Luli dhe Shqupi janë tashmë faqja e zezë e demokratëve

Opinione

Luli dhe Shqupi janë tashmë faqja e zezë e demokratëve

Ilir Levonja Nga Ilir Levonja Më 9 janar 2022 Në ora: 15:29
Protesta

Nëse Sali Berisha e ka seriozisht kur thotë se, nga e shtuna ajo nuk është më selia e Partisë Demokratike, por Ministria e Brendshme e Edi Ramës, duhet urgjentisht të ndryshoj kursin e opozitarizmit. Nuk e kam kuptuar se përse Shqupi u kthye në një fiksim i procesit më spektakolar si Foltorja. Shqipëria nuk ka nevojë për Shqupin, por më të domosdoshmen, frymën jetike, opozitarizmin. Madje ato protestues duhet të ishin në shesh përpara qeverisë. Eshtë naive të bësh kundërshtar Lulzim Bashën, ka humbur përjetësisht dhe u vërtetua publikisht se ai i ka shitur demokratët. Kishte kaq ditë që denoncoheshin kapuçonët, njerëz të paguar brenda Shqupit. Policia nuk reagoi asnjëherë, madje i injoronte faktet. Ato janë aty, publike dhe të gjalla në internet.

Megjithatë një arsenal i tërë shtetëror iu përgjigj për 2 minuta telefonit të Lulzim Bashës. Kur shikon se si dhunohen demokratët me shkopinj bejsbolli, e gaz lotsjellës nga brenda Shqupit, është e neveritshme të mendosh se ajo është tashmë shtëpia e tyre. Zoti e deshi që nuk u vra kush, pasi janë kthyer në rite normale në Shqipërinë tonë. Dhe as mos e çoni nëpër mend drejtësinë.

 Ajo ka vdekur në Shqipëri. Ka vdekur dy herë..., e para nga mandatet false të xhaketave të jurisprudencës, e dyta nga togat e zeza të një shtypi tmerrësisht të angazhuar.

Shqupi nuk është më Partia Demokratike, por një shtojcë e Partisë Socialiste. Partia Demokratike janë ata që mbërritën nga gjithë vendi, që u dhunuan, që u shtynë, që u masakruan nga shteti. Shqupi është... Njësoj si Partia Social Demokrate e Gjinushit e cila iu shit Tom Doshit. Është aleat me siglat vagonë që vetëm emrat e llafollogëve të rremë u ka mbetur..., i keni aty, Ngjela, Beqiri, Milo. Ashtu si dhe nga ata që janë strehuar tek ju.

Klani zemunit për shembull, apo Vangjeli, Roshi, Ndoka a Mediu. Nuk përimtohet jeta e shqiptarëve duke u hequr qafe një dështak si Lul Basha, por Edi Ramën. Ideja e një rithemelimi tingëllonte si herezi para një viti, nga e shtuna duhet të jetë temë urgjente e një tryeze burrash. Burrash e burrneshash, nga ato që rrëzoheshin në bulevard nga gazi helmues. Një hapje më e gjerë për të nxituar së pari për të mundur inatin karshi Shqupit.

Dhe së dyti kulturën kolegjiale të pushtetit të votës. Aleanca e vetme që duhet të bëjnë demokratët, janë qytetarët. Brenda së djathtës ka vdekur tashmë edhe lidhjet gjoja konservatore. Kur shikon ca dallkaukë që gjoja rrjedhin nga shtresat e persekutura, të cilët i gëzohen dhunës, të vjen në mëndje ajo shprehje bajate, i themi babë atij që të ka lëruar nënën.

Sot ka një tabllo tërësisht aleancash të ulta të interesave personale, sa, është e neveritshme të dëgjosh nga profesorët unin si çështje themelore të ndërtimit të vendit. Sot Shqipëria ka degraduar në një demokraci totalisht lindore, aq sa çështja kombëtare gjykohet me mendësinë e komunizmit. Një garnizon i tërë uniformash vërshoi dhunshëm pa përdorur rregullat minimale të rendit, burra, gra të dhunuara, megjithatë plot diplomaxhinj pohojnë me kënaqësi se mundën Sali Berishën. Edhe sikur të ishte vrarë kush aty, ata prapë do deklaronin se mundën Sali Berishën.

Shumë syresh kërkuan të arrestohej edhe ideatori, megjithatë në protestat e janarit 2011, nuk e paraqitën këtë kriter. Është një vdekje totale, por normale e një shoqërie me pensione lëmoshë, pasi jetesën ua mbulojnë fëmijët emigrantë. Është një vdekje totale e një shoqërie që është gati të ripranojë një tjetër diktaturë... Ndaj spektri opozitar duhet ta harroj urgjentisht nocionin seli, nocionin Shqup. Pasi tanimë ajo godinë është faqja e zezë e cv-s së demokratëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat