Lul, jep dorëheqje!

Opinione

Lul, jep dorëheqje!

Nga: Faton Mehmeti Më: 9 janar 2022 Në ora: 19:29
Autori

Nuk i mjaftuan 4 mijë e 935 delegatë të PD-së të cilët në datën historike të 11 dhjetorit, shkarkuan Lul Bashën dhe ca njerëz rreth tij. Kjo vetëm sa i shtoi inatin Lulit për të sulmuar me shufra e me gaz anëtarët e partisë së tij. Kjo gjë nuk është parë askund, të sulmosh anëtarët e familjes tënde dhe të kërkosh ndihmën e kundërshtarit për të sulmuar të tuat. Kjo gjë ndodhi pasi Sali Berisha nuk e mendonte se djali që e rriti dhe ngriti në karrierën politike do e largonte nga grupi parlamentar i PD-së, dhe jo vetëm kaq, por edhe do i blindonte dyert e selisë.

I ndodhur në këtë situatë, Sali Berisha i ka shpallur “luftë” Lulit, njeriut që asnjëherë nuk arriti të bëhet lider. Politika është art, aftësi, karizëm të cilat Luli nuk i disponon me humbjet e njëpasnjëshme. Edi Rama kurrë nuk mund të gjente njeri më perfekt për të se Lulzim Basha në krye të opozitës. Me Lulin në krye të pozitës, Rama ka fituar 3 herë në zgjedhje nacionale dhe dy herë në lokale, e të cilat edhe mund të thellohen edhe më shumë nëse Luli mbetet në krye të PD-së.

I nxitur nga Rama për “të vrarë babanë”, gjë të cilën Rama e ilustronte me vrasjen politike që ia bëri Nanos, Luli më në fund mori një vendim. Luli s'ka pasur nevojë të vras politikisht Berishën, nuk mundet, ka pasur të gjitha mundësitë për të qenë lider opozite në nivel të detyrës, me të tashmen që duhet të gjente atë në opozitë. Luli nuk e ka vrarë politikisht Berishën, Luli ka bërë vetëvrasje politike, me “kufomën” që u varros me 11 dhjetor. Nëse Lul Basha do të tregonte lidership politik që nga 2013, vendimi për largimin e përkohshëm të Berishës do të ishte kuptuar më drejt, s'do e gjente atë të kryqëzuar si tani, pavarësisht se ka pasur mundësi të vepronte edhe ndryshe, gjithsesi humbjet e vazhdueshme politike kanë bërë që Luli si kurrë më parë të jetë cak edhe i vet z. Berisha.

Karriera politike e Lulit s'do të fillonte kurrë në PD pa Berishën, Luli s'do të ishte sot në PD nëse Berisha s'do e kursente. Berisha ndjehet i tradhtuar nga pakti i Bashës me Ramën, lëvizjet e tija politike do të jenë të mëdha, po sjellin stuhi në PD e të cilat do sjellin largimin e Lul Bashës nga PD.

Luli ka kohë të pres, është i ri në moshë, nuk i bëhet vonë nëse rri edhe 8 vjet të tjera në opozitë, deri kur vet Rama t’ia dorëzojë detyrën e kryeministrit, kohë nuk kanë demokratët, nuk kanë ata që shpresojnë dhe presin ndryshimin e shpejtë. Berisha e ka betejën e fundit të tij jetësore, pavarësisht cili do të jetë epilogu, Luli s`ka gjasa të mbetet në krye të PD-së. Andaj, më mirë për z.Basha do të ishte të jepte dorëheqje, e të cilën është dashur ta jepte qysh moti, qysh nga humbja e zgjedhjeve të fundit.

Karriera politike e Lul Bashës ka përfunduar, është vetëm një kufomë politike që i duhet Ramës për të mbetur në pushtet aq sa dëshiron. Babai politikë i Lulit është gjallë dhe i fortë, Berisha po kthehet, jo se dëshironte, por se Luli kurrë nuk arriti të bëhet lider. Me Lulin PD po tretej, derisa Rama po vazhdonte pushtetin e tij pa fund. Luli ka marr fund, karriera e tij politika edhe zyrtarisht ka vdekur me 11 dhjetor. Nuk mbrohet selia e partisë me dhunë, nuk mund të qëndrojë dikush në krye të një partie pa mbështetjen e anëtarësisë. Është anëtarësia ajo që ka fuqinë edhe për ta shkri krejt partinë, e lëre më për ta larguar Lulin, edhe ashtu të shkarkuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat