Ku mbetet e drejta e fjalës, liria dhe demokracia në shoqërin tonë?

Opinione

Ku mbetet e drejta e fjalës, liria dhe demokracia në shoqërin tonë?

Nga: Tahir Bezhani Më: 5 shkurt 2022 Në ora: 14:53
Tahir Bezhani

Veprimet e përditshmërisë sonë në disa institucione tona zyrtare, jo vetëm se të indinjojnë, nervozojnë, që sjellin pakënaqësi e revoltë, por të humbin shpresat për ëndërrimin e ndonjë dite më të mirë, më shpresëlanëse në shtetndërtimin e dëshiruar, atë shtetin e të drejtës për të gjithë, si qytetarë me vuajtje nga të huajt nëpër shekuj....

Natyrisht se kur lexova në “Bota sot” për suspendimin e policit Amir Hoxha, ndjeva keqardhje, një prekje te brendshme si një fyerje njerëzore. Nuk e “peshova “ veten me rregulloret e shërbimit dhe detyrat e policisë, sepse ato janë kode pune, por kur një polic apo kushdo qoftë tjetër, largohet nga puna për fjalën e lirë të bazuar në fakte dhe demokraci, atëherë jemi ose duhet të jemi të ndjeshëm të gjithë si një, për ta luftuar të keqen.

Në rastin konkret, nuk e kuptoj assesi se cila ishte ajo “shkelje ligjore-disiplinore” që kreu i nderuari polici, z. Amir Hoxha, i cili me guximin e tij intelektual, bazuar në të drejtën ligjore, reagon ndaj veprimeve të një deputeteje të pandërgjegjshme, e cila, në mënyrë flagrante shkel çdo normë ligjore, njerëzore dhe besimin e qytetarëve, duke zhvatur eurot e atyre që ia kanë dhënë besimin të jenë deputete.

Ka mbi njëzet vite që në ballë të vështirësive më të mëdha gjinden policët e këtij shteti tonë të ri. Këta e vetëm këta janë përballur në luftë me krimin me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike në këto hapësira me shumë kundërthënie shoqërore e politike....Deri në sakrificë jete.

Polici i “suspenduar”, z. Admir Hoxha, nuk ka mundur të jetë indiferent ndaj një dukurie aq negative, siç ishte lista e shpenzimeve me karburante të njerëzve të zgjedhur në Parlamentin tonë. Po sikur të gjithë deputetet dhe zyrtarët tjerë të pushtetit tonë te ishin sa më racional ndaj pasurisë së taksapaguesve, besoj se do kishim të gjithë, nuk do kishim kaq diferenca të larta në përditshmërinë tonë. Një krahasim logjik të drejton deri në revoltë, si bie fjala, pse deputetëve u paguhen rrugëtimet aq të shtrenjta kur dihet se të gjithë banojnë në Prishtinë (kanë banesa),ose rrethinë të afërt?

Po pse deputetët i marrin mëditjet vetëm se hyjnë në sallë të Kuvendit, pastaj dalin e ikin (verës) vikendeve kudo?.... Po si ka mundësi që askush nga deputetët kurrë nuk trajton çështjen jetike të pensioneve të atyre që punuan edhe mbi dyzet vite e sot jetojnë me 200 euro? Cili do ishte ai ekonomist, matematicient që do dinte të pjesëtonte ekzistencën e një pensioniste me 200 euro për tredhjet ditë?.....E sa e sa të tjera mosknaqësi e padrejtësi mund t’i numëronte secili nga ne ketë kohë të rëndë.....

Prandaj kërkesa e drejtë e bazuar në ligje dhe të drejtën e fjalës së lirë ,nuk paraqet përgjegjësi as penale e as disiplinore. Nuk lëndon kodin e etikës të asnjë profesioni, e posaçërisht këtë rast të suspendimit të z .polic ,Amir Hoxha. Për këtë suspendim duhet ta thoshte fjalën e vet edhe Sindikata e Policisë se Kosovës, e cila është e thirrur të mbrojë të drejtat e punëtoreve të saj. Gjithmonë, në shoqërinë tonë, aty ku ka elemente të burokracisë e inate tjera personale, përgjegjësia kurdoherë është kërkuar nga të ”vegjëlit”, sepse ata janë “fajtorë kujdestarë” të gabimeve që bëjnë të mëdhenjtë....

Sa do dëshiroja që ky shkrim i imi të jetë i mirëpritur e i mirëkuptuar nga lexuesit! Nuk do e prisja “mirësinë” nga ndonjë zyrtarë nga se mirë ua di nuhatjet dhe dëshirat për të “dhunuar” me masa joligjore të tjerët.

Unë nuk e njoh policin e nderuar ,z. Amir Hoxha. Nuk jam as avokat i tij. Jam ai i cili e përkrahë secilin njeri kur i bëhet e padrejte e hapur dhe padrejtësia si e tillë është një shëmti e keqe e kohës sonë.

Durim, vlerësim pastaj ndëshkim, nëse ligjet vërtetë konstatojnë, jo njërës dëshirash të veshur me rroba të burokracisë....

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat