Rruga e vdekjes Podujevë-Prishtinë, i mori sot edhe dy viktima të reja..!

Opinione

Rruga e vdekjes Podujevë-Prishtinë, i mori sot edhe dy viktima të reja..!

Nga: Ismail Muqiqi Më: 9 janar 2022 Në ora: 18:19
Ismail Muqiqi

Kemi shkruar shumë herë për magjistralen Podujevë-Prishtinë e cila është bërë rruga më problematike dhe më e kobshme për drejtuesit e automjeteve, e cila përditë e më shumë po shkakton fatkeqësi duke marrë jetë njerëzish. Kështu ndodhi edhe sot në fshatin Vranidoll ndërmjet Podujevës dhe Prishtinës ku vdiqën dy persona dhe u lënduan gjashtë të tjerë. Podujeva e cila shtrihet në pjesën Verilindore të Kosovës që pasluftës së dytë botërore ka mbetur një [provincë] e pazhvilluar, e lënë pas dore dhe e harruar si nga ish-sistemi komunist [socialist] ashtu edhe pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999. Ky rajon me mbi 80 mijë banorë mbeti komuna më e pazhvilluar e Kosovës për shkak të papërgjegjësisë të udhëheqjeve qeverisën me këtë komunë, e te cilët politikanë ishin pa integritet, e të cilët asnjëherë nuk ja dhanë hakun këtij regjioni të Llapit.

Podujeva kishte një numër të kuadrove të shkolluara të cilat ja kthyen shpinën këtij vendi për tu akomoduar në kryeqendrën e Kosovës në Prishtinë, për të punuar për vete dhe interesat familjare. Podujeva edhe pse pati njerëz në institucionet më të larta të Republikës së Kosovës ata asnjëherë nuk u angazhuan sa duhet për t’i ndihmuar kësaj komune për t’i zgjedhur problemet e qytetarëve. Kështu po bëhen shtatë vite kur filloj projekti për zgjerimin e rrugës Podujevë-Prishtinë e cila asnjëherë nuk arriti të kryhet për tu lehtësuar qarkullimi normal i qytetarëve dhe punëtorëve të cilët gravitojnë [punojnë dhe studiojnë në Prishtinë].

Kjo rrugë e cila ka kohë që po pagëzohet me emrin “Rruga e vdekjes” që kur ka filluar zgjerimi i saj kanë humbur jetën 13 persona e më shumë se 100 kanë marr lëndime në fatkeqësitë e komunikacionit. Janë të dhimbshme lajmet kur i dëgjojmë se dikush humbi jetën në komunikacion në këtë rrugë të mallkuar e cila ka mbetur e papërfunduar, pa sinjalizime dhe shenja të komunikacionit, por me plotë [xhepa] të cilët po e rrezikojnë jetën e udhëtarëve përditë e më shumë. Prandaj turpi, përgjegjësia dhe ndërgjegjja ka adresë e ajo është neglizhenca e institucioneve lokale [komunale] të Podujevës dhe të strukturave udhëheqëse të cilat me decenie e sunduan dhe e varfëruan këtë komunë.

Padrejtësitë e ndryshme në ndarjen e buxhetit të Kosovës ndodhën që nga paslufta. Ata të cilët ishin në krye të qeverisë dhe të ministrive të ndryshme gjithmonë anuan për interesat e tyre dhe të rajonit nga vijnë. Podujeva asnjëherë nuk pati njerëz adekuat qoftë në komunë apo në institucionet qendrore që u angazhuan apo kontribuan për zhvillimin e kësaj komune e cila ka mbet si një bashkësi lokale e dikurshme. Prandaj nuk është e rastësishme që pjesa dërrmuese e gjeneratës së re nga kjo komunë janë detyruar të kërkojnë fatin e tyre për punë apo për tu shkolluar në shtetet të ndryshme të Evropës. Sot pjesa dërrmuese e qytetarëve të kësaj komune udhëtojnë për çdo ditë nga Podujeva në Prishtinë për ta gjetur ndonjë punë për ekzistencën familjare. Në fund po theksojmë se mos përfundimi i këtij projekti, mungesa e shenjave sinjalizuese të komunikacionit dhe papërgjegjësia totale e institucioneve komunale dhe atyre qendrore kam frikë se mund të ndodhin edhe fatkeqësitë tjera të cilat po godasin për ditë e më shumë me pasoja fatale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat