jo vetëm gazetarët, por edhe politikanët evropianë pyesin vetën me skepticizëm, sesi do ti trajtonte Serbia simbolet e Kosovës kur ato sot i lufton me të gjitha mjetet e mundshme. Ka teori hipoteke që thuhet se, çfarë do të ndodhte me një qytetar të pajisur me dokumentet e Republikës së Kosovës në Serbi, kur do të ndalohej nga policia për identifikim? Mund të gjobitej dhe do ti kërkohej sa më parë të ikë nga Serbia, pasi kushtetuta e Serbisë e sheh Kosovën si pjesë të saj. Apo ndoshta në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë bien dakord që të vendosen prapë ca kioskë për ndryshim dokumentacioni, dhe ku është barazia e shteteve këtu? Qytetarët kosovarë do të ndiheshin të tradhtuar, pastaj do të detyroheshin (sikur viteve të kaluara me tabelat e makinave KS) të marrin dokumente serbe ose shqiptare, në të kundërtën nuk do të jenë të barabartë atje. Madje ka politikanë evropianë që mendojnë se Aleksandër Vuçiq mund ti ketë premtuar Edi Ramës se do të mbyllë njërin sy për shtetasit kosovarë dhe do ta nënshkruaj marrëveshjen për qarkullim të lirë edhe të Kosovës, por ata nuk besojnë në zbatimin e saj në terren, meqë policia gjithmonë do të arsyetohej në ligj dhe kushtetutë, pra në këto rrethana kjo do të ishte pothuajse i pamundur të realizohet.

Ne nga Kosova i kuptojmë këto manipulime të Serbisë me mirë sesa Edi Rama, prandaj së pari do të ishte mirë të bëhej një marrëveshje gjithëpërfshirëse në vendosje të simetrisë, pastaj mund të flasim për iniciativa rajonale.

Shqipëria si shtet ballkanik ka të drejtë të bëjë atë çfarë mendon që është në interes të saj , kurse në anën kombëtare “hyxhymi” i Edi Ramës me vetëdije ose pa të në këtë nismë rajonale është një gabim trashanik dhe me pasoja, sidomos për shtetin e ri të Kosovës. Padyshim, ky veprim mund të cilësohet edhe si një thikë pas shpine për shtetin e ri. Edi Rama dhe të gjithë shqiptarët duhet ta kenë të qartë se vetëm forcimi i shtetit të Kosovës e ndihmon dhe e realizon bashkimin kombëtar. Të gjitha rrugët tjera kanë pasoja dhe janë të dëmshme për shqiptarët. Edi Rama po ashtu e ka të qartë se ai si mbështetësi kryesor i korrigjimit të kufijve që ishte, tani më në Kosovë i ka rënë imazhi. Ne që pamë dokumentet e korrigjimit të kufijve në Alpach të Austrisë, nuk i besojmë aspak, pasi ato propozime, jo vetëm që ishin të dëmshme dhe poshtëruese për ne, por ishin një poshtërim për vetë miqtë e Kosovës.

Më mirë do të ishte që Edi Rama së bashku me mikun e tij Aleksandër Vuçiq të rrisin investimet dhe nivelin ekonomik të shqiptarëve në Serbi, të hapin shkolla shqipe në Sanxhak dhe Kryeministri shqiptarë të ndajë nga buxheti shtetërorë i Republikës së Shqipërisë së paku 100 milion euro për këto zona. Atëherë mund të besojmë që ai vërtet është një patriot shqiptarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat