Dikur thoshin kurrë, pse Vetëvendosje bëri koalicion me PDK në Podujevë?!

Opinione

Dikur thoshin kurrë, pse Vetëvendosje bëri koalicion me PDK në Podujevë?!

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 5 janar 2022 Në ora: 17:22
Shpejtim Bulliqi i VV-së dhe Naim Fetahu i PDK-së

Vetëvendosje, disa herë e deklaronin se kur s`do bëjnë koalicion me PDK, të cilën e quanin parti e krimit dhe korrupsionit. Njëri ndër ta ishte edhe Shpejtim Bulliqi, për të gëzuar qeverisjen katër vjeçare në Podujevë bëri koalicion me PDK, duke shënuar kështu koalicionin e parë VV-PDK, qoftë edhe në nivelin lokal. Vijat e kuqe të cilat VV i kishte vendosur ndaj PDK ,tashme nuk ekzistojnë. Nga partia e Albinit nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim lidhur me këtë, ndonëse vetvetiu lind pyetja: Çfarë ka ndryshuar tek Vetëvendosje, apo si paska ndryshuar PDK që nuk qenka më "e keqja më e madhe", refren i përsëritur shpesh nga Vetëvendosje.

Do të ishte krejtësisht e natyrshme të ndodhte një koalicion i tillë, nëse nga VV s`do trumbetonin kaq fortë ndaj një gjëje të tillë me PDK, kur kjo ndodh duhet jepen arsyet, jo të lakohet në heshtje. Në këtë kuptim, vlerësoj të domosdoshme të thuhen arsyet, për më tepër a është kjo thyerja e akullit për vazhdimësinë e koalicioneve të ardhshme VV-PDK duke përfshirë edhe nivelin qendror.

PDK është ajo që ka qenë e interesuar gjithnjë për koalicion me të gjithë për ta përdorur si karrem ndaj opinionit me frazën "të gjithë jemi njësoj, ne jemi e keqja më e vogël", duke tentuar të amnistonte veten nga mëkatet e shumta. Nuk e kuptoj se si pretendon të qeveris pastër Bulliqi me Podujevën duke pasur PDK me vete, e njohur për abuzime me pushtetin kudo ku ka qenë.

Tani, LDK ka terrenin e pastër për të bërë opozitë në Podujevë, ndonëse edhe ajo ka mëkatet e veta të cilat e kanë dërguar në opozitë. Mirëpo, edhe VV që u pa si alternativë e ndryshimit ka vënë në diskutim një gjë të tillë me koalicionin e bërë me PDK. Kështu, në politikë ekziston, ose duhet të ekzistojë kodi etikës, ajo që thuhet të jetë e mbështetur nga faktet dhe qëndrueshmeria. Kur nuk mund t'i qëndrosh një gjëje deri në fund është më mirë mos ta thuash.

Vetëvendosje ua ka borxh një sqarim votuesve të saj për ndryshimin e saj karshi potencës së tyre për mos të bërë koalicion me PDK, jo të hesht. Me heshtje nuk mund të tentohet të hidhet hi syve atyre qytetarëve që kanë besuar në ndryshim, dhe kanë votuar për ndryshimin. Duket se në politikën e Kosovës s`ka parimet, janë pazaret ato që mbizotërojnë mbi çdo gjë, interesi primar karshi interesit publik. Ky ndryshim i Vetëvendosjes, më së paku i shkon asaj për shtati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat